• |
ide | kryesore

Hetimet për vrαsjen e Nikulajt/ Autori ndërroi 2 makina pas ngjarjes

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Vrasja autori



Kanë dalë të tjera detaje nga hetimet për ekzekutimin e biznesmenit të njohur të Lezhës, Ardian Nikulaj. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë është vënë re se pas ngjarjes autori është larguar fillimisht me motorin e tij deri në zonën e Bushatit dhe më pas ka përdorur një automjet Land Rover Defender për të udhëtuar drejt Shkodrës.

Brenda makinës dyshohet se autori ka futur edhe motorin e tij. Por hetuesit kanë dyshime se autori ka përdorur edhe një automjet të dytë të marrë me qira. Pikërisht kjo makinë është gjetur sot në zonën e Kukelit e marrë në përdorim nga 2 turistë të cilët deklaruan se nuk kanë lidhje me ngjarjen. Pas intervistimit ata u lanë të lirë.

Dyshime janë hedhur edhe për një shtetas anglez që ka qenë prezent në momentin e ngjarjes në lokalin e viktimës. Ai kishte hyrë në vendin tonë nga Rinasi, 4 ditë para ngjarjes dhe u largua menjëherë nga Shqipëria pak orë pas krimit. Ai po kërkohet nga hetuesit shqiptarë për të dëshmuar mbi arsyet e largimit të tij të menjëhershëm.

Hetimet zbuluan se disa minuta pasi doli nga lokali ai mori një taksi në drejtim të Fushë Krujës. Më pas mori një tjetër taksi për të shkuar deri në Rinas. 5 orë pas vrasjes ai është parë të fluturojë në drejtim të Londrës. Dyshimet janë se ai mund të jetë i përfshirë në këtë ngjarje si bashkëpunëtor. Kjo ka bërë që policia dhe prokuroria t’u drejtohen autoriteteve angleze me një kërkesë për t’i marrë një deklarim mbi arsyen e vizitës së tij në Shqipëri dhe lëvizjet në vendin tonë.

Pronari i hotelit në Shëngjin, ku qëndroi anglezi, ka thënë se pas ngjarjes ai është larguar menjëherë dhe ka thënë se “nuk do të kthehet më kurrë në Shqipëri”.

Paralelisht policia vijon kontrollin e pamjeve të marra nga kamerat e sigurisë përgjatë aksit Shëngjin – Shkodër në përpjekje për të rënë në gjurmë të vrasësit. Motivet e krimit mbeten ende të paqarta, por hetuesit janë përqendruar më së shumti tek konfliktet e viktimës në të shkuarën. Ardian Nikulaj u ekzekutua mesditën e 19 prillit kur sapo kishte hyrë dhe ulur në një tavolinë në lokalin në pronësi të tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *