• |
ide | kryesore

HARTA/ Bashkitë me tension të lartë dhe rrezik incidentesh në 14 maj

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
tension



Instituti i Studimeve Politike ka hartuar një hartë të “riskut elektoral”. Ajo u krijua për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2015 për të vijuar në zgjedhjet e vitit 2017, 2019 dhe 2021. Qëllimi është paraqitja e potencialeve të mundshme për tension, incidente dhe parregullsi elektorale në zona të caktuara.

ISP thotë se hartimi i dokumentit dhe hartës bazohet në disa tregues cilësor dhe sasiorë, përfshirë: tradita e zgjedhjeve në zonat elektorale, cilësitë e kandidatëve për kryetar bashkie dhe këshilltarë, rolin e grupeve kriminale në zona, rolin e biznesmenëve të mëdhenj dhe emrave “të fortë”, të identifikuar edhe në zgjedhjet e mëparshme, financimi informal dhe tensionet paraelektorale dhe diferenca në vota midis palëve politike.

Parimi sipas ISP mbetet i njëjtë: në zonat ku palët politike kanë diferencë minimale dhe ku ka grupe kriminale aktive, gjithnjë ka pasur incidente dhe parregullsi gjatë proceseve zgjedhore. Gara në zgjedhjet vendore është mazhoritare, një votë më shumë bën diferencën midis kandidatëve dhe në më shumë se 50% të bashkive fitorja e mandatit nuk lidhet vetëm me synime politike, por edhe projekte informale të grupeve mbështetëse, kryesisht grupe informale apo oligarkë.

Zonat me riskun më të lartë për vitin 2023? Tri bashki kanë koeficient të njëjtë negativ: bashkia Durrës, bashkia Kamëz dhe bashkia Vau i Dejës, ndjekur nga bashkitë Shkodër, Elbasan, Kavajë, Kurbin dhe Lezhë. Në bashkitë më problematike bëjnë pjesë edhe Kukësi, Malësia e Madhe, Shijak, Kruja, Dibra, Bulqizë dhe Hasi. 

Nga raporti rezultojnë edhe disa bashki, në të cilat situata zgjedhore është shumë më e qetë në të gjithë komponentët e saj dhe ku shanset për risk elektoral janë minimale. Të tilla janë bashkitë Pustec dhe Maliq, Roskovec dhe Delvinë, Patos dhe Gramsh, Belsh dhe Përmet, Libohovë dhe Kuçovë, Konispol dhe Dropull, Tropojë dhe Skrapar, etj. Merita specifike e këtyre zonave, krahas treguesve objektivë, janë edhe vetë kandidatët për kryetarë bashkie dhe këshilltarë, të cilët kanë dëshmuar dhe dëshmojnë sjellje më të përgjegjshme dhe përpjekje për të zhvilluar procese zgjedhore sa më afër normave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor.

Si u hartua harta

“Për hartimin e HRE janë analizuar rezultatet në 10 vitet e fundit në zonat përkatëse, CV e individëve në garë dhe përbërja e drejtuesve reale të stafeve zgjedhore, niveli i përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë, specifika lokale që lidhen me përbërjen demografike, rolin e familjeve të mëdha apo firmave më të njohura private në zonë, rolin e individëve të njohur për rekorde kriminale, si dhe denoncimet që janë adresuar gjatë viteve për shkelje të legjislacionit zgjedhor, trafikim të votës apo presin ndaj votuesve” – thuhet në sqarim.

Në zgjedhjet e vitit 2021 lista e zonave “të nxehta” kryesohej nga Elbasani dhe Durrësi, zona ku realisht u shënuan incidente, përfshirë edhe ngjarje të rënda me humbje jete. Vitit 2023 nuk do të duhet të ketë ngjarje të tilla. Është përgjegjësi direkte e kandidatëve dhe e subjekteve elektorale të respektojnë parimet që kanë firmosur në deklaratën solemne të kryetarëve të partive për integritetin dhe parimet etike të fushatës, dhe në tërësi, të të gjithë procesit zgjedhor.

Qarqet më shqetësuese? Durrës, Lezhë dhe Shkodër

Klasifikimi sipas qarqeve nuk ka domethënie të rëndësishme në zgjedhjet vendore, por lidhet kryesisht me pasojat e organizimit në zgjedhjet parlamentare. Partitë i caktojnë stafet drejtuese elektorale mbi bazë qarku, pra edhe personat që drejtojnë fushatat në nivel qarku janë edhe personat përgjegjës për aplikimin e standardeve zgjedhore, suksesin apo dështimin e tyre.

Referuar të dhënave sipas qarqeve, qarku më problematik mbetet Durrësi me tri bashki problematike, Durrësin, Krujën dhe Shijakun. Në renditje vendi pasues i përket Lezhës me vetë bashkinë Lezhë, Kurbinin dhe Mirditën, ndjekur nga qarku Shkodër ku bëjnë pjesë disa bashki problematike, përfshirë Shkodra (periferia), Vau i Dejës, Malësia e Madhe dhe Puka.

Qarku me nivelin më minimal të potencialit për incidente dhe devijim nga praktikat zgjedhore mbeten Berati dhe Korça, i pari edhe për shkak të disproporcionalitetit në konkurrim (opozita nuk fiton prej shumë procese zgjedhore aty) dhe i dyti për shkak të traditës së krijuar zgjedhore ndër vite. 



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *