• |
ide | kryesore

Shqipëria, ndër vendet e rajonit, që paguan më pak prindin me leje lindjeje, ligji krijon pabarazi

Arkiva, Lajme, Të fundit



Pagesa e lejes së lindjes në Shqipëri mbetet ndër më të ulëtat në rajon, duke u renditur pas Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, ku prindi me leje lindjeje paguhet sa paga e plotë neto. Ekspertët sugjerojnë amendimin e ligjit, në mënyrë që prindërit të përfitojnë pagesë të barasvlershme me vlerën e pagës se plotë gjatë lejes së lindjes. Ata sqarojnë se, një pagesë e ulët përkeqëson situatën në familje dhe krijon pabarazi.

 Klaudja Karabolli

Vjola H. tregon se, pasi solli në jetë djalin e saj, u kthye menjëherë në punë, pasi të ardhurat nuk i mjaftonin.

”Kur familja jonë u zgjerua, edhe kostot po ashtu u shtuan. Pasi linda djalin, m`u desh të kthehesha menjëherë në kompaninë, ku punoja si ekonomiste. Kur nisa lejen e lindjes, paguhesha sa 80% e pagës neto; e pamjaftueshme. Nëse do të paguhej leja e lindjes më shumë, patjetër që do të zgjidhja të qëndroja pranë djalit tim, të përkujdesesha për të”, – tregon 35-vjeçarja, e cila sqaron se kështu kanë vepruar edhe koleget e saj, të gjendura në të njëjtën situatë.

Prej tetë vitesh pagesa e lejes së lindjes në Shqipëri, ndryshe nga shumica e vendeve të rajonit, llogaritet mbi pagën neto dhe jo mbi pagën bruto, duke bërë që kjo pagesë të jetë automatikisht më e ulët, teksa paga neto është paga, pasi janë hequr taksat.

E analizuar në aspektin social, aktual, ku ka një lëvizje masive të të rinjve jashtë vendit dhe një rënie të lindshmërisë, rritja e pagesave të lejes së lindjes, përveç efekteve ekonomike, sipas ekspertëve, mund të konsiderohet edhe si një stimul për nxitjen e lindshmërisë.

Ja si paguhet më pak një prind me leje lindjeje

Sipas ligjit, për të përfituar leje lindjeje, gruaja duhet të ketë punuar e siguruar, në vendin tonë, 12 muaj kalendarikë me ose pa ndërprerje në një ose disa qendra pune. Gjatë shtatzënësisë duhet të ketë punuar të paktën një javë.

Të drejtën për leje kujdesi ndaj fëmijës e ka edhe babai ose birësuesi i siguruar, nëse këtë të drejtë nuk e ushtron apo nuk ka kushte për ta përfituar nëna.

Ligji për Sigurimet Shoqërore saktëson se prindi me leje lindjeje do të paguhet sa 80% e pagës neto për gjashtë muajt e parë të lejes dhe sa 50% e pagës neto për gjashtë muajt e dytë të lejes.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore
Foto nga Klaudja Karabolli

Përpara se të ndryshonte Ligji i Sigurimeve Shoqërore në vitin 2014, një prindi i paguhej më shumë leja e lindjes; kjo pasi me ligjin e mëparshëm leja e lindjes llogaritej mbi pagën bruto, që është më e lartë se ajo neto.

Konkretisht, nëse marrim në konsideratë pagën minimale (34.000 lekë) para ndryshimit të ligjit, prindi me pagë të deklaruar 34.000 lekë, përfitonte 80% të pagës bruto, pra konkretisht 27.200 lekë për 6-mujorin e parë dhe 50% të pagës bruto, pra 17.000 lekë në muaj për 6-mujorin e dytë, ndërsa pas ndryshimit të ligjit i njëjti prind me të njëjtën pagë prej 34 mijë lekësh përfton 80% të pagës neto, pra afërsisht 24.000 lekë për 6-muajt e parë të paslindjes dhe 15.000 lekë për 6-mujorin e dytë pas lindjes. Pra, prindi merr 3.200 lekë në muaj më pak në 6-mujorin e parë dhe 2.000 lekë në muaj më pak në 6-mujorin e dytë.

Ndërkohë, për pagën maksimale prej 150 mijë lekësh, një prind përfiton 94 mijë lekë me ligjin e ndryshuar në vitin 2014, aktualisht në fuqi. Ndërkohë, nëse përllogaritja do të bëhej mbi bazën e pagës bruto, atëherë një prind do të përfitonte 120 mijë lekë.

Pra, ndryshimi i konceptit të bazës, me të cilën bëhet përllogaritja e pagesës së lejes së lindjes, bën që një prind me pagë 150 mijë lekë të marrë 26 mijë lekë më pak me ligjin aktual në fuqi.

Duke qenë se informaliteti i lartë është një tjetër faktor, që ndikon në uljen e vlerës së pagesës për lejet e lindjeve të prindërve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore në faqen zyrtare iu bën apel qytetarëve që të shmangin marrjen e pagës së padeklaruar.

“Kërkoni që kontributet e sigurimeve shoqërore t’iu paguhen mbi pagën reale, me të cilën paguheni! Nëse ua ofrojnë, mos pranoni zarfe page në dorë nga punëdhënësit tuaj! Kjo, jo vetëm është shkelje që dënohet nga ligjet shqiptare, por ndikon direkt në uljen e përfitimeve, që vijnë nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore.”

E pavarësisht thirrjes, mungon një mekanizëm për ta zgjidhur këtë situatë në terma afatgjatë.

Fondi i pagesës së lejeve të lindjeve, në rritje, lindjet, në rënie

Pavarësisht së leja e lindjes paguhet më pak dhe lindshmëria në Shqipëri ka rënë (sipas të dhënave të siguruara nga INSTAT), fondi që shkon nga sigurimet shoqërore për pagesat e lejeve të lindjeve është rritur ndjeshëm nga viti në vit.

Open Data Albania ka bërë një raport mes totalit të vlerës së lejeve të lindjeve, me totalin e numrit të lindjeve në një vit të caktuar, ku pagesa mesatare e barrë-lindjes ndër vite rezulton me një trend rritës.

Të dhënat e Open Data Albania
Grafiku nga Klaudja Karabolli

Për vitin 2020 pagesa mesatare për çdo lindje është 138.878 lekë apo 10.1% më shumë krahasuar me një vit më parë. Open Data Albania analizon se faktorët, që kanë ndikuar në rritjen e pagesës mesatare, janë rënia e numrit të lindjeve, rritja e pagës mesatare për femrat, rritja e shkallës së pjesëmarrjes së femrave në forcën e punës, si dhe rritja e shkallës së punësimit të femrave ndër vite.

Pra, edhe pse fondi i lejeve të lindjeve ka trend rritës çdo vit, kjo nuk reflekton pagesë më të lartë për personat përfitues të lejes së lindjes.

Kjo vërtetohet edhe nga të dhënat që kemi siguruar nga Instituti i Statistikave, ku rezulton se numri i lindjeve të reja në Shqipëri ka trend rënës. Konkretisht, në vitin 2021 janë 3.658 lindje të reja me pak se në vitin 2017.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave
Grafiku nga Klaudja Karabolli

Ekspertja Morena Boja shkon më tej dhe beson se një përmirësim i ligjit për pagesën e lejes së lindjes mund të ndikojë pozitivisht te shtimi i popullsisë së re.

“Rritja e pagesave të lejes së lindjes, përveç efekteve ekonomike, mund të konsiderohet dhe si një stimul për nxitjen e lindshmërisë në vend. Jetojmë në kohë sfiduese, prandaj Ligji i Sigurimeve Shoqërore duhet të rishikohet dhe të përmirësohet në vazhdim”, – shprehet ekspertja për INA MEDIA-n.

Ligji i Sigurimeve Shoqërore krijon pabarazi

Ekspertë të tjerë deklarojnë se ndryshimi i Ligjit për Sigurimet Shoqërore është urgjent, për të shkuar në nivelin e pagesës së lejes së lindjes në nivelin 100% të pagës bruto. Ylber Gjeta, ekspert punësimi, thotë se minimalisht duhet të jemi në nivelet e rajonit.

“Në Shqipëri informaliteti është i lartë, prandaj minimalisht duhet të llogaritet barrë-lindja mbi pagën bruto të punonjësit. Ndërhyrja në ligj është urgjente, që një prind në vendin tonë të paguhet gjatë lejes së lindjes, sa një prind në Maqedoninë e Veriut. Madje, ligji duhet të llogarisë si bazë për lejen e lindjes edhe pagat mbi 150 mijë lekë, të cilat për momentin nuk iu njihen punonjësve”, – shprehet Gjeta.

Prind i fotografuar në Tiranë, prill 2023
Foto nga Klaudja Karabolli

Aktivistja Rezearta Çaushaj deklaron se, prindërve në Shqipëri iu taksohen edhe taksat, në momentin që shteti duhet t’i kthejë individit mbrapsht për një periudhë kohe taksat, që ka derdhur gjatë kohës që ka punuar.

“Ky ligj duhet të ndryshojë patjetër, sepse është arbitrar, por sidomos sepse ai gjymton një pagesë, që është në shumicën e rasteve minimale; kjo sepse, siç edhe u vërtetua nga rrjedhjet e viteve të shkuara të pagave në kryeqytet, shumica e punëdhënësve deklarojnë në Tatime një pagë minimale dhe llogaritja e masës së lejes së lindjes bëhet mbi këtë pagë minimale, së cilës pastaj i zbriten taksat”, – shprehet aktivistja.

Më tej Çaushaj deklaron se ky ligj po dëmton më shumë gratë, të cilat bien nën varësinë financiare të bashkëshortit, duke thelluar hendekun e pabarazisë gjinore.

Sakaq, shifrat e siguruara nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore faktojnë se, pavarësisht se të drejtën e lejes së lindjes në Shqipëri e kanë të dy prindërit, shumica që e merr këtë leje janë gratë.

Të dhënat e ISSH
Grafiku Klaudja Karabolli

Nga ana tjetër, ekspertja Morena Boja deklaron se duhen parë me kujdes efektet që mund të ketë ndryshimi i ligjit te fondi i Sigurimeve Shoqërore.

“Përpara se të bëhen ndryshime në ligj, ka nevojë vetë sistemi i Sigurimeve Shoqërore për konsolidim. Pagesat e lejes së lindjes bëhen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe, nëse do të ndryshojmë ligjin, duhen parë efektet e këtij ndryshimi në buxhetin e ISSH. Po ashtu, duhet parë, nëse duhet ndryshuar organizimi i Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore”, – shprehet Boja.

Ligji arbitrar rëndon gratë

Nga të dhënat e marra nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, rezulton se për vitin 2021 janë marrë 18.139 leje lindjeje nga gratë dhe 769 nga burrat, ndërkohë lindjet për këtë vit janë 27.211, pra nga përllogaritjet rezulton se 8.303 familje vetëm për vitin 2021 nuk kanë përfituar nga leja e lindjes.

Shkak për këtë raport negativ mund të jetë paga e padeklaruar, paga mbi nivelin 150 mijë lekë, qytetarët e larguar jashtë vendit etj.

Në të njëjtën linjë është edhe aktivistja Rezearta Çaushaj, e cila thotë se ligji për pagesën e lejes së lindjes rëndon më së shumti kushtet e grave.

“Efekti i këtij ligji është që prindi, gratë në shumicën absolute, ose lëngon ekonomikisht, ose detyrohet të rikthehet në punë, duke iu mohuar mundësia që ta manovrojë më me lehtësi periudhën e vështirë të paslindjes”, – shprehet aktivistja.

Më tej Çaushaj shprehet se amendimi i ligjit, duke iu dhënë mundësi grave të përfitojnë pagën e pataksuar, është lëvizja e duhur, e kombinuar me përmirësimin e shërbimeve të kujdesit ndaj fëmijëve.

Duke vlerësuar këto qëndrime, ne pyetëm Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, nëse ka propozim për ndryshime në Ligjin e Sigurimeve Shoqërore për sa i përket pagesës së barrë-lindjes. Nga komunikimi institucioni konfirmon se nuk ka propozime për amendime.

Shqipëria, ndër vendet e fundit në rajon

Vendet e rajonit, si Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, e kanë masën e përfitimit nga leja e lindjes sa 100% e pagës bruto. Serbia është vendi me kushtet më të mira për mirërritjen e të sapolindurve, pasi masa e përfitimit të lejes së lindjes është 106% e pagës, sipas një përllogaritjeje të bërë nga Open Data.

Në nivele të ulëta për rajonin qëndrojnë Bosnja dhe Kosova, me një mesatare prej 60%.

Eksperti i ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, Abil Baush, sqaron se punonjësi, që shfrytëzon pushimin për shkak të shtatzënisë, lindjes dhe prindërimit, lejen për përkujdesje dhe për mbrojtje të fëmijës, ka të drejtën e kompensimit të pagës së plotë.

“Në Maqedoninë e Veriut masa e kompensimit të pagës gjatë mungesës për shkak të shtatzënisë, lindjes dhe lehonisë është 100% e kompensimit të pagës bazë. Mjetet për kompensimin e pushimit të lehonisë sigurohen nga buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, – thotë eksperti.

Mbrojtja e familjes është një nga premtimet kryesore të partive politike, por, nëse do t`iu referohemi programeve të tyre politike, nuk flitet për një plan konkret për përmirësimin e Ligjit të Sigurimeve Shoqërore, që prek drejtpërdrejt cilësinë e jetesës së qytetarëve, të cilët gjatë gjithë jetës kontribuojnë nëpërmjet taksave.

Ky artikull është botuar pranë “Investigative Network Albania”



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *