• |
ide | kryesore

Video/ Tirana padrone në Laç, Partizani përgjigjet mes tensionit: në Ballsh 2 të kuq e 2 penallti për një barazim

-Instant, F1, Sport, Video
Tirana



Mbyllet java e 34 e Superiores me rezultate të rëndësishme, por që nuk ndikojnë në luftën për titull. Tirana është e pandalshme dhe del nga Laçi me një tris golave të lojtarëve që i munguan në derbi. Guindo nuk mjaftoi për kurbinasit. Partizani, në anën tjetër, mposhti 2-1 Vllazninë dhe mbetet 2 pikë larg. Fitore historike për Egnatian që zyrtarizon me matematikë prezencën në Europë sezonin e ardhshëm. Rrozgozhinasit mposhtën 3-2 Erzenin, që mbetet në playout. Shpëton Kukësi në fund, me një penallti të Taipit, kundër një Bylis me 9 lojtarë e që me penallti kishte shënuar në fundin e kohës së rregullt. Fitore edhe për Teutën, që zhyt Kastriotin dhe vetë kërcënon Europën.

LAÇI 1-3 TIRANA

Një hap më pranë titullit kampion. Tirana ka mposhtur në transfertë Laçin me rezultatin 3-1, në ndeshjen e vlefshme për javën 34 të Kategorisë Superiore. Me këtë sukses, bardheblutë kanë kaluar një pengesë të vështirë dhe dy javët e fundit kanë përpara ndeshje delikate, por në letër më të lehta. Sfida u zhbllokua në minutën e 17’ nga Hasani falë një goli të bukur nga jashtë zonës. Golashënuesi kryesor i Shehit, që mungoi në derbi, u kthye protagonist, bashkë me Hilën. Pikërisht mesfushori u ngjit në katedër në pjesën e dytë me një dygolësh. Hila shënoi në minutën e 65’ e më pas 72’, duke hipotekuar suksesin. Madje as goli i Guindo, i rikthyer në formën më të mirë, nuk mund të evitonte humbjen e skuadrës së Nicës. Tirana është shumë pranë titullit kampion, edhe pse Partizani vazhdon ta ndjekë dy pikë larg.

PARTIZANI 2-1 VLLAZNIA

Fitore, ankth e polemika në kryeqytet me Partizanin, që ka marrë tre pikët që i nevojiteshin. Të kuqtë e teknikut Colella kanë mbajtur gjallë ëndrrën për titullin kampion, edhe pse në dy javët e mbetura kanë nevojë për një mrekulli. Partizani ka mundur me shifrat 2-1 Vllazninë, në një ndeshje që u duk se kishin në kontroll, por që e mbyllën mes drithërimash. Skuadra e italianit Colella u duk se e dominoi plotësisht pjesën e parë dhe shkodranët nuk patën forcë reagimi. Dy gola të shënuar nga Rrapaj, me një aksion brilant dhe Sota, në zhyvillimet e një goditje këndi i cuan të kuqtë në pushim me avantazhin e dy golave. Por në fraksionin e dytë të lojës, kuqeblutë ngushtuan diferencën me Balaj. Goli i dytë në kampionat i qendërulmuesit, që kur mbërriti në janar, që i dha moral skuadrës. Vllaznia vuri në vështirësi vazhdimisht portën e Rexhepit, duke iu afruar disa herë barazimit. Megjithatë, në fund Partizani mbrojti fitoren 2-1 dhe mori tre pikët e rëndësishme.

BYLIS 1-1 KUKËSI

Befasia vjen në minutën e 100′ për Bylis, që me 9 lojtarë ishte pranë fitores, por u arrit nga penalltia e Taipit. Mallakastriotët e Kukësi ndanë nga një pikë në ndeshjen e javës së 34, por gjithçka u vendos në minutat e fundit të takimit. Në inferioritet për daljen e Zhong me karton të kuq, Bylis shënoi me penallti në minutën e 89 me Zguron. Mesfushori u ndëshkua me karton të verdhë se hoqi fanellën e nga nervozimi mori edhe të dytën, duke e lënë skuadrën me 9 lojtarë. Në 10 minutat shtesë erdhi penalltia në fund për Kukësin, që Taipi e shndërroi në gol. Skuadra ballshiote luaji për më shumë se gjysmën e ndeshjes me 10 lojtarë, ndërkohë që pak sekonda pas golit, Zguro u largua me të kuq duke lënë ekipin me 9 lojtarë. Kjo fitore lë Bylisin në vendin e parafundit, teksa Kukësi në vendin e shtatë.

EGNATIA 3-2 ERZENI

Egnatia ka mposhtur Erzenin me rezultatin 3-2 në ndeshjen e javës së 34. Sfida u zhbllokua fillimisht nga Dëamena, në minutën e 14′ sulmuesi dyfishoi shifrat. Kështu pjesa e parë u mbyll me avantazhin e dyfishtë të Egnatias. Ndërsa në pjesën e dytë, ekzaktësisht në minutën e 52′ Musta shënoi edhe të tretin për rrogozhinasit. Më pas në të 60′ Ademi shënoi të parin për Erzenin. Nonato realizoi golin e dytë duke e bërë humbjen më pak të dhimbshme. Erzeni tentoi të kthente rezultatin por nuk ja arritën. Me këtë fitore Egnatia siguron matematikisht Europën. Erzeni është me 39 pikë, dy larg shpëtimit, ndërsa prapa Bylis ka 37.

TEUTA 1-0 KASTRIOTI

Nga mbijetesa drejt Europës. Teuta mposhti Kastriotin me rezultatin 1-0 në “Niko Dovana” dhe tani është një pikë nga vendi i katërt. Durrsakët u imponuan me një gol të shpejtë të Beqjas, që realizoi në minutën e 3′. Kastrioti me këtë humbje e shoh pothuaj të pamundur mbijetesën. 45 pikë për Martinin, një pas Vllazninë, me dy ndeshje ende të mbetura.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *