• |
ide | kryesore

Partizani do derbin, por ka frikë kartonët: trofeu nuk dorëzohet pas ndërqytetases, sido të shkojë me Tiranën

-Instant, Sport
Partizani



Një derbi për tu fituar. E në anën tjetër edhe një sprint final tepër impenjativ për tu përballur me njerëzit më të mirë, në kërkim të titullit kampion. Sigurisht që Partizani për të bërë rrokadën në krye të renditjes me Tiranën duhet të fitojë me cdo kusht derbin. Por tekniku Colella duhet të mendojë edhe për ndeshjet që i mbeten, sidomos atë me Vllazninë. Në fakt, katër lojtarë rrezikojnë të mos jenë nëse ndëshkohen me karton të verdhë në derbi.

Në këtë pikë, tekniku italian reflekton edhe mbi formacionin, sepse kampionati nuk mbyllet me 90 minutat e derbit. Shqetësimi më i madh i të kuqve janë problemet fizike të tre lojtarëve, që gjithësesi kanë punuar me grupin. Duket se të tre janë gati për të zbritur të mërkurën në fushë. Matondo nuk ndjen më pasojat e goditjes së marrë në ndeshjen me Kukësin dhe kongolezi pritet të jetë titullar ndaj Tiranës. E njëjta gjë vlen edhe për Hadrojin dhe Da Silvan, që kanë lënë pas lodhje muskulore.

Lexo më tej: Video/ Partizani përmbys Kukësin në 3 minuta: të kuqtë i afrohen Tiranës -2, para derbit për titullin

NDRYSHIMET NË FORMACION

Në këtë pikë, para Rexhepit projektohet një mbrojtje me tre e udhëhequr nga Sota dhe e kompletuar nga Atanaskoski e Telushi. Mesfushori mund të thirret sërisht në prapavijë, edhe pse Menich është një alternativë e përdorur shpesh nga Colella. Hadroji e Buxhelaj, gjithnjë nëse nuk avancon maqedonasi, do të jenë pistonat që do ti japin ekuilibrin mesfushës e mbrojtjes. E gjithë sjellja e tyre do të jetë në varësi të zotërimit të topit. Matondo përpara mbrojtjes, Rrapaj e Murataj, që duket se ka mundur konkurrencën e Hotit, do të jenë përbërësit e një mesfushe solide, me aftësi depërtuese si kërkon Colella. Përpara janë të sigurtë Mba e Da Silva, me Carën që do të aktivizohet me ndeshjen në vazhdim.

Sidoqoftë, katër potencialisht të rrezikuarit, Cara, Atanaskoski, Murataj e Rrapaj duhet të bëjnë kujdes, sepse edhe Vllaznia është po aq e rëndësishme sa derbi. E Partizani ka nevojë për kontributin e të gjithëve në këtë fazë vendimtare të kampionatit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *