• |
ide | kryesore

“Derbi? Tani mendoj të shkoj të ha se jam i uritur”: Colella hyn në garë e bën indiferentin, Hallaçi në telashe

-Instant, Sport
Colella



“Gjëja pozitive si fillim është që fitojmë. Pastaj fakti që konkurrentët tanë humbën, i shton më shumë rëndësi fitores”. Giovanni Colella i gëzohet fitores së Partizanit ndaj Kukësit e humbjes së Tiranës në Durrës. Tekniku italian, si zakonisht, pret të sulmojë sapo i hapet drita për të arritur objektivin. “Më kujtohet se dikush kishte thënë në janar se nuk kishim bërë merkato. Por ne kemi marrë lojtarë të mirë dhe sidomos rikuperuam Da Silva, i cili nuk ishte prej katër muajsh. Përtej kësaj, jam shumë i lumtur edhe me mënyrën se si stërviten e japin kontribut për ekipin edhe ata të cilët luajnë më pak. Janë vënë në dispozicion, na japin cilësi si gjatë javës, ashtu edhe në ndeshje”.

Colella më pas vazhdoi, duke bërë indiferentin, në lidhje me distancën e parakalimit në derbin direkt me Tiranën javën e ardhshme: “Unë jam i lumtur kur skuadra ime fiton. Nëse kampionati mbyllet tani, jemi ende pas 2 pikë, ndaj nuk ka shumë gjëra për të cilat të jem i lumtur – analizoi tekniku -. Derbi? Tani mendoj të shkoj të ha se jam i uritur, gjëja e parë. Pastaj për derbin kam disa ditë për të menduar, ndaj nuk kam pse të mendoj tani”, përfundoi Colella.

Lexo më tej: Video/ Partizani përmbys Kukësin në 3 minuta: të kuqtë i afrohen Tiranës -2, para derbit për titullin

HALLAÇI: “JEMI SË SIKLET TË MADH”

“Të vjen keq, skuadra nuk e filloi keq lojën. Shënuam gol. Kemi një problem kur pësojmë gol, e kemi të vështirë të reagojmë. Partizani është skuadër që kërkonte me patjetër fitoren për vendin e parë, por edhe ne jemi për mbijetesë”. Rrahman Hallaçi është i pakënaqur nga sjellja e disa lojtarëve të Kukësit, pas humbjes me të kuqtë. 3-1 në Arenën e Demave i ka ngulitur blutë në zonën playout dhe kjo e rrezikon jo pak. “Duhet të ishim më të kujdesshëm edhe te penalltitë. Po të shënonim gol në pjesën e dytë mund të hapej loja. Po na vështirësohen gjëra. Jemi në siklet të madh, duke qenë se nga java në javë nuk po marrim dot pikë”.

Hallaçi pastaj shtoi me një dozë kritike për lojtarët e tij: “Jemi shumë larg asaj që kemi kërkuar. Pres më shumë nga disa lojtarë. Kur shënojmë gol, duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Vuajtëm shumë dhe mund të pësonim edhe gol tjetër. Skuadra prodhoi u mundua, por nuk mjafton loja e bukur. Tani duhet diçka tjetër, grintë, forcë shumë e madhe për të shpëtuar skuadrën”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *