• |
ide | kryesore

E pa pak minuta dhe telefonoi miqtë, Guardiola i trembet finales: “I impresionuar nga Inter, mund të na mundin”

-Instant, Sport
Guardiola



Pep Guardiola kërkon trofeun e parë të Champions në krye të Manchester City dhe një Tripletë të pabesueshme. Në rrugën e tij është Inter, që për të gjithë basteshkruesit nuk është favorit. Por trajneri katalanas nuk i beson kësaj: “Nisa të shikoja disa minuta Inter, disa situata, e jam shumë i impresionuar – tha ai për Gazzetta dello Sport –. Më bënë përshtypje me atë që bëjnë, me gjuhën e tyre trupore. Pasi nisa t’i shihja, telefonova disa miq që jetojnë në Itali për t’i pyetur mbi mendimin e tyre për Inter. Të gjithë më thanë të qëndroj vigjilent se janë seriozë, nuk ishte nevoja të më thoshin. E kuptova duke parë ato pak minuta, ato situata. Sigurisht që Inter mund të na mundë. Ata e kanë fituar këtë trofe tre herë dhe ne nuk e kemi fituar asnjë. Por ne duam të luajmë në mënyrën më të mirë që kjo të mos ndodhë.”

Guardiola paralajmëroi lojtarët e tij dhe të gjithë ata që besojnë se 10 qershori në Stamboll do të jetë pak më shumë se një piknik. “Nuk është rastësi që janë 3 skuadra në finalet e tre kupave dhe të tjerat kanë luajtur në gjysmëfinale. Kam luajtur në Itali, e di mentalitetin që kanë ekipet italiane në finale – shtoi ai. Le të mos harrojmë se njëzet vjet më parë Serie A ishte kampionati më i mirë në botë. E të gjithë, lojtarë dhe trajnerë, donin të luanin atje. Italia e ka fituar Kupën e Botës katër herë. Ata ende e kanë atë mentalitet, dhe kjo është arsyeja pse unë mendoj se një finale ndaj një ekipi italian do të jetë e komplikuar”.

Trajneri i City, pavarësisht se ka fituar shumë në Angli, është i vetëdijshëm se puna e tij nuk do të vlerësohet plotësisht derisa të ngrejë në qiell Ligën e Kampionëve. “Që kur kam ardhur këtu kemi fituar shumë. Ndonjëherë mendoj se është e padrejtë që ne kemi nevojë për Champions për të marrë meritat për atë që kemi bërë. Por kështu është dhe ne duhet ta pranojmë. E di. Nuk do të jemi të kompletuar pa fituar edhe Ligën e Kampionëve – pranoi Guardiola -. Ndonjëherë të luash me këtë presion është e mrekullueshme, e nevojshme. Shpesh flasim mes nesh, i themi njëri-tjetrit se duhet ta bëjmë. Por në të njëjtën kohë, nëse nuk e bëjmë e vazhdojmë të fitojmë, jam i sigurt që herët a vonë do ta bëjmë. Por tani kemi shansin të jemi në finale dhe duhet të provojmë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *