• |
ide | kryesore

“Nuk ka mendim tjetër veç Europës”: Hima insiston se Laçi mund tia dalë, Deliallisi “mori atë që deshi”

-Instant, Sport
Hima



“Normalisht nuk jemi të kënaqur, e mira do të ishte tre pikë që të jemi sa më afër vendit të tretë. Por kemi ende pikë në lojë dhe do të tentojmë deri në fund. Kërkuam të ishim edhe më agresiv e në ekuilibër dhe na vjen keq për faktin që Erzeni me një rast në portë na shënoi gol”. Ndihmëstrajneri i Laçit, Klevis Hima, pranon hapin prapa të bërë me këtë barazim drejt objektivit Europë. Laçi pas shënimit të golit të avantazhit uli xhirot, duke lejuar të ndëshkohej. “Nuk besoj se ekipi e mendoi të fituar – vazhdoi Hima -. Ishte një rast i vetëm që u shndërrua në gol dhe pastaj tentuam ta fitonim ndeshjen. Erzeni mendoi vetëm të mbrohej”.

Një koment pozitiv edhe për autorin e golit, që javët e fundit është kthyer në protagonist: “Bibo është djalë i ri, ka dëshirë shumë dhe uroj të shënojë – vazhdoi Hima -. Por duhet edhe të punojë me kokën ulur si deri tani. Do të ndihmojë edhe veten, edhe ekipin e tij”. Hima, në fund, foli edhe për mundësinë për të arritur Europën në një sezon të komplikuar: “Deri në ndeshjen e fundit do tentojmë e besojmë që do jemi në Europë. Nuk ka mendim tjetër veç Europës. Shpresojmë që ta mbyllim me fitore javën tjetër ndaj Kukësit. Por nuk ka lidhje se kush është kundërshtari, ta shohim si do shkojë”, përfundoi Hima.

DELIALLISI: MORËM ATË QË DESHËM

“Kishim ardhur për të marrë rezultat pozitiv. Edhe barazimi është i tillë. E kishim përgatitur ndeshjen mirë, çdo gjë ndryshoi nga një super-goditje. Përballë kishim një kundërshtar të fortë, vinte nga një seri e mirë rezultatesh, ndërsa ne vinim nga një ngërç”. Alfred Deliallisi, ndihmëstrajneri i Erzenit, është i kënaqur nga performanca e të tijve. Natyrisht një pikë në Laç është pozitiv për cdo skuadër e është kështu edhe për Erzenin që merr një pikë avantazh në raport me Kukësin në zonën playout. “Luftën e kam thënë edhe më parë që e kemi me dëmtimet – vazhdoi ai -. Kur të na kthehen do të kemi alternativa. Por ne kemi një rrjedhë loje dhe që nga ndeshja me Partizanin kemi një rritje shumë të mirë”.

Ndeshja e ardhshme bëhet shumë e rëndësishme për Erzenin dhe Deliallisi e di mirë: “Kemi ndeshje shumë të vështirë ndaj një kundërshtari me ekip jashtëzakonisht shumë të mirë, me lojtarë cilësorë brenda. Ne do të përgatitim ndeshjen gjatë javës, sot lojtarët të shijojnë pikët se morali sikur i kishte rënë pak. Por ky ekip ka cilësi të jashtëzakonshme dhe do të shkojë te objektivi që kemi thënë gjithmonë, mbijetesa, që ka qenë e padiskutueshme”, theksoi Deliallisi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *