• |
ide | kryesore

Euro dhe Paundi në minimumin historik, Dollari prek vlerën më të ulët në 12 vjet

Arkiva, Lajme, Të fundit



Leku po fiton pozita gjithnjë e më të forta në kursin e këmbimit kundrejt valutave kryesore.

Përveçse është forcuar më shumë se kurrë më parë kundrejt Euros, monedha vendase po forcohet ndjeshëm edhe kundër Dollarit Amerikan.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan u këmbye sot me 99.99 lekë, duke rënë poshtë kufirit të 100 lekëve për herë të parë në pothuajse 12 vjet. Hera e fundit që monedha amerikane pati rënë poshtë këtij kufiri kishte qenë shtatori i vitit 2011.

Në rënie të ndjeshme paraqitet edhe Paundi Britanik, që sot u këmbye me 124.32 lekë, niveli më i ulët historik në kursin e këmbimit me Lekun (të paktën prej vitit 2004, kur nis seria e të dhënave historike të Bankës së Shqipërisë).

Ekspertët shpjegojnë se kursi i Dollarit Amerikan dhe valutave të tjera në raport me lekun është i lidhur ngushtë me kursin e Euros, që ngelet pikë referimi për agjentët valutorë në Shqipëri, sepse është monedha e huaj më e lehtë për t’u tregtuar në tregun e brendshëm.

Fakti që Euro vlen më pak se kurrë kundrejt Lekut mund të shpjegojë edhe nënçmimin e fortë të Dollarit dhe Paundit ndaj monedhës sonë, e gërshetuar pjesërisht edhe me zhvillimet në tregjet valutore botërore, ku Euro në muajt e fundit ka një tendencë mbiçmuese, veçanërisht ndaj Dollarit Amerikan.

Rënia e Euros, Dollarit dhe Paundit po e bën lekun gjithnjë e më të fortë ndaj monedhave të partnerëve kryesorë tregtarë. Këto zhvillime kanë tendencë t’i bëjnë më të lira importet e mallrave nga jashtë dhe të zbusin presionet e jashtme inflacioniste në ekonomi. Euro është monedha dominuese në këmbimet tregtare, por edhe Dollari Amerikan ka një rol të rëndësishëm, sidomos në tregjet e lëndëve të para dhe të karburanteve.

Por, njëlloj siç po ndodh me Euron, forcimi i lekut po ndikon negativisht segmentin e eksporteve në Dollarë Amerikanë, veçanërisht në sektorë si nafta apo bimët medicinale. Në këtë mënyrë, Leku i fortë po bëhet një kërcënim për konkurrueshmërinë e eksporteve shqiptare të mallrave, por edhe të shërbimeve, përfshirë këtu ato turistike.

Në rastin e kursit me Paundin, efektet mund të jenë veçanërisht të rëndësishme te remitancat. Vlerësohet se remitancat nga shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe kanë ardhur në rritje gjatë viteve të fundit dhe zhvlerësimi i Paundit ndaj Lekut dëmton familjet pritëse të këtyre dërgesave.

Ndërkohë, Euro vazhdoi edhe sot rënien në kursin e këmbimit me Lekun. Monedha europiane u këmbye mesatarisht me 106.95 lekë, duke rënë për herë të parë poshtë kufirit të 107 lekëve dhe duke shënuar, për të tetën ditë radhazi, një minimum të ri historik.

Rënia vjetore e kursit Euro-Lek ka arritur gjithashtu një ritëm rekord prej 10.8%. Agjentët e këmbimit e shpjegojnë rënien e Euros me ofertën shumë të lartë të monedhës europiane, ndërsa paralelisht oferta e Lekut shfaq një tendencë shtrënguese, si rezultat i kursit të politikës monetare dhe asaj fiskale.

Emetimi i një Eurobondi prej 600 milionë eurosh ditën e djeshme nga qeveria shqiptare potencialisht mund të rrisë më tej ofertën valutore në ekonominë shqiptare në vazhdim gjatë këtij viti, duke theksuar më shumë tendencën mbiçmuese të Lekut./Monitor



6 Comments

  1. Pra fale punes se qeverise jo vetem qe po rriten rrogat, por Leku po forcohet dita dites.

    Kjo per nje qytetar te thjeshte perkthehet ne cmime me te lira per produktet dhe sherbimet e importuara, por gjithashtu ne gjithmone e me shume mundesi per udhetime jashte vendit!

    Ajo qe deri dje ishte luks vetem per disa, sot eshte nje mundesi e prekshme nga gjithkush.

      1. Ta shpjegoj une. Eshte shume e thjeshte.

        Ne kohen e Berishes rroga minimale ishte 210K Leke dhe Euro 1.4K Leke

        210/1.4=150Euro

        Sot rroga minimale eshte 400K (Leke) dhe Euro pothuajse 1K Leke

        400/1=400Euro

        400/150=2.7

        Dmth sot ne kohen e Edi Rames nje shqiptar paguhet me page minimale ne Euro (konvertuar nga Leke): 2.7 here ose 270% me shume se sa ne kohen e Berishes.

        Pa marre parasysh ketu qe paga minimale mund te rritet akoma me shume kete vit dhe Euro mund te preki nivele akoma me te uleta, psh. 800 Leke.

  2. ejjj po na cate karin duke thene qe po bie euro se po hidhen lek ne fushate….tani ca karin do shpikni???
    Kaq te veshtire e keni qe ka kaq shume te huaj neper rruget e Shqiperise e qe sjellin euro?? Apo ua ka zene syte Rama dhe e keni te veshtire te shikoni te huajt

  3. “forcimi i lekut po ndikon negativisht segmentin e eksporteve në Dollarë Amerikanë, veçanërisht në sektorë si nafta apo bimët medicinale. Në këtë mënyrë, Leku i fortë po bëhet një kërcënim për konkurrueshmërinë e eksporteve shqiptare të mallrave”…
    E kuptoni dhe vete se sa pa lidhje keni shkruar??? Dmth bimet medicinale (10 tregtare ne te gjth Shqiperine) dhe Nafta bruto qe kryesisht shitet ne europe po behen kercenim per konkurrueshmerine e eksporteve Shqiptare???? hahaha

  4. Renia e euros dhe monedhave te tjera nuk eshte asgje me teper vecse tregues i rritjes kostante ekonomike qe ka pasur Shqiperia nder vite. Sot Shqiptaret eksportojne shume me teper, ka me teper kompani te specializuara, tregtia me vendet e tjera te eruopes eshte zhvilluar shume dhe kryesisht deficiti tregtar eksport-import eshte ne minimumin historik cka sjell qe ne vend te kete fluks te vazhdueshem eurosh nerpmjet bilanceve te pagesave tregtare. Shto ketu rritjen eksponenciale te turizmit ( 8 milion shtetas te huaj deri ne fund te Prillit) con padyshim ne nje perfundim logjik qe eshte ai i zhvleresimit te monedhave te tjera ne treg.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *