• |
ide | kryesore

Artan Hoxha: Një grup i rrezikshëm qëndron pas rrëmbimit të dyfishtë në Sarandë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Sarandë



Janë të shumta lajmet dhe hamendësimet që mbi zhdukjen prej 6 prillit e Fatmir Sulovarit dhe Leonard Theodorit në Sarandë. Gazetari Artan Hoxha ka bërë një shkrim në faqen e tij “Xhungël” ku shkruan se personat që morën përsipër dhe ekzekutuan zhdukjen e dy të lartpërmendurve, janë të njëjtët që i morën jetën me shpërthim tritoli, Aleksandër Sadikajt në Tiranë.

“Prokuroria dhe policia nuk kanë ende një përgjigje edhe pas 25 ditësh nga momenti kur ndodhi ngjarja, por tashmë kanë një panoramë më të qartë të asaj çfarë ka ndodhur. Pasi janë shoqëruar me dhjetëra dëshmitarë, janë ndaluar dhe ekspertuar të paktën 8 automjete, janë bastisur dhe kontrolluar disa banesa, janë këqyrur me dhjetëra orë filmime të kamerave të sigurisë dhe janë zbardhur komunikimet telefonike të personave të dyshuar, u arrit në përfundimin se pas kësaj ngjarje qëndron një strukturë e qëndrueshme kriminale, e cila ka përdorur si bazë operacionale të saj qytetin e Sarandës.

Nga të dhënat e deritanishme, kjo strukturë kriminale, rezulton të ketë një aktivitet të gjatë në trafikun e narkotikëve, fillimisht të kanabisit nga Shqipëria drejt Greqisë dhe më pas ka kaluar në trafikun e drogave të forta. Aktualisht ky grup kriminal ka siguruar një linjë të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Saranda shërben si bazë operacionale, nga ku grupi ka drejtuar aktivitetin e vet, por edhe si vend ku janë investuar paratë e fituara nga narkotrafiku.

I njëjti grup kriminal, dyshohet se ka organizuar dhe finalizuar atentatin me minë të telekomanduar të 11 qershorit 2022, kur afër rreth-rrotullimit te TEG-ut humbi jetën në një atentat mafioz, 27-vjeçari Aleksandër Sadikaj. Deri tani dy ngjarjet rezultojnë te mos kenë lidhje me njëra tjetrën, edhe pse janë kryer nga e njëjta strukturë kriminale.

Në rastin e ngjarjes së 6 prillit, rezulton se ky grup kriminal ka pasur në objektiv, vetëm rrëmbimin e shtetasit Leonard Thodhori, për shkak të një marrëveshje që ka shkuar keq. Por ky i fundit pasi ka nuhatur rrezikun, dyshohet të ketë kërkuar ndihmën e pronarit të disko “El Dorado” ne Ksamil, Fatmir Sulovari, i cili ka qenë i armatosur me pistoletë.

Nga dinamika e deritanishme, rezulton se autorët, pasi kanë tërhequr në një takim-grackë dy viktimat, i kanë rrëmbyer ata duke i çuar në një “bazë të sigurt” në periferi të Sarandës. Nga aty trupat e viktimave dyshohet të jenë eliminuar fizikisht dhe të jenë fshehur” – shkruan ndër të tjera Hoxha që më pas flet edhe për kërkimet e 2 personave të zhdukur.

“Pavarësisht operacioneve të kërkimit për ditë të tëra nga policia dhe familjarët e të zhdukurve, nuk janë gjetur ende trupat e viktimave. Kërkime janë bërë në zonën e Vrines dhe Konispolit ku dyshohej se kufomat mund të ishin groposur. Më pas u bënë kërkime në zonën e kanalit Çukës, kanalit të Vivarit dhe në liqenin e Butrintit me polumbarë të forcave RENEA. As përdorimi i dronëve nga ajri nuk dha rezultat.

Deri tani, Prokuroria ka arrestuar vetëm shtetasin Sofokli Andrea Baxheri, i datëlindjes 7/11/1995, i cili ka shërbyer në rol ndihmës, si dhe në gjetjen e mjeteve apo bazës së sigurt ku kanë vepruar autorët. Ndërkohë janë shpallur në kërkim policor të paktën 5 shtetas të tjerë, dy prej të cilëve me rol kryesor në grup, dyshohet të jenë larguar menjëherë pas ngjarjes për në Dubai.

Mes personave të dyshuar për këtë ngjarje, është edhe një shtetas me origjinë nga veriu i Shqipërisë, por nuk është bërë e mundur të gjendet vendndodhja e tij. Ky person ka qëndruar për disa kohë në Sarandë. Ai rezulton se ka qenë në qytet edhe mbrëmjen kur ka ndodhur ngjarja. Më pas është larguar pa u lokalizuar më vendndodhja e tij” – thotë Hoxha që ka publikuar edhe foton e një prej anëtarëve të dyshuar të grupit, të shpallur në kërkim, por pa e identifikuar atë me emër. ©LAPSI.al



2 Comments

  1. Artanit i ngeli e shoqja duke u semure nga gryket, ketej ben si i zgjuar neper studio…
    O Artan thuaj jo gojores

  2. Ai në Lezhë për 10 moj lek të vjetra, këta në Sarandë për një copë tokë……. Pssssssss. Sepse më duken si përralla,në Lezhë 6 ekzekutor ingliz, në sarandë 8 makina për ekspertizë pssssss.skuptoj asgjë pssssssss.na rujt zoti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *