• |
ide | kryesore

Biden vendos sanksione ndaj FSB-së ruse dhe IRGC-së së Iranit për arrestimin e amerikanëve

-Instant, Lajme, Planet



Administrata Biden njoftoi të enjten sanksione të reja kundër Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse (FSB) dhe krahut të inteligjencës të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) për rolet e tyre në arrestimin e padrejtë të amerikanëve jashtë vendit.

“Këta aktorë në Rusi dhe Iran janë përpjekur të përdorin amerikanët për leva politike ose për të kërkuar lëshime nga Shtetet e Bashkuara. FSB-ja ka qenë vazhdimisht e përfshirë në arrestimin, hetimin dhe ndalimin e shtetasve amerikanë të ndaluar gabimisht në Rusi” tha një nga dy zyrtarët e lartë të administratës që informuan gazetarët e Shtëpisë së Bardhë.

Përveç dy entiteteve, sanksione janë vënë mbi katër figura kyçe në Organizatën e Inteligjencës të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC-IO), kreut të saj Mohammad Kazemi, si dhe zëvendës shefave Mehdi Sayari dhe Hassan Mohagheghi dhe nënkryetarit Ruhollah Bazghandi.

Zyrtari i administratës Biden shtoi se krahu i inteligjencës së Gardës Revolucionare Islamike të Iranit “mban dhe merr shpesh në pyetje të burgosurit, duke përfshirë të paktën një shtetas amerikan të ndaluar gabimisht në burgun Evin”, një objekt paraburgimi në Teheran që ka një “histori të gjatë dhe të neveritshëm të abuzimeve të të drejtave të njeriut duke përfshirë raportime të zgjeruara të torturës”.

Të paktën dy amerikanë janë ende të arrestuar në Rusi: gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich, i burgosur që nga marsi, dhe Paul Whelan, një ekzekutiv i sigurisë së korporatave, i burgosur që nga viti 2018. Të dy mbahen nën akuza për spiunazh për të cilat familjet e tyre dhe Departamenti i Shtetit i SHBA thonë se janë pa bazë.

Në fillim të këtij viti, Rusia liroi veteranin e marinës amerikane Taylor Dudley, i mbajtur që nga prilli në Kaliningrad. Disa amerikanë u liruan gjithashtu vitin e kaluar në një shkëmbim të burgosurish, si ylli i basketbollit për femra Brittney Griner.

Dhe shtetasit amerikanë Suedi Murekezi, Alexander John-Robert Drueke dhe Andy Tai Ngoc Huynh ishin në mesin e dhjetëra individëve të liruar në një shkëmbim të burgosurish midis Ukrainës dhe Rusisë në 2022./VOA



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *