• |
ide | kryesore

Turp i madh në stadiumin e Ajaccio, sulmohet një fëmijë i sëmurë me kancer: Kenzo mbante fanellën e Marseille

-Instant, Sport
Kenzo



Mbrëmjen e djeshme është shkruar një nga faqet më të shëmtuara të futbollit francez dhe të futbollit botëror në përgjithësi. Gjatë ndeshjes Ajaccio-OM, një ndeshje vlera e së cilës ishte e barabartë me zero, duke pasur parasysh vendosjet tashmë të konsoliduara të dy skuadrave, një djalë 8-vjeçar i quajtur Kenzo u sulmua së bashku me familjen e tij nga disa mbështetës të vendasve. Faji i tij? Ishte tifoz i OM dhe mbante veshur fanellën e tyre. Fëmija, si për ta përkeqësuar ngjarjen, është i sëmurë me kancer.

E turpshme, rrëqethëse, e neveritshme. Nuk ka epitete të tjerë për të përshkruar atë që ndodhi në tribunat e stadiumit François Coty të Ajaccio. Klubi nga Korsika kishte vendosur të mirëpriste edhe anëtarët e një shoqate bamirësie për ndeshjen e fundit të Ligue 1. Pjesë e kësaj shoqate është edhe Kenzo i vogël, i sëmurë me kancer dhe tifoz i Olympique Marseille. E kështu, fakti që 8-vjeçari dhe familja e tij kishin veshur fanellën e Marseille, çoi në sulmin e disa pseudo-tifozëve të vendasve.

AGRESIONI NDAJ TË VOGLIT KENZO

Ajaccio shpjegoi incidentin e turpshëm me një deklaratë: “Më 25 prill ne patëm kënaqësinë të presim shoqatën ‘Des coccinelles rouges pour Thomas’ në stadiumin François-Coty. Mes fëmijëve të kësaj shoqate ishte edhe Kenzo i vogël, i sëmurë me kancer. Ai kishte shprehur ëndrrën e tij për të takuar lojtarët e Marseille, klubin e qytetit të tij dhe zemrës së tij. Kështu Kenzo dhe familja e tij u ftuan në stadium me iniciativën e Rotary Club dhe presidentit të Air Corsica, në mënyrë që fëmija të realizonte një ëndërr”.

“Një ëndërr që u kthye shpejt në një makth kur Kenzo dhe prindërit e tij, të cilët mbanin ngjyrat e Olympique, u sulmuan në mënyrë të turpshme nga disa njerëz. Ndërhyrja e sigurisë ka qenë e menjëhershme dhe ka shpëtuar menjëherë Kenzo dhe familjen e tij, duke i shoqëruar më pas në dhomat e zhveshjes për të mundësuar që fëmija të realizonte ëndrrën e tij”.

DËNIMI I ASHPËR I AJACCIO

Ajaccio padyshim që e dënoi në mënyrë shumë të ashpër episodin e turpshëm, siç thuhet në vazhdimin e njoftimit për shtyp: “Këta njerëz nuk përfaqësojnë në asnjë mënyrë vlerat e klubit tonë dhe të ishullit tonë. As marrëzia më ekstreme nuk mund t’i justifikojë këto sjellje! Klubi dënon ashpër këto akte të papërshkrueshme. AC Ajaccio do të hedhë dritë mbi këto veprime të turpshme. Ne do t’i raportojmë këta njerëz. AC Ajaccio është në solidaritet me të voglin Kenzo dhe prindërit e tij”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *