• |
ide | kryesore

“Nuk ka mbaruar ende”, Shehi mban lart përqendrimin, Colella vazhdon filozofitë: “Nuk jemi pjekur akoma”

-Instant, Sport
Shehi



“Mendoj dhe e thashë edhe dje që është ndeshje e vështirë. Duhej të ishim të kujdesshëm, mendoj që e kemi interpretuar mirë. Akoma nuk ka përfunduar asgjë se janë edhe dy ndeshje. Të gjithë janë brenda objektivave, ne duhet të shohim vetëm punën tonë. Duke bërë punën tonë, dhe fakti që e kemi në dorën tonë, duhet të bëjmë maksimumin meqë ndeshjet janë shumë afër”. Orges Shehi vazhdon të udhëheqë Tiranën drejt suksesit, pavarësisht vështirësive mbi të cilat ecën. Tekniku i bardhebluve, që rigjeti Hasanin e Hilën, por humbi Lushkjan e Gjumsin doli me një 1-3 nga Laçi që e afron fare pranë titullit. “Shprehemi mirë në këtë fushë, edhe për shkak të cilësisë – tha Shehi -. Kjo fushë është një prej më të mirave në Shqipëri dhe të lejon të interpretosh mirë. Por ka specifika që të mos lësh hapësira se dihen përmasat. Por na vjen mirë që kemi fituar”.

COLELLA: “NUK JEMI PJEKUR ENDE”

“Ishte një pjesë e parë mjaft e mirë, sidomos në 25 minutat e dyta të kësaj pjese. Pastaj në pjesën e dytë, si zakonisht kur jemi në avantazh, nuk kemi ende maturinë e vazhdimësisë për të bërë atë që kemi bërë më përpara. Por ia dolëm të merrnim tre pikët”. Giovanni Colella mbetet i dyti, por në distancë parakalimi ndaj Tiranës. E megjithatë italiani, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund vazhdon të merret me filozofi. “A pyeta për rezultatin e Tiranës? E pyeta, në kohën shtesë. Kur ne ishim gjithashtu në kohën shtesë”, tha Colella.

SEDLOSKI: “PËRGJEGJËSITË MBETEN TË MIAT”

“Na vjen keq që nuk arritëm të realizonim. Luajtëm kundër një ekipi që lufton për titullin kampion, nuk jam i kënaqur me pjesën e parë. 15 minutat e para kishim 2-3 raste për shënim dhe më pas ishte Partizani që dominoi dhe shënoi 2 gola. Në pjesën e dytë bëmë disa ndryshime që dhanë rezultat dhe kishim disa raste për shënim”. Goce Sedloski kthehet të ndjejë shijen e hidhur të humbjes, duke rrezikuar vendin e katërt tani edhe nga Teuta. Tekniku maqedonas sidoqoftë e ka të qartë shkallën e vështirësisë për të arritur në fund objektivin: “Faji juaj për rezultatet nëse gaboni edhe në javët e mbetura? Padyshim përgjegjësitë mbeten të miat. Kam një muaj në klub, kam ardhur për të bërë një punë të mirë. Akoma jemi në lojë për objektivat dhe besoj që do t’ia dalim”, u shpreh ai.

MARTINI: “U TREMBA, FUTBOLLI ËSHTË I POSHTËR”

“Jam i lumtur sepse çunat dhanë maksimumin edhe pse kishim sstres sepse duhej fitore. Ishte ndeshje e ngarkuar dhe duhej mbyllur më parë se kishim shumë raste. U tremba sepse futbolli është i poshtër pasi Kastrioti kishte shanse”. Edi Martini i gëzohet tani një rikthimi pranë zonës europiane të renditjes. Tani vendi i katërt është vetëm një pikë larg dhe në dy ndeshje gjithcka mund të ndodhë: “Kur erdha te Teuta e gjeta në vendin e fundit me 8 pikë. Mendohej për të mos rënë nga kategoria dhe ishte objektiv. E arritëm shpejt dhe kjo më motivon për të parë para. Europa ishte tabu kur erdha, por djemtë kanë dhënë shpirtin në fushë dhe do të luftojmë deri në fund. E dimë që kemi dy ndeshje të vështira. Do bëjmë çmos të fitojmë me Egnatian”, tha Martini.

HALLAÇI: “DO TË KETË KRITIKA, NUK TOLEROHEN GABIMET”

“Në të vërtetë e kishim menduar ndryshe ndeshjen sot. Jo në këtë mënyrë. Ebert bëri mirë deri kur u dëmtua Lamçe, Mamoh ka një dëmtim në dorë dhe nuk doja ta rrezikoja. Ndonëse ishim pak të sforcuar në vendosje, për shkak të mungesave”. Rrahman Hallaçi nuk është fare i kënaqur me të tijtë, pas 1-1 në Ballsh, por me kundërshtarin që e mbylli me 9 lojtarë. Kukësi u ndëshkua nga një penallti në fund e barazoi po me 11 metërsh në fundin e shtesës. “U munduam në pjesën e parë, zotëruam topin, tentuam të afroheshim te porta e kundërshtarit, por duke ditur edhe rëndësinë e sfidës. Në pjesën e dytë nuk kemi luajtur mirë, sidomos në kohën që Bylisi ishte me një lojtar më pak”.

Në fund edhe kritika për lojtarët: “Është e patolerueshme që futbollistët me eksperiencë të largojnë topin jashtë kur ndërkohë mund ta ruanin. Penalltia është një presion i madh, por është një pikë dhe me shumë vlerë. Ne duhet të mbanim topin në zotërim, sjam i kënaqur për pjesën e dytë që realizuam. Do të ketë kritika, nuk tolerohen gabimet, sjam aspak i kënaqur me pjesën e dytë. Nuk na lejohet që me një lojtar më shumë të nxirrnim topin jashtë”, përfundoi Hallaçi.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *