• |
ide | kryesore

I anuloi penallti e gol, Colella ironizon ndërhyrjet e VAR: “I yni funksionon më mirë se i të tjerëve”

-Instant, Sport
Colella



“Ju kujtoj të gjithëve që jemi 5 pikë larg nga kreu me 6 javë nga fundi dhe nuk janë pak. Nuk kemi bërë keq në përgjithësi. Nuk jemi perfekt, por nuk jemi kurrë perfekt. Çfarë të ndryshojmë? Ndryshimi është që Tirana të humbasë ndonjë pikë, për këtë duhet të pyesni ata, jo ne”. Giovanni Colella duket se zbavitet nga ndjekja e kreut, pavarësisht se pikët shtrëngojnë tani. Fitorja 2-1 me Bylis e ka kënaqur italianin, që megjithatë nuk është fare i bindur nga penalltia e anuluar tre minuta nga fundi dhe goli i Carës në shtesë, i pavlerë po me ndërhyrjen e VAR. Colella ka zgjedhur ironinë, për të treguar se nuk është dakord me punën e bërë nga sistemi teknologjik, në raport edhe me rastet e tjera. “Nga e diela kur të shkojmë në transfertë, do të marrim me vete VAR-in tonë – tha tekniku -. Me sa duket VAR-i ynë funksionon më mirë se i të tjerëve. Se arbitrat shkojnë dhe e përdorin, ndërsa te të tjerët jo. Ndaj do e marrim me vete në autobus”.

Macja e zezë, si konsiderohej Bylis për Partizanin, duke se nuk është më. Të kuqtë këtë sezon kanë bërë pikë të plota, me katër fitore ne katër ndeshje ndaj ballshiotëve: “E kam thënë para dhe pas ndeshjeve me ta. Bylis them se është një nga skuadrat që luan futboll më mirë në kampionat. Nuk e meriton që të bjerë nga kategoria”, e mbylli Colella.

Lexo më tej: Video/ VAR i heq penallti e një gol, Partizani merr fitoren me Bylis dhe ndjek Tiranën: vendosin Rrapaj e da Silva

EDHE SHENSOI KAPET ME VAR: “VENDOSI NDESHJEN”

“Sot treguam që jemi një skuadër dhe në formë, dhe kemi qenë shumë afër fitores me Tiranën dhe Partizanin. Në pjesën e parë jam i kënaqur me ekipin përveç momentit ku pësuam golin. Kishim mundësi ti shënonim dhe ne, por topi goditi shtyllën. Ndikoi dhe fusha me bar sintetik sepse ne nuk jemi mësuar të luajmë ashtu. Na u dëmtua Teqja dhe Maçolli u ankua”. Fusha me bar sintetik ka qenë një nga alibitë e teknikut të Bylis Naxhi Shensoi për humbjen 2-1 ndaj Partizanit. Pikërisht një nga, sepse tekniku kosovaro-turk ka shënjestruar edhe VAR, si penalizues për të tijtë. “Në pjesën e dytë nuk luajtëm aq mirë sa në të parën, por në të dytin vendosi VAR. Mendoj se meritonim një pikë për lojën që zhvilluam. Skishim çfarë të bënim më shumë ndaj Partizanit. Futbollistët mu ankuan për barin sintetik, Esqerdinha dhe Maçolli. Nuk doja ta rrezikoja brazilianin që të humbte kampionatin prandaj e zëvendësova, por sot nuk e merituam humbjen”, përfundoi Shensoi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *