• |
ide | kryesore

Socialistët fitojnë thellë në Kamzë, mbi 60% për Rakip Sulin

-Instant, Arkiva, Lajme



Dalin rezultatet e bashkisë së Kamzës, një nga tre bashkitë ku u zbatua votimi dhe numërimi elektronik. Fitues është Rakip Suli i PS-së me 60.65%.

Kandidati i Bashkë Fitojmë, Arjan Hoxha ka dalë në vend të dytë me 35.11% të votave, ndërsa kandidati i Alibeajt, Bilbil Bajraktari ka marrë vetëm 4.24% të votave.

Pjesëmarrja ishte 41.88%.

Biznesmeni Rakip Suli fitoi sot një mandat të dytë në postin e kryetarit të Bashkisë Kamëz, pasi mori bashkinë në vitin 2019 në zgjedhje pa garë. Kujtojmë se ajo ishte hera e parë që socialistët morën pushtetin në njësinë tradicionalisht opozitare.

Lexo më tej: Vendoret 2023/ Bashkia Vorë, Kamëz dhe Elbasan, voton elektronikisht 

Opozita ishte optimiste për Kamzën pasi në zgjedhjet e vitit 2021, dy partitë e koalicionit aktual opozitar, PD dhe LSI, fituan në dy njësitë përbërëse të Kamzës me rezultat edhe më të thellë se sa PD fitonte zakonisht. Megjithatë kjo nuk duket se e pengoi PS-në që të shpartallojë opozitën në këtë bashki në këto zgjedhje.

Pjesëmarrja në votime ishte 52% në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 kur PD dhe LSI fituan 53% të votave ndërsa Partia Socialiste fitoi vetëm 40% të votave. Socialistët patën fituar 43% të votave në zgjedhjet e vitit 2011, gjë që sugjeron se votat shtesë në këtë bashki, rreth 10 mijë gjatë kësaj periudhe, janë shtuar më shumë për opozitën se sa për maxhorancën.

Me këtë fitore, PS-ja thyen një barrierë të rëndësishme elektorale dhe pasojat mund të ndjehen edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023. Suli u përball me dy kundërshtarë, Arjan Hoxhën e koalicionit Bashkë Fitojmë dhe Bilbil Bajraktarin nga Partia Demokratike.

Lexo më tej: Video/ Denoncimi i gazetares Erla Mëhilli nxjerr bllof votimin në Tiranë 

Edhe pse me një nga sipërfaqet më të vogla në vend, Kamza është bashkia e tetë më e madhe në vend për nga numri i votuesve dhe një bashki e populluar përgjatë tre dekadave të fundit përmes rritjes së shpejtë demografike. Bashkia e re përbëhet nga ish bashkia Kamëz, e krijuar përreth një qyteze periferike të Tiranës dhe ish-Komunës Paskuqan, e cila gjithashtu ka njohur rritje të shpejtë demografike dhe që ka qenë dhe vijon të jetë e lidhur më shumë me Tiranën se sa me Kamzën.

Bashkia Kamëz është pjesë e qarkut Tiranë, kufizohet me qytetin e Tiranës dhe në shumë kuptime është vijim organik i qytetit të Tiranës. Një nga arsyet se pse maxhoranca socialiste e ndau në bashki më vete në vitin 2015 është fakti që kjo bashki mbështet në shumicë opozitën dhe se bërja e saj pjesë e bashkisë Tiranë mund të krijonte balancë mes palëve.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *