• |
ide | kryesore

Guardiola paralajmëron Inter: “Për të qenë një klub i madh City duhet të fitojë Champions”

-Instant, Sport
Guardiola



“Shumë klube kanë shkatërruar projekte dhe ide sepse nuk kanë arritur ta fitojnë këtë kompeticion. E shumë janë bërë klube të mëdha sepse ia kanë dalë. Edhe pse nuk mendoj kështu, e kuptoj që gjithçka kemi bërë gjatë gjithë këtyre viteve, që ka qenë e shkëlqyer, do të ketë kuptim për të tjerët vetëm nëse fitojmë. Nëse nuk fitojmë, gjërat do të duken se kanë ‘më pak kuptim’. Është pak e padrejtë, por ne duhet ta pranojmë këtë”. Me këto fjalë, për faqen e UEFA-s, Pep Guardiola, trajneri i Manchester City, shkon drejt finales së Champions League kundër Inter.

“Duhet të pranojmë se, nëse duam të bëjmë një hap përfundimtar dhe të jemi një klub i madh, duhet të fitojmë në Evropë. Ne duhet të fitojmë Champions League – shtoi Guardiola -. Nuk mund ta shmangim, por gjëja e rëndësishme është të jemi aty. Dy vjet më parë ishim, tani pas dy vitesh jemi kthyer. Do të përpiqemi përsëri dhe gjëja më e rëndësishme është të kthehemi këtu pas disa vitesh. Kjo është ajo që të bën një klub të madh. Vit pas viti të arrish në fazat e fundit të Champions dhe ndoshta të fitosh edhe titullin”.

“Në sport dështimi nuk ekziston. Të pranosh që ke dështuar është si të thuash se kundërshtari yt është i pavlerë. A nuk mund të jetë se ka luajtur më mirë? Thjesht duhet të provosh, sporti është i tillë. Provo përsëri dhe ngrihu – tha trajneri spanjoll -. Kur fiton, duhet të festosh siç duhet dhe privatisht. Kur humbet, mund të qash pak dhe të kthehesh të nesërmen. Sporti është kështu: nëse provon, nuk dështon”.

FINALJA E STAMBOLLIT

Guardiola më pas tha: “Ne do të shkojmë në Stamboll për të bërë realitet një ëndërr. E do të përpiqemi të luajmë një ndeshje të mirë. Ne patëm mundësinë dy vjet më parë dhe nuk ia dolëm. Ndërsa vitin e kaluar për fare pak e humbëm. “Këtë vit kemi ardhur dhe do të përpiqemi të japim më të mirën. Ne do t’i qasemi kësaj ndeshje si gjithmonë bëjmë në Premier League. Do të sigurojmë që lojtarët të jenë të fokusuar në atë që duhet të bëjnë, asgjë tjetër – vazhdoi ai -. Si menaxher, kam arritur në 10 gjysmëfinale, kam luajtur në tre finale, kam fituar dy dhe tani jam në finalen time të katërt. Kompeticioni më ka dhënë më shumë seç mund ta imagjinoja ndonjëherë”.

Lexo më tej: “Sekreti” që mësoi Lukaku para finales me City: “Heronjtë e tripletës na treguan diçka”

“Nëse jeta ime do të përfundonte sot, do të kisha fituar një si lojtar në klubin që e dua shumë dhe dy si trajner. Futbolli jep dhe heq. Jeta është plot padrejtësi, por gjithçka që është e padrejtë për mua është e drejtë për Atletico Madrid, për Real Madrid e gjithashtu për Barcelonën. Kjo është mënyra se si funksionon bota. Ne gjithmonë duam më shumë dhe është e gabuar. Duhet të jesh ambicioz, por jo i pangopur – përfundoi spanjolli –. Ky turne më ka dhuruar momente shumë të trishtuara që më kanë lënduar, të cilat do të mbeten përgjithmonë në mendjen time. Por edhe momente të bukura që do të mbeten përgjithmonë me mua. Kështu funksionon jeta dhe sporti gjithashtu”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *