• |
ide | kryesore

Zgjedhjet: Të rruhesh, a të mos rruhesh

1, 2, Arkiva, Ide



Ka një moment kur njeriu, kryesisht burrat, shohin veten në pasqyrë në mëngjes, në dilemën nëse kjo është një ditë kur është mirë të rruhesh apo të ruhesh. Ky proces i pashmangshëm i përballjes me pasqyrën, ka dhe një moment kur ka rrezik të shohësh thellë brenda vetes. Këtu më vijnë ndër mend disa emra, dhe jam kurioz të di, a kanë kurajë të shohin në sy veten, dhe si ia dalin?

Dita e zgjedhjeve ka një dilemë të tillë. Ka arsye pse duhet të shqetësohemi, për të mos thënë të trembemi nga rezultati i këtyre zgjedhjeve; sikurse ka dhe një qasje të kundërt.

Versioni numër 1. Të rruhesh.

Në planin indivdual, ka një shqetësim legjitim për fatin, integritetin dhe shëndetin mendor të atyre që votojnë humbësin. Fituesi, sidomos nëse riafirmohet, aq më keq për të disatën herë, do të shkelë me çizme këdo person të perceptuar si kundërshtar, armik, rebel. Arroganca e të fortit, që i merr zgjedhjet me çfarëdo forme, gjithmonë do të tentojë tek asgjësimi total i kundërshtarit: ty që guxove të më dalësh kundër unë të lë pa bukë, pa punë, pa pronë. Nuk thuhet më “vdeksh”, por “do të të vdes”.

Frika individuale është trupëzuar në shumë qytetarë, sidomos në qytezat e bashkitë e vogla.

Në planin shoqëror, dikush rruhet nga meraku se çfarë modeli politik do të ketë shoqëria shqiptare pas zgjedhjeve të dominuara me gangsterë, pas manipulimit të thellë mediatik përmes televizioneve të blera e gazetarëve vasalë, pas shitjes dhe blerjes së votës. A do jemi më një kuazi- demokraci, duke iu bashkuar përfundimisht shteteve ku bëhen zgjedhje, por fituesi nuk del nga vota e lirë.

Ky merak politik – rënia në një model që i heq defacto të vetmin pushtet qytetarit në një demokraci liberale, atë zgjedhjes së lirë – mund të mos i thotë gjë shumicës së shqiptarëve që duket se jetojnë në kushte laboratorike, e deri diku të lumtur për të qenë një eksperiment social e të cilët mund të mos rruhen nga ky shqetësim.

Shqetësimi për zgjedhjet mund të jetë edhe ekzistencial. Ajri i Tiranës u vërtetua në mënyrë laboratorike që është kancerogjen dhe merr jetë më shumë se kovidi. Situata me ujin është po aq e rëndë, por për qentë e Pavllovit kjo nuk ka shumë rëndësi. Me të rënë zilja, ata do shkojnë tek tasi i ushqimit dhe nuk pritet që këto investigime të ndryshojnë sjelljen e tyre laboratorike. Qentë, historikisht rruhen vetëm nga pronari.

Këndi 2. Zonat, ku rruhesh nga të fortët

Gazetarët e terrenit, që kanë fatin të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me realitetin rural, qytezor e periferik, dmth zona ku mund të kenë vënë re një fenomen të veçantë. Territori i Shqipërisë, përjashto bulevardin dhe unazën e vogël të Tiranës, është i ndarë në zona kontrolli të familjeve a fiseve mafioze. Ky është realitet që dihet, por ajo që vlen të analizohet është kodi i ri moral që po lind në këto grupe pushteti, që unë për arsye thjeshtimi po i quaj “të fortët”. Tek këta njerëz vlerat morale janë të përmbysura në krahasim me ne të tjerët që e dimë veten pjesë të shoqërisë perëndimore.

Tek të fortët, një gjykatëse e korruptuar e që i liron nga burgu në këmbim të pagesës, është zonjë grua; shefi i policisë që i lejon të kryejnë të pashqetësuar aktivitetin mafioz është burrë i mirë; të vrasësh është biznes; të përdhunosh është burrëri; të shkelësh me këmbë është drejtësi; të manipulosh vota për t’ia bërë dhuratë 100% fitoren ‘bablokut’ është respekt; të shkelësh çdo ligj, është normalitet; praktikisht e mira dhe e keqja në kuptimin e demokracisë kristiane është kthyer kokëposhtë. Kjo nuk i pengon të fortët të shkojnë në Kishë apo xhami, apo të duan regjim pa viza me BE-në, thjesht ata po modifikojnë komunitetet e periferisë së Shqipërisë sipas modelit e normave të tyre të reja.

Kjo përmbysje vlerash është reale, këto norma të reja ata i besojnë vërtet dhe, ne të tjerët, që duam rend e ligj sipas konceptit të demokracive liberale, ata na shohin si alienë, ose në rastin më dashamirës si budallenj.

Nëse sistemi i tyre i vlerave do të funksiononte, pra, nëse të fortët do arrinin të ndërtonin një shoqëri funksionale e të përparuar, nuk do kishim nevojë të rruheshim prej tyre.

Problemi është që ajo formë shoqërore nuk është e qendrueshme dhe destinacioni final i saj është një shoqëri si e talebanëve, minus (ndoshta) ekstremizmin fetar.

Ky model, këto norma të përmbysura, nuk janë më vetëm fenomen i disa familjeve të fortësh. Tashmë, komunitetet përreth tyre, ku ata mbretërojnë, bëjnë para e marrin vota, po përqafojnë këtë moral të ri, ku e keqja është e mirë, e ku e mira është e keqe. Në këtë moral të ri, nuk ka më as brerje ndërgjegjeje.

Shpresa që të fortët të mund të ndreqen përmes normave fetare ka rënë. Ata, falë këtij morali të ri të përmbysur ia dalin të jenë dhe besimtarë, dhe kriminelë, qetësisht.

Pamja 3. Po nuk u rruajtëm sot, nesër do të jetë vonë

Ky fenomen, së bashku me shkatërrimin pa kthim të mjedisit e të trashëgimive kulturore, është produkt i drejtpërdrejtë i qeverisjes së kryeministrit aktual.

Të fortët kanë ekzistuar gjithmonë, por, vetëm në vitet e z. Rama ata janë shndërruar në heronj, në modele shoqërore për t’u adhuruar e për t’u ndjekur, në shembuj të suksesit e sesi duhet arrirë ky sukses. Vetëm në periudhën e z. Rama, të fortët nuk u ndjenë si keqbërës, por si protagonistë; jo si të kërkuar nga drejtësia, por si burim drejtësie, si financues të legjislativit dhe si prodhues të një ligjshmërie të re. As Eskobari në periudhën e vet më të artë nuk arriti të bëhej deputet në Kolumbi. Në Shqipërinë e z. Rama, ai do mundej. Ai, mundet.

Sot, korrupsioni është vlerë, dhe shqetësimi i shqiptarëve të rinj të modeluar sipas moralit të ri nuk është ‘pse ka korrupsion’, por ‘pse nuk më jepet edhe mua mundësia të korruptohem’. Të jesh funksionar i shtetit e të mos vjedhësh, është paaftësi. Pak nga pak administrata po njësohet në moralin e ri. Do duhet kohë, por, gjasat janë që nën modelin Rama krejt administrata të mund të transplantojnë plotësisht moralin e ri të përmbysur, ta brendësojnë e ta besojnë totalisht atë. E keqja që ligjërohet, promovohet e duartrokitet.

Shqipëria është shoqëri vertikale. Çfarë lart, edhe poshtë.

Ky moral i ri, ku e keqja është e mirë dhe e mira e keqe, ndoshta nuk lindi, por po gjallon e po bëhet mainstream në vitet e z. Rama.

Dy kategoritë e shqiptarëve, ata që shkojnë për të punuar infermierë në Gjermani dhe ata që shkojnë për të punuar në shtëpi bari në Britani, janë shembulli më i qartë i dy Shqipërive me dy morale të ndryshme. Këta të Britanisë, po shkojnë që të bëjnë para të shpejtë e të kthehen si heronj, si modele të duartrokitur, si investitorë strategjikë, pa asnjë brerje ndërgjegjeje. Shumica e tyre nuk janë pjesë e fiseve mafioze, por janë nënprodukt i moralit të ri të përmbysur.

Ky moral i ri, besoj se është dëmi më i madh, afatgjatë, që modeli Rama i ka bërë Shqipërisë.

Z. Rama një ditë do vdesë, politikisht e fizikisht, si të gjithë ne.

Historia me Enver Hoxhën por dhe me satrapë të tjerë na ka mësuar që shqiptarët kanë tendencën që liderëve të fortë t’u bëjnë shurrën te varri, por dëmi që Hoxha i bëri shoqërisë shqiptare me “njeriun e ri” nuk po rekuperohet dot edhe pas 33 vitesh.

Fundi politik i z. Rama dhe trashëgimia e tij politike, nuk besoj se ka nevojë për imagjinatë sesi do jetë, por e ardhmja e moralitetit të ri që ai po na lë pas, është ankthioze. Është një tjetër “njeri i ri”, për të cilin ai çuditërisht duket që ka afeksion personal.

Personalisht, ky është motivimi real im për të dalë në votime të dielën.

RR. R., rr. r., Kulla e Rrojës. Kulla e Rojës.

Baticë- zbatica e R-së dhe RR-së në shqipen e internetit, portaleve e rrjeteve sociale, është një nga përdhunimet e lehta që i bëjmë shqipes. Vazhdimisht shoh me acarim sesi folja “marr, merr” shndërrohet në “morra, morre, morri”. (E kryera e thjeshtë e “marr” është: mora, more, mori, morëm, morët, morën)”.

Më sipër unë kam folur për “ruajtjen” e jo për “rruajtjen”, por, nevoja për të tërhequr vëmendjen në zhurmën e hapësirës virtuale shqiptare më shtyu të bëj një manipulim të patëkeq, thënë ndryshe pehlivanllëk gjuhësor, duke përdorur invazionin e RR-së.

E rëndësishme është që të dielën, është dita ku duhet të ruajmë Shqipërinë e 50 viteve që vijnë. ©lapsi.al



18 Comments

  1. “Montazhet qesharake, shpifjet dhe trillimet që bëhen për t’i fryrë përçarjes së demokratëve janë shërbimi më i mirë për Ramën. Nuk mbahen dot me sajesat e minutës së fundit, gënjeshtrat e dala boje para gjithë botës”

  2. Edi Rama i bërë një ndryshim të madh paraqitjes së jashtëme të politikanëve.
    Të paktën deri në vitin 2013, shikoni fotot apo videot e politikanëve dhe gazetarëve shqiptarë.
    Të gjithë të rruar taze.
    Pas këtij viti në vazhdim, pothuajse 76.5 % e politikanëve dhe gazetarëve kanë lënë mjekër.
    Apo jo o Shkullak, hë o Andi!? Flas dhe për ty Kolor Etto.

  3. Zbarkuan idiotet e padobishem me komente pa lidhje me artikullin.
    Analfabetet funksionale dhe bythelepires klasi. Te lumte Koloreto.

  4. Artikull i goditur,i kohes per problemet egzenciale ne boten e perdredhjes politike e pushtetit, nga ana tjeter, ky popull qe mashtrohet ngakllounizmi i kryeministrit. Autori shume i qarte demokratikisht ne mendimin e votes ne gjendje te nje shteti terrorist te oplnionit e mendimit te votueseve. E ka studiuar bukur psikologjine e gjendjen fiziko mendore ketij mileti ne mos vendosje objektive demokratike e gjendjes ekonomike e asaj politike per ti thirrur mendjes ne ardhmerine e tyre, e jo vetem te sotemen qe e mashtrojne me blerje e mashtrim. Troc kuptimi eshte qe te dalim ne votime, te votojme e te bejmeNDRYSHIMIN.

  5. Për të rrëzuar këtë bajrak sundues në Tropojë, Sali Berisha hartoi dhe nisi zbatimin e skemës së përçarjes mes fiseve, duke vënë në objektiv fisin “Haklaj”, për të cilin thuhet se në 100 vitet e fundit, ka qenë fis më i dëgjuar e më dominues në kuvendet e burrave të Tropojës e Malësisë së Gjakovës. Kjo e “çmendte” Sali Berishën, i cili nga shërbëtor i përulur i ish “bajraktarit” Enver Hoxha e vartësve të tij, befas u bë “bajraktar” i Shqipërisë, duke zëvendësuar e imituar Enver Hoxhën.Ky koloreto eshte i pari qe duhet te Rruhet qe te mos ta rruajne te tjeret

  6. Cukalesh e rruajtmja ka te beje me leshin psh ti je i parruar sepse ke lesh dhije ne fytyre.
    Qosja psh nuk rruhet se ska qime cdo beje valle diten e votimeve apo do te vije tek ty.
    Artikull koti dhe jo profesional termat dihet,tash me,e njohim apo shihet qarte etj etj jane per te mbushur mendjen vehtes se po rruhesh.
    Shko dhe rruaju lart e poshte,

  7. Artikull i goditur,
    Por do te kish qene me i plote nqs listes se liderve te forte te cileve shqiptaret do t’u shurrojne neser tek varri te kishe shtuar Sali Berishen!

    Ketu nuk eshte puna kujt t’i besh mutin e kujt shurren, por thjesht per te vene ne vend meritat e secilit

  8. Koloreto, apo shqip ngjyrak, me m’nigju mu mos e rruj fare, se si i thone fjales, Selanik e tatepjete, si ka qene do te jete

  9. Të ma kishte dhënë mua këtë montazhin e videos së Lulzim Bashës do ta qaja. Nëse ju duhet si alibi për humbjen më 14 Maj po deshët ju bëj dhe video të Ramës me Lulin që ju ti gënjeni prapë demokratët. Nëse u bën punë e bëjmë dhe një montazh takimi të Berishës me Biden.

    Por më zhgënjeve doktor se na ke premtuar video erotike për ambasadorë që të kanë shpall non grata e ke përfunduar me montazhe qesharake… e duke më shpall mua non grata

  10. Zbulohet një tallje që kanë bërë me Sali Berishën, i cili më pas e ka plasur në publik, pa e verifikuar një mufkë sipas të cilit, Erion Veliaj ka shkuar në Iran në 2008.

    Edi Rama ka nxjerr në emisionin Opinion një skandal të madh, kur dikush është tallur me Sali Berishën, duke i dhënë foto të kitaristit të grupit legjendar Eagles, për të cilin Sali Berisha, menjëherë ka nxjerrë foton e tij, duke e thënë se Erion Veliaj është i maskuar.

  11. Të paktën Rrapushi me çmendurinë e vet, jepte ca lekë e shpresë te njerëzit, kurse ky kudo që shkon mbjell të keqen. Gjuha e tij shumë fyese për inteligjencën, brezin e ri. Jemi në vitin 2023 dhe ky ka të njëjtin artikulim fyes që para 30 vjetësh. Është e paimagjinueshme të shash një njeri që deri dje e ke quajtur hero, e ardhmja e këtij vendi. Sot çfarë nuk i thotë bashkëpunëtorëve të vet.

  12. Gjatë kontrollit në këtë automjet janë gjetur 50 qese me ushqime të ndryshme.

    Pas verifikimeve ka rezultuar se automjeti ishte në administrim të Drejtorisë Ekonomike të Drejtorisë Arsimore Shkodër.

    Shtetasit P. D. dhe M. V. (punonjës të bashkisë Shkodër), janë shoqëruar në ambientet e Policisë, së bashku me shtetasin E. I., 31 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Ekonomike të Drejtorisë Arsimore Shkodër,

  13. Është kënaqësi kur lexon shkrime analitike të bukur e të saktë, si i z. Cukali, pikërisht për faktin që janë gjithnjë e më të rrallë në medien shqiptare.

    Po jetojmë ditet kur duhet të ruhemi nga shume drejtime, por edhe nga gazetaria e shitur me vende pune apo gazetarët e blerë me paratë e plehrave të qyteteve tona. Për më tepër, këta as nuk votohen, por mbushin ekranet për t’i bërë gjyqin “fajtorëve pa faj”, atyre që kërkojnë ndryshimin…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *