• |
ide | kryesore

Zgjedhjet lokale/ 24 mijë kandidatë për këshillat bashkiakë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Zgjedhjet



Në zgjedhjet e 14 majit 2023, 3.65 milionë shqiptarë janë ftuar të hedhin votën për të zgjedhur 3222 anëtarë të këshillave bashkiake dhe 61 kryetarë bashkish: Në garë për këto vota janë formalisht 145 kandidatë për kryetarë dhe 23,646 kandidatë për këshilltarë.

Shqiptarët pritet të votojnë për kryetarët e bashkive më 14 maj dhe për partitë politike që garojnë për këshilltarë, ku sistemi i zgjedhjes së anëtarëve të këshillave bashkiake është me lista të mbyllura të caktuara nga partitë. Sistemi, i cili favorizon kandidatët e renditur më sipër nga partia përkatëse, gjithsesi dukshëm ka tërhequr një pafundësi kandidatësh që garojnë në vendet humbëse.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të analizuara nga BIRN, të 40 partitë garuese kanë renditur në listat e veta 23,646 kandidatë për këshilltarë, gjë që sugjeron se afro 0.65% e votuesve në lista janë edhe vetë kandidatë. Por nëse marrim parasysh se një pjesë e popullsisë është në emigrim dhe se aktualisht vetëm gjysma e votuesve besohet se gjenden në Shqipëri, atëherë mund të themi se më shumë se 1 në 100 votues është kandidat.

Vendi me numrin më të lartë të kandidatëve për votues, sipas të dhënave të analizuara nga BIRN, është bashkia e vogël e Këlcyrës në qarkun e Gjirokastrës. Në zgjedhjet e 14 majit në këtë bashki ka 357 kandidatë për anëtarë të këshillit të bashkisë dhe tre kandidatë për kryetar. Bashkia numëron 9308 votues dhe rrjedhimisht në garë janë një kandidat për çdo 27 votues. Bashkia ka një këshill prej 15 anëtarësh.

Lexo më tej: Fushata e 14 Majit dhe deformimi me ligj i kohës televizive 

Bashkia e Klosit në Mat numëron 561 kandidatë dhe 15 mijë votues ose 1 kandidat për çdo 28 votues ndërsa nuk mbetet pas Tropoja, që numëron 534 kandidatë për 22 mijë votues.

Në përgjithësi, bashkitë e mëdha kanë një raport më të arsyeshëm mes numrit të kandidatëve dhe votuesve. P.sh., në Tiranë, garojnë 1057 kandidatë për anëtar të këshillit para afro 700 mijë votuesve.

Partitë politike duket se kanë tendencën të mbushin listat e kandidatëve me familje të tëra. Në shumë prej listave, të kandidimit, nëse renditen sipas rendit alfabetik dhe jo sipas rendit të përcaktuar nga partitë, dallohen katër, pesë apo gjashtë kandidatë me të njëjtin mbiemër. Persona me të njëjtin mbiemër shfaqen si kandidatë jo vetëm të një partie, por edhe të partive të ndryshme.

P.sh., nga lista e kandidatëve për Këlcyrën, ka nëntë kandidatë me mbiemrin Allamani, gjashtë prej të cilëve garojnë në listat e Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet ndërsa tre të tjerë garojnë për parti të tjera. Ndërsa Partia Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë ka kandiduar gjashtë kandidatë me mbiemrin Beqaraj.

Partitë politike shqiptare kanë pasur më herët detyrimin të garonin me lista të plota me kandidatë në të gjitha bashkitë e vendit si parakusht për të marrë pjesë në garë. Ky kusht është hequr dhe në këto zgjedhje partitë kanë të drejtë të garojnë me sa kandidatë duan dhe në ato bashki që duan. BIRN



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *