• |
ide | kryesore

Historia e Laert Haxhiut, banditi që donte vetëgjyqësi për krimet e Aldo Bares

Arkiva, Kryesore, Lajme



Me arrestimin e Laert Haxhiut në Greqi merr fund tentativa e pinjollëve të disa familjeve të Lushnjës për të bërë vetëgjyqësi për krimet e bandës së Aldo Bares. Deri dje fotografia e 31-vjeçarit nga Lushnja ishte në skedën e personave më të rrezikshëm në Shqipëri, ndërsa ai kishte nisur jetën në Greqi ku prezantohej si gjeorgjian, me emrin Mikis Askalidis.

Në botën e krimit hyri me historitë e vitit të mbrapshtë në mendje. Familjes Haxhiu u ishte djegur një shtëpi dhe u ishte vrarë një nip nga banda e Aldo Bares. Viktima kishte qenë Bledar Haxhiu. Vrasjen e tij një prej të penduarve e kishte rrëfyer me detaje në sallën e gjyqit.

Prokurori: Kë donte të virste Edjan Xhafa dhe pse?

Petrit Liçi (i penduar): Donte të vriste Bledar Haxhiun, por ishte i plagosur dhe nuk e bënte dot vetë. Na tha se do të na jepte lekë po ta vrisnim. Pranuam të bënim vrasjen. E pritëm disa herë në kryqëzim. Por një ditë, Edjani erdhi edhe vetë. Na dha një çantë me katër automatikë. Në datën 23 tetor, rreth orës 8 ose 9 të mëngjesit, u nisëm me makinë, unë, Erjon Kashari dhe Elton Mermali. Pas nesh erdhi dhe Edjani me Dritan Vilën. Pritëm në një kryqëzim. Po vinte Bledar Haxhiu me makinë së bashku me Artan Sulçen. Ne sa e pamë nxorëm automatikët dhe qëlluam. Pasi u siguruam se e vramë, u nisëm. Ktheva kokën dhe pashë që Edjani së bashku me Dritan Vilën kishin shkuar te makina dhe po qëllonin me pistoleta mbi trupat e vrarë të tyre. Më pas u larguam në shtëpinë e Edjanit.

Në provincë, është e vështirë të harrohen konfliktet e vjetra. Të miturit rriten mes rrëfimeve për një kohë kur vendoste ligji i xhunglës përmes gjobëvënieve, përdhunimeve dhe vrasjeve të bandës së famshme të Aldo Bares. Nga llogaritë e pambyllura lindin krime të tjera.

Tentativa e parë për vrasjen e Xhulio Shkurtit

Në Shtator të vitit 2016, në një rrugicë të Lushnjës, Laert Haxhiu udhëton me një Smart. Aty ndeshet në rrugë me Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares, që shoqërohej me një shokun e tij.

Në atë çast përballë tyre në rrugë ka ndaluar një autoveturë e bardhë tip Smart, me targa italiane e drejtuar nga i pandehuri Laert Haxhiu. Ky i fundit kishte në dorë një pistoletë me të cilën ka qëlluar në drejtim të tyre, derisa i mbaruan fishëkët e pistoletës. Një nga plumbat e pistoletës të të pandehurit ka qëlluar Xhulion në këmbën e majtë, ndërsa një tjetër ka goditur shtetasin Saimo Xheliu në pjesën e barkut. Pasi i kanë mbaruar fishekët e pistoletës i pandehuri i ka thënë Xhulios: “Nuk e ke të gjatë ti!”. Më pas e ka fyer dhe ka vazhduar rrugën me autoveturën e tij drejt kryqëzimit të gjimnazit “18 Tetori” thuhet në dosjen e prokurorisë, sipas dëshmisë së Xhulio Shkurtit.

KUJDES PAMJE TË RËNDA/ Atentati mafioz që përgjaku Lushnjen (FOTO & VIDEO)

Sipas variantit të babait të Laert Haxhiut, historia ishte më e komplikuar se kaq.

“Edhe atë veprim që bëri, që plagosi Xhulio Shkurtin me atë tjetrin, e bëri se ata e shanë, e ofenduan. Prandaj nuk kanë të drejtë ata të shajnë e të ofendojnë njerëzit. Konflikti nisi se këta i thonin ku i ke gjetur lekët ti që ke blerë makinë. Ç’kanë ata se ku i gjen lekët djali im. Apo janë të fortit e Lushnjes ata dhe ekziston akoma ligji i xhunglës tek ata? Ata janë të fortit e Lushnjes dhe mund të bëjnë çfarë të duan me lushnjarët? Jo s’është kjo e vërteta”, ka treguar Qamil Haxhiu.

Për këtë ngjarje Laert Haxhiu u dënua me 18 vjet burg, por nuk u arrestua asnjëherë. Nën hundën e policisë, organizoi një atentat të dytë ndaj nipit të Aldo Bares.

Tentativa e dytë për vrasjen e Xhulio Shkurtit

Xhulio Shkurti merr një telefonatë dhe shkëputet për pak minuta nga miqtë e tij që po qëndronin në trotuar në Lushnje në Tetor të vitit 2017. Kalojnë pak sekonda dhe pranë tyre ndalon një makinë. Një person del nga mjeti dhe qëllon me breshëri kallashnikovi duke lënë të vrarë dy prej të rinjve.

Njëri prej të mbijetuarve, Sajmir Xhelili tregoi më vonë për policin gjyqësor.

“Ne nuk ishim ulur në kafe. Po rrinim te një pemë në anë të rrugës. Xhulio sapo kishte ikur. Ne po bisedonim në këmbë kur një makinë ndaloi pak metra më larg (rreth 20 metra) dhe që atje doli një person me maskë të zezë në kokë, në duar mbante një armë automatike. Kur u afrua nja 6 a 7 metra, unë u largova me vrap pas ndërtesave. Të tjerët nuk mundën. Autori hapi zjarr dy herë me breshëri kallashnikovi, pastaj u fut në makinë dhe u larguan”.

Shënjestra e atentatit kishte qenë Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares por atë e shpëtoi telefonata e berberit me të cilin kishte lënë orar për t’u qethur.

Për masakrën e Lushnjës, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, është akuzuar Laert Haxhiu dhe janë dënuar me burgim të përjetshëm Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi.

Vrasja e Besmir Hidës që kërkoi drejtësi për nipin

Terrorizuese ishte vrasja në Lushnje e biznesmenit Besmir Hida, daja i Zamir Latifit, viktimës së atentatit më lart.

Hida dhe familjarët e tij kishin ngritur zërin në media dhe në polici për të kërkuar zbardhjen e vrasjes së nipit të tyre. Ai pinte kafe në lokal kur iu bë atentati. Dy persona të maskuar ngjitën shkallët dhe e qëlluan për vdekje.

Historia/ Rikthehet përplasja mes bandave të Lushnjës

Në media u raportua se Besmir Hida i kishte thënë policisë se javët e fundit kishte parë të lëvizin me makina luksoze Laert Haxhiun dhe Orgest Bilbilin, por sipas tyre nuk është marrë asnjë masë. Ngjarja mbeti e pazbardhur, por mëkati i vetëm i biznesmenit kishte qenë ankesa se policia nuk po vepronte për arrestimin e Laert Haxhiut.

Vrasja e Enver Boriçit

Në orët e para të mëngjesit të 14 dhjetorit në vitin 2019 u gjet në një lokal, i vrarë me një plumb në kokë Enver Boriçi. Familjarët e gjetën të ekzekutuar ish-anëtarin e bandës së Lushnjës, pasi kishte qenë duke pirë kafe. Plumbi në kokë i kishte shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

52-vjeçari, Enver Boriçi ishte vëllai i Arben Boriçit, i dënuar me burgim përjetë, si anëtar i bandës së Lushnjes.

Vrasja e Elton Mermalit, ish-anëtar i bandës së Lushnjës

Trupi i pajetë i një personi që u gjet mëngjesin e të dielës në 19 Tetor të vitit 2021 në afërsi të lumit Shkumbin. Ai u identifikua fillimisht si Alban Semaku. Viktima i kishte marrë plagët nga afër dhe ishte qëlluar me tre plumba, një prej të cilëve në kokë. Dyshimet janë se e kishin rrëmbyer fillimisht në Lushnjë dhe pasi e vranë brenda në makinë, ia hodhën trupin në një zonë mes Elbasanit dhe Peqinit.

Alban Semaku sapo kishte dalë nga burgu i Peqinit, i dënuar për pjesmarrje në një vrasje të dyfishtë në vitin 1998, atëherë kur mbante emrin e vërtetë, Elton Mermali. Adoleshenti i asaj kohe qe bërë pjesë e një nga organizatave më të rrezikshme kriminale të dalë nga kaosi i vitit 1997, Banda e Lushnjës.

Mermali kishte qenë një nga ekzekutorët direktë të Bledar Haxhiajt, kushëri me Laert Haxhiajn. Dyshimet janë se u vra për hakmarrje, por prokuroria nuk arriti asnjëherë tek banda e re që nisi gjuetinë e lidhjeve të Aldo Bares në Lushnjë./Lapsi.al

https://lapsi.al/2023/03/20/masa%ce%bara-e-lushnjes-apeli-le-ne-fuqi-denimin-me-burgim-te-perjetshem-te-bilbilit-dhe-kaloshit/



4 Comments

  1. ‘Bashkëpunojmë me PS…!’/ Duka kundër Berishës: PAA i njeh zgjedhjet, një rezultat i tillë është i pakontestueshëm.

  2. Balliu Junior: S’do dal unë me kallash në Shkodër, se jam intelektual, kam studiuar në Londër. Të dalë populli

  3. Kemi një afeksion për të brohoritur më të fortin. Shoqëria shqiptare është e skllavëruar, shitet e blihetKemi një afeksion për të brohoritur më të fortin. Shoqëria shqiptare është e skllavëruar, shitet e blihet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *