Ndërsa të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) u ngadalësuan ndjeshëm për dy mujorin, madje në shkurt ishin në tendencë rënëse, arkëtimet që buxheti mbledh nga tatim fitimi i biznesit ishin në rritje.
Sipas statistikave të Ministrisë së Financave, në janar-shkurt në buxhet u derdhën 4.87 miliardë lekë nga sipërmarrjet si tatim fitimi, me një rritje të fortë prej 22% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, nga 4% që ishte zgjerimi i të ardhurave tatimore totale në buxhet.
Ndonëse tatim fitimi i bizneseve parapaguhet, rritja e të hyrave nga ky zë sinjalizon se sipërmarrjet kanë pasur më shumë të ardhura dhe më shumë fitime nga shtrenjtimi i çmimeve. Për vitin 2022, inflacioni mesatar arriti në 6.7%, që është dhe niveli më i lartë që nga viti 1998, kur vendi vuajti krizën e piramidave.
Edhe individët kanë derdhur të ardhura rekord në buxhet, në formën e tatimit mbi të ardhurat personale (një pjesë e konsiderueshme e këtij zëri vjen nga tatimi mbi pagën).
Sipas statistikave të Ministrisë së Financave, të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 9 miliardë lekë, një nivel rekord ky, me një zgjerim të fortë prej 27% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Lexo më tej: Si po ndryshon konsumi i shqiptarëve dhe modelet e bizneseve, nga popullariteti i Big Brother
Ky zë ka shënuar rritjen më të fortë në buxhet në përqindje dhe vlerë së bashku me të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore.
Rritja e pagave në 2022, me mbi 10% mesatarisht dhe ndryshimi i pagës minimale dhe automatikisht asaj maksimale dy herë gjatë viti të kaluar kanë ndikuar që buxheti të arkëtojë më shumë para nga pagat e individëve. Individët me paga të larta kanë dhe tatimin më të madh në vend, me 23% mbi rrogat që i kalojnë 200 mijë lekë në muaj.
Ndërsa individët që marrin dy paga prej tre vitesh i deklarojnë këto paga deri në fund të prillit të vitit pasardhës dhe ato tatohen si një e vetme, duke rezultuar shpesh me me pagesa shtesë.
Rritja e lartë e të hyrave nga bizneset përmes tatim fitimit dhe individëve, përmes tatimit mbi të ardhurat për pagën ka kompensuar ecurinë e dobët të të ardhurave nga TVSH-ja, që për dy mujorin u zgjeruan me vetëm 3.2% (të ndikuara nga janari, teksa shkurti ishte negativ).
Gjatë vitit të kaluar, të ardhurat në buxhet u rritën me ritme të larta të ndihmuara nga shtrenjtimi i çmimeve.
Por këtë vit çmimet e larta duket se kanë frenuar konsumin, duke i ndikuar negativisht arkëtimet nga TVSH-ja. /Monitor

