• |
ide | kryesore

Zyrtare, Shehi rinovon me Tiranën: “Edhe një vit bardheblu si revansh për atë që na privuan”

-Instant, F1, Sport
shehi



Tashmë është zyrtare, Orges Shehi është trajneri i Tiranës edhe për sezonin e ardhshëm. Në 2023-24 tekniku dhe bardheblutë do të kërkojnë të kthejnë titullin në shtëpi. Nuk ishte një negociatë e lehtë dhe takimi blitz (sapo përfundoi) mes Shehit dhe presidentit Refik Halili zgjidhi gjithçka. Për Lapsi.al Shehi konfirmoi lajmin, duke u shprehur: “Për gjithçka ndodhi këtë sezon, ndjeja një lloj detyrimi për të mos i kthyer shpinën Tiranës. Me edhe një vit bardheblu, do të kemi mundësinë e revanshit për atë që na privuan këtë vit”.

Në fakt, sezoni u mbyll ashtu si Orges Shehi nuk e kishte menduar edhe në makthet e tij. Tripleta u sfumua nga një titull i humbur dy javët e fundit e një finale e Kupës së Shqipërisë e luajtur nga mesi i pjesës së parë me 10 lojtarë. E megjithatë, të gjithë e kanë të qartë se tekniku nuk mund të bënte më shumë në pozitat në të cilat u gjend, përfshirë edhe vetë Tiranën, që avancoi propozimin për rinovimin e kontratës. Një lëvizje e vonuar, por e pritshme, me teknikun të lirë e pa kontratë nga 31 maji.

Në tavolinën e Shehit ishin katër oferta mbi të cilën ai duhet të reflektonte. Përvec bardhebluve, me të cilët e lidhin mbi 100 pankina dhe ndjesia e revanshit pas ngjarjeve fatkeqe, ishin edhe propozimet e Shkëndijës së Tetovës, Vllaznisë e Dinamos. Shehi sigurisht që i ka kërkuar garancira dhe ka vënë kushte për klubin e famshëm të Maqedonisë së Veriut. Përmirësimi financiar që Shehi i kërkoi presidentit të klubit tetovar dhe një skuadër të aftë të konkuronte menjëherë për titullin kampion, ishte një pengesë që Shkëndija nuk e përballoi dot.

Në anën tjetër Tirana kishte barazuar ofertën e parë të maqedonasve dhe në këtë pikë, Shehi zgjodhi me zemër. Pas kësaj lëvizje të Shehit, edhe Vllaznia mund të përqendrohet totalisht te Edi Martini, që është pista më e kuotuar shqiptare. Kuqeblutë nuk kanë një trajner në krye të skuadrës dhe duan të nisin sa më shpejt përgatitjet për të debutuar në Conference League me impaktin e duhur.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *