• |
ide | kryesore

Polemika për fasadën e muzeut / Lubonja: Simbolika e Shqipërisë pa yll

Arkiva, Kryesore, Lajme
lubonja mozaik



Prej ditësh në opinion po zhvillohet një debat lidhur me restaurimin e mozaikut që është në ballin e muzeut kombëtar. A duhej rikthyer aty ylli dhe simbolet e tjera komuniste që ekzistonin në përurimin e tij? Apo mos vallë edhe pjesa e ndryshimeve, pra heqja e tyre, ka të bëjë me historinë e kesaj vepret tipike të soc realizmit dhe prandaj ajo duhej te mbetej e retushuar?
Ndërkohë që debati historik vazhdon, shkrimtari dhe intelektuali Fatos Lubonja ka sjellë një këndvështrim shumë më të thellë, në një ese për transformimet e këtyre tre dekadave duke u nisur nga simboli i vendosjes dhe heqjes së yllit.
Në pasthënien e librit në anglisht “Albania in between” të fotografit zviceran Hans Peter Yost i cili e ka shkrepur aparatin e tij në dy kohe, menjëherë pas rënies së komunizmit dhe sot, Lubonja trajton temën e yllit të shkulur nga fasada…

Nga Fatos Lubonja

Kujtdo që kalon nëpër sheshin qendror të Tiranës nuk i shpëton pamja e një mozaiku të madh që dominon fasadën e Muzeumit Historik Kombëtar. Ky mozaik është ndoshta simboli më përfaqësues i 45 vjetëve Shqipëri komuniste. Rëndësinë e ka marrë edhe për shkak të vendosjes së tij në fasadën e Muzeumit, i cili, edhe ai, jo pa qëllim është vendosur në sheshin qendror përballë statujës në kalë të heroit kombëtar,  Skënderbeut, emrin e të cilit mban sheshi.

Që nga viti 1920 kur Tirana nga një qytet i vogël osman i themeluar në shekullin  XVIII u kthye në kryeqytet të shtetit të ri shqiptar zona ku ndodhet sheshi, ndër më të vjetrat e qytetit, ka pësuar një transformim të pandërprerë. Ndryshe nga shumë qytete evropiane ku gjatë shekullit XX qendrat historike kanë filluar të ruhen me fanatizëm, kjo zonë, që sot është qendra e kryeqytetit, ka shërbyer si një skenë ku pushtetarët e gjallë, kanë ndërhyrë vazhdimisht për të ndërtuar aty simbolet e tyre të pushtetit, duke eliminuar, ndryshuar apo minimizuar ata të të vdekurve. Në këtë betejë për t’i vënë vulën e vet qendrës ndryshimet e para i bëri mbreti Zog në vitet 30. Ndërhyrja e tij e parë ishte ndryshimi i formës së Kullës së Sahatit ndërtuar në shek XIX pranë Xhamisë së E’them Beut. Nga një kullë e stilit osman me arkada në majë ai i dha pjesës së sipërme të saj formë konike për ta bërë të stilit venecian. Ndërkaq mbreti huazoi arkitektë italianë të cilët hartuan planin urbanistik të kryeqytetit dhe projektuan qendrën dhe ndërtesat rreth saj. Plani urbanistik i Tiranës, u konceptua prej tyre, duke imituar Parisin, në formën e rrjetës së merimangës. Sipas këtij plani nga sheshi qendror dilnin gjashtë rrugë tërthore, dy në lindje dy në perëndim si dhe bulevardi në jug dhe në veri të cilat priteshin nga unaza që parashikohej të shtoheshin me rritjen e qytetit kurse në kuadratet e krijuara nga prerja e midis tyre kalonin rrugicat që mbushnin rrjetën e merimangës. Në kohën e mbretit Zog mbaroi së ndërtuari kompleksi i ndërtesave përreth sheshit duke i dhënë formë, nëpërmjet kësaj qendre të re, ambicies së shqiptarëve për të braktisur trashëgiminë lindore, rezultat,  sipas ideologjisë nacional – romantike të kohës që prodhoi shtetet kombe në Ballkan,  i një pushtimi të gjatë,  për t’u rikthyer në  identitetin evropian perëndimor.

Atje ku sot ndodhet Skënderbeu, midis Xhamisë së E’them Beut dhe Bankës Kombëtare të ndërtuar nga italianët, projektuesit lanë vend për një statujë. Ndoshta mbreti Zog aspironte që atje të vihej shtatorja e tij si ndërtues i shtetit shqiptar, por më 1939 ndodhi pushtimi fashist dhe Zogu la vendin për të mos u kthyer dot më. Fashistët hartuan projektet e tyre për pjesët e pandërtuara rreth sheshit, por nuk arritën t’i realizonin ato. As nuk vunë ndonjë statujë tek sheshi. Ishin komunistë që me premtimin e ndërtimit të një bote të re mbi gërmadhat e së vjetrës vendosën në qendër, dekadë pas dekade, simbolikat e tyre. E para gjë që bënë ishte vendosja në majën e kullës osmane, të kthyer në veneciane, e simbolit të tyre, yllit komunist. Në vitet 50  tek vendi i statujës që mungonte, midis xhamisë së E’them Beut dhe Bankës Shtetërore të projektuar nga italianët, ata vendosën shtatoren e Stalinit. Në vitet 60 prishën Pazarin e vjetër, që ndodhej në lindje të sheshit dhe ndërtuan atje një pallat kulture, gurin themeltar të të cilit e vendosi Nikita Hrushovi. Pas dy vjetësh, me prishjen e Shqipërisë me BS, ata e zhvendosën shtatoren e Stalinit dyqind metra më tej dhe vendosën në vendin e tij Skënderbeun në kalë, çka shënon momentin e forcimit të komponentes  nacionaliste në ideologjinë e tyre të pushtetit. Në fund të viteve ’60 fillimvitet ’70, pasi shpallën Shqipërinë vendin e vetëm ateist në botë, shembën Kishën Ortodokse  në verilindje të sheshit dhe ngritën ndërtesën më të lartë në Shqipëri hotelin 15 katësh “Tirana” si simbol të modernizimit. Në fundvitet 70 shembën ndërtesën e bashkisë, që e rrethonte sheshin në veriperëndim, si pjesë e kompleksit të ndërtuar nga Italianët, dhe vendosën atje Muzeun Kombëtar me mozaikun, që u inagurua më 1981. Ky ndërtim bëri që sheshi nga rrethor të bëhej kuadrat në mes të të cilit u ndërtua një shatërvan i madh, edhe ai kuadrat, që zëvendësoi rrethrrotullimin italian në mes të sheshit.

Ndryshimet megjithatë nuk kishin mbaruar. Në vitin 1985, pasi vdiq diktatori Enver Hoxha, komunistët prishën kafen historike Kursal, që ndante dy rrugët tërthore të rrjetës së merimangës në perëndim të sheshit, dhe vendosën atje shtatoren 9 metra të lartë të Diktatorit. Ajo minimizoi me lartësinë dhe shkëlqimin e saj edhe monumentin në kalë të Skënderbeut, por lartësia e saj përputhej me propagandën që në atë kohë e trajtonte Enver Hoxhën si heroin që kishte tejkaluar edhe bëmat e heroit mesjetar.

Mozaiku

Jo të gjithë ata që do ta marrin në dorë libërthin e parë të kompletit me foto “Albania in between”  të fotografit Hans Peter Yost do të kapnin menjëherë një ndryshim midis pamjes së mozaikut të vendosur në kopertinë – fotografi që Yost e ka bërë në vizitën e tij të parë në vitin 1991 – dhe pamjes që ai ka sot. Por përpara se të shkruaj për ndryshimin le të komentoj shkurt simbolikën e mozaikut.

Vepër e një grupi autorësh të realizmit socialist kompozimi sintetizon me gjuhë figurative narrativën nacional – komuniste me të cilën u ushqye populli shqiptar nga regjimi komunist. Në këtë narrativë kombinohet vizioni paradoksal marksist-leninist i historisë – sipas të cilit ajo edhe ishte e determinuar nga ligjet e saj të brendshme edhe priste komunistët që ta realizonin atë – me qasjen esencialiste të identitetit kombëtar shqiptar sipas së cilës, ndonëse nëpër tokën e banuar nga shqiptarët kanë sunduar me shekuj Perandoria Romake, Perandoria Bizantine, Venediku, Perandoria Osmane shqiptarët kanë qenë gjithmonë aty si shqiptarë, duke luftuar për të mbrojtur tokat e tyre dhe ruajtur identitetin e tyre. E materializuar edhe brenda pavjoneve të Muzeumit, narrativa flet për historinë e popullit shqiptar ndër shekuj, që sipas diktatorit Enver Hoxha  “e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë” në luftë kundër armiqve, gjithë duke pritur Partinë Komuniste që do ta udhëhiqte në pjesën finale të kësaj lufte drejt komunizmit.

Në kompozimin e mozaikut kjo rrugë/luftë e lavdishme është e ndarë në tre pjesë ku hapësirat që zenë shekujt nuk respektojnë kohën objektive. Në pjesën e majtë, kur je përballë, shohim heshtat dhe helmetat e priudhës kur shqiptarët i rezistonin Perandorisë Romake si ilirë; pastaj bririn e alarmit, shpata dhe mburoja – ku spikat edhe shqiponja me dy krerë e flamurit shqiptar – që përfaqësojnë kohën kur, me në krye Skënderbeun, u rezistonin osmanëve; më tej vijmë në shekullin XIX  ku krahas armës së kohës, pushkës, spikat edhe letra e shkruar – koha e rilindasve që në fund të shekullit XIX zgjuan popullin për ta çliruar nga sundimi osman. Në krahun e djathtë të Mozaikut paraqitet momenti më i rëndësishëm historik i shekullit XX që ndërtoi mitin themelues të pushtetit komunist: lufta kundër nazifashizmit me në krye komunistë, të cilët bashkë me çlirimin nga pushtuesit kryen edhe revolucionin socialist. Në qendër të mozaikut, në krye të karvanit, janë tre figura që simbolizojnë të tashmen socialiste, punëtori simbol i diktaturës së prolatariatit dhe i ndërtimit të socalizmit, ushtari që mbron atdheun nga armiqtë e shumtë kapitalistë dhe revizionistë dhe në mes, një vajzë e veshur me kostum kombëtar, simbol i Shqipërisë së re, që ngre lart një pushkë.

Shqipëria pa yll

Në foton e Jostit, mu në qendor të mozaikut, shkëlqen me ngjyrë të artë një simbol që mungon në gjendjen e tij të sotme. Ky është ylli komunist që shfaqet një herë më i vogël midis dy kokave të shqiponjës në flamurin shqiptar – ku e vunë komunistët pasi morën pushtetin – dhe pastaj më i madh, në ballin e karvanit, mbi kokën e vajzës së re, si udhëndriçues i të ardhmes komuniste të popullit shqiptar.

Lëvizja antikomuniste që lindi në Shqipëri pas shembjes së Murit të Berlinit e shkuli nga sheshi më 1991 shtatoren gjigante të diktatorit dhe e tërhoqi zvarrë nëpër rrugët e Tiranës. Partia që lindi prej saj, sapo mori pushtetin, i shpalli luftë yllit si simbol i një regjimi të urryer, i një të ardhmje të rreme. Ajo e hoqi atë nga flamuri kombëtar, e shkuli nga Kulla e Sahatit, dhe e fshiu edhe nga mozaiku. Kësisoj ylli reshti së bëri histori.

Qysh nga ajo kohë kanë kaluar afro 30 vjet.  Gjashtë libërthat me fotografi të Hans Peter Yost na flsin për këtë kohë të Shqipërisë pa yll në ballë.

Kur hap dy libërthat e parë të Yost që përshkruajnë vitet fill pas rënies së komunizmit nuk mund të mos befasohesh nga kontrasti midis sheshit qendror si vitrinë ku pozojnë shqiptarët e mozaikut dhe shesheve rrugëve dhe rruginave ku jetonin shqiptarët që ai ka fotografuar. Është kontrasti midis dy botësh shumë të ndryshme, shprehje e gjendjes skicofrenike: midis lavdisë së botës virtuale të narrativës së mozaikut mbi të cilën kishin ndërtur identitetin, krenarinë kombëtare, besimin në të ardhmen dhe mjerimit të botës reale në të cilën i kishte reduktuar një gjysëm shekulli diktaturë. Si një at padron diktatura duke i izoluar mendërisht dhe fizikishte nga pjesa tjetër e botës, duke vendosur gjithçka për ta: se çfarë duhet të donin dhe çfarë të urrenin, se si duhet të mendonin, se për çfarë duhet të studionin, se ku do të punonin, i reduktoi shqiptarët në fëmijë të paaftë për të kuptuar shkaqet e mjerimin në të cilin gjendeshin. Atyre u predikohej socializmi, solidariteti, sakrifica vullnetarizmi, por, imponimi i tyre me dhunë, nuk zhvilloi dimensionin e tyre social, si aftësi për të ndërtur vetë shoqëri, për të mbajtur përgjegjësi ndaj tjetrit, përkundrazi. Në fakt ati padron aplikoi një kolektivizim të detyruar, një mbyllje të detyruar në një kafaz çelësat e të cilit i mbante vetë në mënyrë që të abuzonte kur të donte dhe si të donte me ta.

Fotot e para të Yostit na tregojnë këta fëmijë  në momenttet e para kur është hapur kafazi:   të gëzuar nga çlirimi, por edhe të hutuar pasi e shohin veten jetimë të ndarë më dysh midis varfërisë dhe mjerimit në të cilin janë katandisur dhe nevojës për të gjetur një at të ri që t’i ushqejë, që të marrë përgjegjësi për ta, t’u ndërtojnë një narrativë të re, një zëvendësues të yllit në ballë të karvanit. Yost nuk ka qenë i pranishëm në kohën e ekzodit të madh të ayre viteve, por ky ekzod është prezent në fotot e tij  pasi pamjet e atyre që mbetën flasin shumë edhe për ata që ikën për t’i shpëtuar mjerimit të mungesave deri të bukës.

Korrigjimi i narrativës

Zërat e pakët kritikë ndaj heqjes së yllit nga mozaiku u shprehën asokohe se ai duhej lënë atje si pjesë e historisë për të kuptuar më mirë të kaluarën dhe të tashmen. Sipas tyre nëse bëhej fjalë për të hequr kjo ishte heqja nga mendja e shiqiptarëve e paradigmës me të cilën qe ndërtuar i gjithë muzeu brenda dhe i gjithë mozaiku jashtë: vizioni deterministik i historisë kombinuar me pritjen e udhërrëfyesit që zotëron të vërtetën e këtij determinizmi dhe imponon me forcë rrugën drejt saj duke eliminuar armiqtë. Paradigma e re duhej ndërtuar sipas parimit se e ardhmja nuk varet nga ndonjë determinizëm historik, por se jemi ne që e realizojmë nëpërmjet projektesh të cilët duhet t’i vemë vazhdimisht në provë e në dyshim; e për këtë na duhet të jemi të lirë e jo ta lemë veten në duart e atyre që na i imponojnë në emër të së vërtetës, në fakt të interesave të tyre. Por elita politike që trashëgoi pushtetin, e formuar me paradigmën e vjetër dhe e shtyrë nga ambicia e ruajtjes së rolit të udhërrëfyesit që e çon popullit drejt “tokës së premtuar” e pa më të volitshme ta ruajë atë duke ruajtur pjesën nacionaliste të narrativës së mozaikut. E vërteta e të kaluarën së lavdishme të popullit shqiptar nuk duhej vënë në dyshim, ajo çka duhej korrigjuar ishte vetëm kapitulli i fundit i kësaj narrative, ai i gjysmë shekulli komunizëm që u interpretua si një devijijm aksidental nga rruga e së vërtetës.  Ajo e korrigjoi këtë kapitull duke u mbështetur në disa ide triumfuese të fillimviteve 90 që fëmijët shqiptarë të mbetur pa prindër dhe pa yll e pa instrumente kritikë i përqafuan me zell.

Në një nga faqet e murit të një fabrike apo magazine që ka fotografuar Yost më 2021 shohim një karikature murale ku karikaturisti i angazhuar nga pronari ka realizuar figurativisht pikërisht korrigjimin e kapitullit të fundit të narrativës së mozaikut. E shtrirë përgjatë murit karikatura fillon me parrullën “Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni” “Karl Marks” dhe vazhdon me radhën e profetëve të rremë që mashtruan shqiptarët për gjysëm shekulli Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini, Mao, Enver Hoxha, të cilëve, për t’i përqeshur, u ka shtuar edhe dhe një kundërshtar të tij politik të së sotmes. Pas tyre vjen një parrullë e re që mban nënshkrimin e pronarit kapitalist të fabrikës: “Proletarë të të gjitha vendeve shpërndahuni”.

Ca më tej, në krye të karvanit një burrë me shpatë në dorën e djathtë dhe flamurin amerikan në të majtën duket sikur u thotë shqiptarëve të zgjohen nga përralla sovjetike e kapitullit të fundit të mozaikut, dhe të vazhdojnë ta çajnë rrugën e historisë me shpatë në dorë përdrejt “tokës së premtuar” neoliberale globaliste amerikane, ku, nuk sundon barazia e urryer komuniste, por parimi:  “Nuk ka shoqëri, ka vetëm individë” në garë me njëri tjetrin për fuqi dhe pasuri.  Imagjinata e këtij rrugëtimi u quajt “tranzicion”, i cili së bashku me mbërritjen e karvanit shqiptar në tokën e premtuar neoliberale, do të realizonte edhe zgjerimin shkallë shkallë të këtij modeli në krejt botën, si “fund i historisë”, njëlloj siç kishin premtuar socializmi sovjetik dhe ai kinez të ishin tranzicion drejt tokës së premtuar  komuniste si fund i historisë. Dhe s’kishte altarnativë ndaj kësaj ashtu siç nuk kishte pasur alternativë ndaj komunizmit.

Simbolet e reja në shesh

Gjithë sipas paradigmës të farkuar përgjatë gjysëm shekulli diktaturë edhe Sheshi qendror i Tiranës nuk mund të mos vazhdonte të luante rolin e skenës ku të gjallët vendosin simbolet e tyre duke shembur, ndryshuar apo minimizuar ata të të vdekurve. Në këtë aventurë në progres, nuk mund të mungonte korrigjimi neoliberal i narrativës nacional – komuniste. Shatërvani katërkëndësh komunist në mes të sheshit, që zëvendësoi rrethrrotullimin italian, u shkatërrua për t’i dhënë hapësirës pjerrësinë e një piramide të shtrirë maja e së cilës, që ngrihet disa metra nga baza midis Muzeut dhe Skënderbeut, u reklamua si pika kulmore e sheshit ku do të hipte individi qytetar i lirë e do të ndehej zot i qytetit. Por simbolet më përfaqësues do të ngriheshin më vonë. Ato janë kullat e larta, prona të të pasurve të rinj të vendit, që po ngrihen në katër anët e sheshit. “Papët kanë ngritur obelisqe. Këto kulla do të jenë obelisqet tona.” i thoshte një gazetareje amerikane ish kryetari i Bashkisë sot kryeministër i vendit, në një intervistë dhënë gjatë prezantimit të projektit të kullës së parë. Kësisoj sot prapa Kullës osmane të Sahatit kthyer në veneciane pa yll dhe me yll po ngrihet një kullë që e bën atë dhe minarenë e Xhamisë së Ethem Beut, pikat referimit të qytetit për 100 vjet, të duken si lodra fmijësh.  Krenaria e modernizmit komunist, ndërtesa 15 katëshe e Hotel Tiranës, ngritur në themelet e Kishës Ortodokse, duket tashmë si xhuxhe përpara kullës së re që pronari i hotelit ka ngritur ngjitur me të. Në krahun perëndimor të sheshit, ku pasi u prish Kafe Kursali i mbretërisë u vendos shtatorja e Diktatorit komunist po ngrihet një kullë tjetër e lartë me kube të vendosur në mënyrë të çrregullt njëri mbi tjetrin.

Procesi i rrethimit të sheshit me këto kulla, të cilat, më shumë se obelisqet e Papëve të kujtojnë kullat e garës së fuqisë dhe pasurisë midis familjeve të pasura italiane në Mesjetë, nuk ka mbaruar. Në fund të këtij procesi individi në majën e piramidës midis Muzeut dhe Skënderbeut do ta shikojë veten në një pus/ferr ndërtuar me kulla. Atë, sëbashku me vetë Skënderbeun, do ta bëjë të ndihet edhe më i vogël në fund të pusit një kullë që synon ta lidhë absurdin e këtij pusi me lavdinë nacionaliste të mozaikut. Në kohën e pandemisë së Covid 19 u prishën edhe ndërtesat e fundit të ndërtuara në kohën e mbretit Zog  në verilindje të sheshit për t’i hapur vend aty kësaj kulle gjigande 25-30 katëshe që do të ketë një formë të veçantë. Sipas arkitektit ajo do t’i shëmbëllejë kokës së Skënderbeut, por zërat e këqij nëper media thonë se koka gjigante do t’i shëmbëllejë asaj të kryeministrit që është protagonisti kryesor i ndërtimit të këtyre kullave. Në fakt ka kohë që propaganditët e tij e mburrin atë si vazhdues të traditës së Skënderbeut, që i dha lavdi në botë popullit shqitpar, ashtu siç kanë mburrur dikur mbretin Zog dhe diktatorin Enver Hoxha propagandisët e atyre kohëve.

Merimanga e droguar

Biologët që kanë studiuar rrjetën e merimangës, sipas modelit të së cilës është projektuar plani i parë urbanistik i Tiranës një shekull më parë, kanë arritur në përfundimin se ndërtimi i saj duke nisur nga qendra e duke u zgjeruar në atë formë ka racionalitetin e vet. Evolucioni i ka mësuar merimangës se mënyra më e shkurtër dhe më efikase për t’u ndërtuar rrjeta është pikërisht kjo. Për të arritur në këtë përfundim ata kanë bërë edhe një eksperiment. E kanë droguar merimangën dhe kanë ndjekur se çfarë ndodh me rrjetën e saj. Kanë vërejtur se ajo nuk e ka humbur instinktin për të ndërtuar rrjetën, që është mjeti i saj i mbijetesës, por, në vend të rrjetës racionale funksionale ka ndërtuar një rrjetë absurde, kaotike dhe jo funksionale.

Shqipëria pa yll, siç duket edhe nga shumë prej fotove të këtij bookleti të Hans Peter Yos, është në procesin e ndërtimit të kësaj rrjete merimange të droguar nga paraja dhe pushteti. Si karikaturë e modelit të botës që po imiton, kjo Shqipëri ngre një pyetje ekzistenciale që ngrihet sot në të gjithë botën: mos vallë njeriu i sotëm, i droguar nga etja për para dhe i kthyer prandaj vetëm në “mendje kalkuluese”, me arrogancën e tij për të dominuar natyrën, për ta përdorur atë thjesht si material pasurimi, po ndërton një rrjetë absurde merimange që nesër, në vend se mjet mbijetese, do të kthehet në vrasësen e tij?

*Fatos Lubonja një pasthënie/recensë e kompletit “Albania in between” me gjashtë albume me fotografi të bëra gjatë viteve 1991 -2021 në Shqipëri nga fotografi zviceran Hans Peter Yost



7 Comments

  1. Pikes i ke rene. Puna eshte kush do te te kuptoje ne injorancen e ridhjerjes?!

    nje shprehje e nje filmit koncert ne vitin 1936 , film i realizmit socialist por qe ka vlere si shprehje apo si thenie, “ketu lulet i hane gomeret”

    jo se je ti lule o fatos, por kush ka me te kuptu o lubonje!

    1. Mendoj se sa me shume te flitet per historine dhe artin duke mos e mitizuar, aq me shume familjarizohen te rinjte me mendimin kritik, ndryshe nga nostaligjiket e yllit.

  2. Ky ska lene cep ylli pa futur ne bythe, edhe spiuni me i ndyre i komunizmit, mire qe ishte spiun , por edhe bytheqire, ketij ja tregon Toria sa i madhe ka qene ne kete fushe

  3. Berisha sot është figura me e diskretituar e politikës. Unë nuk ka nevojë të them gjëra të tjera. Kjo situatë në PD është vepër e Berishës dhe disa njerëzve afër tij që i kanë shërbyer me inferioritetin më të madh, prandaj është në këtë gjendje.Gjithologu fatos i lumturon shpellkaret e salihut me keto shkrime,vete fatosi do hante mut sikur mos te hiqej Ylli,tani qe u hoq prap han mut por kete rradhe ja shperndan dhe shpellkareve cecen te salihut

  4. Çim Peka sulmon Blendi Fevziun: O idiot, çfarë i ke këto budallëqe që nxjerr nga goja?Qe ta kuptosh mire ti o ceceni i salih metaj i ores 00:30,ja mbajte dhe sot shishen e shurres salihut,bravo shpellkar keshtu te do Foltorja

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *