• |
ide | kryesore

Dhoma e Përfaqësuesve miraton ligjin për rritjen e tavanit të borxhit

Arkiva, Planet

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të mërkurën në mbrëmje ligjin për rritjen e tavanit të borxhit federal, të bazuar në marrëveshjen mes Presidentit Biden dhe Kryetarit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy. Ligji, i cili u miratua me 314 vota pro dhe 117 kundër, tani duhet të miratohet nga Senati para se të marrë nënshkrimin e Presidentit Biden.


Presidenti Joe Biden dhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy u angazhuan me intensitet të lartë për të siguruar mbështetje për miratimin e ligjit për rritjen e tavanit të borxhit, që përfshin edhe shkurtimet buxhetore të kërkuara nga republikanët.


Sekretarja e Thesarit Janet Yellen paralajmëroi javën e kaluar se Kongresi duhet të rrisë kufirin e borxhit deri më 5 qershor, ose përndryshe qeveria nuk do të jetë në gjendje të përmbushë detyrimet e saj financiare. Ajo tha se edhe pritja deri në minutën e fundit mund të dëmtojë seriozisht besimin e biznesit dhe të konsumatorëve dhe të ndikojë negativisht në vlerësimin e kreditit të vendit. Ligji përfshin heqjen e kufirit ekzistues të huamarrjes deri në janar të vitit 2025 dhe një marrëveshje buxhetore dyvjeçare, që i mban shpenzimet federale të pandryshuara në vitin 2024 dhe i rrit ato me 1% në vitin 2025.

Pjesë të tjera përfshijnë një pakësim të numrit të agjentëve të rinj që do të punësojë agjencia e grumbullimit të taksave, një kërkesë që shtetet të kthejnë 30 miliardë dollarë ndihma të pashpenzuara të marra për pandeminë e koronavirusit nga qeveria federale dhe rritjen nga 50 në 54 vjeç, për grupmoshat që duhet të punojnë, që të kualifikohen për ndihma ushqimore.

 

Udhëheqësit e Senatit kanë paralajmëruar se do ta marrin për shqyrtim ligjin e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve për rritjen e tavanit të borxhit të premten./VOA



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *