• |
ide | kryesore

Video/ Feston Bylis, -3 nga zona playout ku zhyt Erzenin, Vllaznia sheh Europën mes polemikave: ja rezultatet

-Instant, F1, Sport, Video
Bylis



Rezultate të bujshme në javën e 33 të Superiores, në pritje të derbit kryeqytetas. Askush nuk ka mundur të sigurojë pozitat, sepse skuadrat më lart të renditura, pothuaj të gjitha kanë humbur përballë rivalëve në vështirësi. Bylis shkoi të fitonte 1-2 në Niko Dovana, duke i dhënë vetes shpresë për një mbijetesë të minutave të fundit. Fitoja e ballshiotëve zhyt Erzenin në zonën playout, të kaluar tashmë nga Kukësi. Blutë shkatërruan 3-0 Laçin që kapërcehet nga Vllaznia në vendin e katërt. Shkodranët fituan mes polemikave me Teutën dhe i afrohen edhe Egnatias. Rrogozhinasit bëjnë gabimin e madh dhe humbasin 1-0 me Kastriotin e vendit të fundit, që mbetet matematikisht në lojë.

KASTRIOTI 1-0 EGNATIA

Fitore e pamenduar por shpresëdhënëse për Kastriotin. Krutanët e Çelës kanë mposhtur 1-0 Egnatian, pretendente për Europën. Ekipi krutan ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë duke diktuar ritmin që në fillim. Kartoni i kuq i Malotës në minutën e 20′ ua bëri më të thjeshtë lojën. Kastrioti iu afrua disa herë portës kundërshtare, me rrogozhinasit që u mbyllën prapa. Skuadra e Tetovës nuk bëri pothuaj asgjë dhe në fund u ndëshkuan. Goli i Grecës 10 minuta nga fundi ishte ai që vendosi fatin e sfidës. 3 pikë për Kastriotin që me 35 pikë vazhdon të ëndërrojë për mbijetesën, me 9 pikë ende në lojë.

ERZENI 1-2 BYLIS

Bylis mund të shpresojë. Dygolëshi i Luis Kaçorrit ka ndihmuar skuadrën e Shensoit që të merrte tre pikë të rëndësishme në luftën për mbijetesë. Për ballshiotët ishte e rëndësishme të mbanin poshtë Erzenin dhe 1-2 në Niko Dovana i jep më shumë se një avantazh. Sulmuesi ballshiot ishte ai që vendosi sfidën me dy gola me kokë në pjesën e dytë. Kaçorri bëri të pavlefshëm goditjen e dënimit spektakolare të Alan, që kishte barazuar përkohësisht rezultatin për shijakasit në minutën e 80′. Vetëm 5 minuta më vonë, Kaçorri firmosi takimin me golin e dytë. Kështu, Bylisi ndal serinë e tre humbjeve radhazi dhe afrohet 3 pikë nga Erzeni dhe 4 nga shpëtimi direkt.

VLLAZNIA 1-0 TEUTA

Një fitore që vlen vendin e katërt dhe momentalisht Europën. Vllaznia ka mposhtur Teutën me rezulatin 1-0 në “Loro Boriçi” në ndeshjen e javës së 33 të “Abissnet Superiore”. Goli i vetëm i sfidës u realizua në minutën e 8′ nga Çoba. Ndërkohë Teuta pati shumë raste për të dalë me 1 pikë nga Shkodra, por nuk arritën të finalizojnë. Në fund pretendimet për penallti, për një prekje me dorë, nuk u shuan as nga vendimi i VAR. Me këtë fitore Vllaznia renditet në vendin e 4 me 46 pikë, ndërsa Teuta në të 6 me 42 pikë.

KUKËSI 3-0 LAÇI

Kukësi i largohet zonës së playout dhe në të njëjtën kohë i heq ambicjet europiane Laçit që sheh të parakalohet nga Vllaznia. Kukësi ka arritur të marrë një fitore shumë të rëndësishme 3-0 përballë Laçit. Një supergol i shënuar nga Ndreca në pjesën e dytë me goditje dënimi, dhe dygolëshi i Barbosa pak minuta para fundit, i mjaftuan tekniku Hallaçi të marrin 3 pikët e rëndësishem. Kjo ishte fitorja e katërt sezonale e Kukësit ndaj Laçit dhe Hallaçi e sheh veten në vendin e 7 me 40 pikë. Nga ana tjetër, Laçi ka zbritur në vendin e pestë, jashtë Europës, por me një ndeshje direkte me Vllazninë ende përpara.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *