• |
ide | kryesore

Berisha: Kosovën po e destabilizon skenari i Vuçiç dhe Putin

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
berisha



Ndryshe nga komuniteti ndërkombëtar, ish-kryeministri Sali Berisha nuk e sheh fajin tek qeveria e Kosovës për atë që po ndodh në veri të vendit, por tek Beogradi. Përmes një postimi në Facebook, Berisha akuzon presidentin serb Aleksandër Vuçiç se në bashkëpunim me Kremlinin po kërkon destabilizimin e Kosovës. Sipas Berishës, në Kosovë janë dërguar banda kriminelësh nga Beogradi si dhe ato serbe lokale. Ai shprehet se ushtarët e KFOR janë sulmuar nga kriminelë me maska e mjete të forta.

“Serbomadhi Vuçiç në bashkëpunim me Kremlinin, kërkon destabilizimin e Kosovës. Të dashur miq, Presidenti i serbomadhisë ka angazhuar fallangat e tij kriminale të dërguara nga Beogradi dhe bandat serbe lokale, në veprime të dhunshme kundër ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve dhe policisë së Kosovës që po mbajnë rendin dhe sigurinë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Gjatë shpërndarjes së protestuesve serbë në këto komuna, ushtarët e KFOR-it janë sulmuar nga kriminelë me maska, me dhjetëra shok-bomba, mjete të forta dhe lëndë të tjera djegëse, shishe molotov, janë dëgjuar dhe të shtëna me armë.

Gazetarët e Radios “Evropa e Lirë” kanë njoftuar se janë parë disa ushtarë të plagosur të KFOR-it dhe një veturë e këtyre njësive duke u djegur nga mjetet shpërthyese që janë hedhur. Ndërkaq, gazetarët në Zveçan raportojnë se një pjesë e madhe e protestuesve serbë janë shpërndarë pas ndërhyrjes së KFOR-it.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë skenar të bashkrenduar të Beogradit me Kremlinin, sulmet kriminale të fallangave të gangsterëve serb kundër KFOR-it, ushtarëve të tij, gazetarëve dhe policisë së Kosovës” – shkroi Berisha në Facebook. ©LAPSI.al



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *