• |
ide | kryesore

Video/ Egnatia fiton Kupën për herë të parë në histori: Tirana me 10 lojtarë dorëzohet në minutën e 114′

-Instant, F1, Sport, Video
Egnatia



Egnatia merr një triumf të jashtëzakonshëm, duke bërë bingo në finalen e parë të luajtur në Kupën e Shqipërisë e duke fituar edhe trofeun e parë në historinë e klubit. Problemet ishin shumë më të forta se mund të përballonte Tirana: sikur të mos mjaftonin vetëm 11 lojtarë nga ekipi i parë në dispozicion, bardheblutë luajtën me 10 lojtarë nga minuta e 25′ kur Berisha u ndëshkua me karton të kuq. Skuadra e Shehit rezistoi deri në minutën e 114′ kur Jorgji akordoi një penallti në favor të rrogozhinasve. Jackson pa goditjen e tij të bllokohej nga Lika, por në topin e rikthyer nuk gaboi, duke nisur festën e Egnatias në Elbasan Arena.

Pa 6 lojtarë të skualifikuar tre të dëmtur e me tifozerinë të dënuar e jashtë Elbasan Arena, Tirana luajti gjithcka që mund të luhej në 90 minutat e rregullta plus 30 shtesë. Egnatia kishte përgatitur prej kohësh këtë ndeshje dhe në fund morën suksesin e parë ndaj Tiranës pas katër humbjesh radhazi në kampionat. Rrogozhinasit e patën më të lehtë, sepse ndeshja u ndikua nga kartoni i kuq i Berishës që la Tiranën me 10 lojtarë. Kjo ndryshoi sjelljen e kryeqytetasve që po sulmonin në minuta e parë. Skuadra e Egnatias u përpoq më shumë të gjenin golin, por nuk ia doli në kohën e rregullt, ndonjëherë edhe e pafat si në shtyllën e goditur apo në anulimin e golit të Dwamena për pozicion jashtë loje.

Në shtesë Shehi e mbylli skuadrën në kërkim të penalltive, me një veteran si Lika që nga pika e bardhë e ka treguar shpesh herë veten. Por kur dukej e pashmangshme llotaria e penalltive, Hila bëri një ndërhyrje të gabuar ndaj Paulauskas, duke bërë Jorgjin të sinjalizonte 11 metërshin. Jackson gaboi në tentativën e tij përballë Likës, por topi iu rikthye në këmbë dhe për herë të dytë braziliani nuk gaboi. Ky gol vulosi fatin e takimit dhe nisi festën. Egnatia nga sot është në librin e artë të kompeticionit.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *