• |
ide | kryesore

Në ditën e pestë të protestave të dhunshme të serbëve, çfarë po ndodh në Veriun e Kosovës

Lajme, Të fundit



Sot (e enjte), serbët lokalë në veri të Kosovë do të vazhdojnë protestën e tyre për të pestën ditë më radhë.

Protestat po mbahen në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Kërkesat e tyre janë që këta kryetarë, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, të tërhiqen nga komunat me shumicë serbe, ashtu si edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës.

Gjatë një adresimi më 31 maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i refuzoi ato, por la të hapur mundësinë për zgjedhje të reja lokale.

Policia e Kosovës dje njoftoi se protesta ishte e qetë fillimisht por në orët e pasdites në intervale të ndryshme kohore disa persona të dyshuar kanë hedhur gurë në drejtim të tri automjeteve të Policisë së Kosovës, ku dy prej tyre iu janë shkaktuar dëme materiale duke iu thyer xhamat. Si pasojë e sulmeve nga mjetet e forta një zyrtar policorë ka pësuar lëndime.

“Po ashtu gjatë protestës së realizuar sot, disa media/gazetarë janë penguar e sulmuar, si dhe automjetet e tyre ishin vandalizuar nga individ/grupe kriminale. Pengimi i gazetarëve në detyrë cenon të drejtën e shprehjes, informimit dhe lirinë e shtypit”, njoftoi policia.

Serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndodhet në Kishinau të Moldavisë, ku sot zhvillon punimet Komuniteti Politik Evropian.

Është paralajmëruar se udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera do të diskutojn sot në Kishinau për një varg çështjesh, mes tyre edhe tensionet në veri të Kosovës.

Osmani i është bashkuar 46 krerëve të tjerë të shteteve të kontinentit evropian, si dhe krerëve të institucioneve të BE-së, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pritet të takojë atje presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Një ditë më herët, Borrell takoi në Bratisllavë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një postim në Tëitter pas takimit, Borrell tha se situata në veri të Kosovës është “e rrezikshme dhe e paqëndrueshme”.

Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuçia, ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ku ka theksuar se po të mos ndërhynte KFOR-i “tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”.

Ristuçia shtoi se në Zveçan ka pasur njerëz që me qëllim kanë nxitur turmën e banorëve serbë.

“Në sheshin në Zveçan ka pasur profesionistë të protestës të cilët me dashje kanë nxitur turmën”, ka thënë ai për gazetën italiane “La Repubblica”.

Ai foli edhe për ushtarët e KFOR-it që pësuan lëndime gjatë konfrontimit me protestuesit e dhunshëm.

“Siç e dini, tridhjetë ushtarë të KFOR-it, 19 hungarezë dhe 11 italianë, pësuan një sulm frikacak gueril urban të hënën më 29 maj. Jam shumë pranë tyre dhe familjeve të tyre. Nëntë nga italianët janë në strukturën spitalore të bazës Camp Villaggio Italia, një është i shtruar në një strukturë në Prishtinë dhe një tjetër në Shkup. Mund të them se asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën, do të shërohen shpejt”, ka thënë ai.

Ai është pyetur edhe për mercenarët rus, pjesëtarët e Brigadës Wagner, për të cilët u tha se janë nisur për në Kosovë.

Komandanti i KFOR-it bëri të ditur se deri më tani nuk ka asnjë dëshmi për praninë e tyre në këtë zonë.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *