• |
ide | kryesore

Latifi e Grezda, Tirana duhet të zgjedhë: rinovon Aleksi, pritet Doka

-Instant, Sport
Latifi



Kaina Nunes e Gentian Selmani janë prezantuar tashmë nga klubi si blerjet e reja, por Tirana nuk njeh pauza. Bardheblutë duan të ndërtojnë sa më shpejt skuadrën, ashtu si i kanë premtuar teknikut Orges Shehi. E janë të gjithë emra prestigjiozë ata që janë pranë firmës me kryeqytetasit: Latifi, Doka e Grezda.

Situata me Erion Hoxhallarin është e komplikuar, por Albi Doka, një njohje e vjetër e Tiranës do të rivishet bardheblu. 25 vjecari ka rënë dakord parimisht me kryeqytetasit dhe firma duhet të mbërrijë brenda dy ditësh. Me Florent Hasanin që edhe mund të lëvizë, Kaina Nunes e Kristal Abazaj kanë nevojë për përforcime. E Tirana tashmë ka në dorë kosovarin Liridon Latifi. Lojtari është në skadencë kontrate me Vllazninë dhe është i lirë të negociojë me cilindo klub. Oferta e Tiranës e ka bindur lojtarin që të zgjedhë projektin e tyre. Latifi, në fakt, nuk vjen nga një kampionat ekzaltues: vetëm dy gola. Për të mos folur pastaj për dëmtimet e njëpasnjëshme që nuk e lejuan të bëhej diferencues në Shkodër.

VETËOFRIMI

E megjithatë, duke qenë se te Vllaznia nuk do të presin venat për të mbajtur Latifin, Tirana e pati të lehtë ta bindte. Por nuk është i vetmi sulmues anësor që është gati të vishet bardheblu. Eros Grezda është vetëofruar për të luajtur për Tiranën. Lojtari pas peripecive e muajve pa skuadër e ka mbyllur sezonin e fundit me Zalaegerszegi në Hungari, me të cilët luajti 7 ndeshje e shënoi një gol.

RINOVIMET

ndërsa sipas burimeve konfidenciale të RTSH Sport bardheblutë kanë rinovuar edhe kontratën me Albano Aleksin. Mesfushori 30 vjecar është bindur të qendrojë te Tirana, që përmirëson kushtet e ofertës së propozuar për fierakun, duke lënë në të thatë Dinamon që priste vendimin e lojtarit. Tirana ka avancuar bisedimet edhe për rinovimin e Hilës, ndërsa Tosevski është në dalje me bardheblutë që kanë gjetur titullarin e tyre.

Tirana shpejton të ndërtojë skuadrën e të ardhmes, për tu prezantuar edhe në Conference League në mënyrën më të mirë. E duket se bardheblutë të djegur nga sezoni që sapo lanë pas me zhgënjimet e humbjes së titullit dhe kupës, nuk po kursehen.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *