Sevilla-Roma mund të jetë ndeshja e fundit e Jose Mourinho në pankinën verdhekuqe. Trajneri portugez mori një tjetër karton të verdhë gjatë humbjes ndaj Fiorentinës. Një karton me peshë duke qenë se tekniku ishte i paralajmëruar. Rezultati përfundimtar është skualifikimi në ndeshjen e radhës në shtëpi ndaj Spezia.
Sezoni i verdhekuqve do të kalojë i gjithë përmes finales së Europa League në Budapest. Roma është jashtë garës për vendin e katërt dhe e vetmja mënyrë për të hyrë në Champions është fitimi i turneut kontinental. Përballë do të jetë Sevilla e ish-drejtorit sportiv Monchi dhe ish-futbollistit argjentinas Erik Lamela. Një ndeshje plot tension dhe adrenalinë, me të dyja klubet në kërkim të fitores dhe një kualifikimi europian. E kjo ndeshje mund të jetë e fundit e José Mourinho në pankinën e Romës. Ndaj Fiorentinës “dëshira” e tij për të marrë atë karton të verdhë nuk kaloi pa u vënë re. Protesta dhe qëndrime të përsëritura që në mënyrë të pashmangshme e shtynë arbitrin t’i tundte kartonin që vlente skualifikimin.
Në ambientin kryeqytetas, në krahun verdhekuq, ka ankth dhe shqetësim për të ardhmen e portugezit. Thashethemet që qarkullojnë së fundmi sugjerojnë se ka një lamtumirë të afërt në fund të sezonit. E kartoni i kërkuar e i marrë kundër Fiorentinës mund të jetë një sinjal. Në ndeshjen e fundit në shtëpi ndaj Spezia, trajneri do të mund të ulet vetëm në tribunë. Kohët e fundit kanë qenë të ndërlikuara me dëmtimet e shumta që kanë bërë që skuadra të bjerë në renditje. Pastaj disa fraza të tepërta edhe ndaj drejtorit Pinto dhe presidencës, pa harruar vizionet e ndryshme të mendimit. Tashmë objektivi i vetëm është fitorja e Europa League që mund t’i japë kuptim sezonit. E që, megjithatë, mund të mos ndryshojë fatin dhe të ardhmen e pankinës verdhekuqe. Mourinho duket drejt largimit përfundimtar nga qyteti i përjetshëm.