• |
ide | kryesore

SHBA vendos sanksione ndaj programit të raketave të Iranit

Lajme, Planet



Uashingtoni reagoi me shpejtësi pas paraqitjes nga Teherani të një rakete të re supersonike, duke vendosur sanksione të reja ndaj programit të raketave balistike të Iranit. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e përshkruan lëvizjen e Iranit si “destabilizuese”.

“Administrata Biden ka qenë shumë e qartë, e saktë, dhe shumë e vendosur në reagimin kundër aktiviteteve destabilizuese të Iranit në rajon, përfshirë zhvillimin e një programi të përmirësuar raketash balistike. Nuk do të flas rreth njoftimeve specifike për këtë raketë që thuhet se është hipersonike, por ne i kemi bërë shumë të qarta sanksionet dhe aktivitetet e tjera për të zmbrapsur veprimtarinë e Iranit në rajon dhe këtu përfshihet programi i tyre i raketave balistike”, tha John Kirby, drejtor i komunikimeve strategjike për Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Televizioni shtetëror në Iran thotë se raketa – e quajtur Fattah, ose “Pushtuesi” – ka një rreze veprimi deri në 1400 kilometra. Kjo pothuajse i afrohet distancës ajrore që ekziston mes Teheranit dhe Jerusalemit. Presidenti iranian Ebrahim Raisi e përshkroi armën e re si “një spirancë të sigurisë dhe paqes së qëndrueshme” në rajonin e Lindjes së Mesme.

Departamenti amerikan i Thesarit tha të martën se sanksionet e reja kanë në objektiv shtatë individë dhe gjashtë entitete në Iran, Kinë dhe Hong Kong që furnizojnë programin e raketave të Teheranit me “pjesë dhe teknologji jetike dhe sekrete”, përfshirë me artikuj të tillë si centrifugat, shpesh të përdorura për pasurimin e uraniumit për armët bërthamore.

Sanksionet tregojnë “angazhimin tonë për t’iu përgjigjur aktiviteteve që dëmtojnë stabilitetin rajonal dhe kërcënojnë sigurinë e partnerëve dhe aleatëve tanë kryesorë”, tha Nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Zbulimin Financiar, Brian E. Nelson. “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të godasin rrjetet e paligjshme të financimeve trans-nacionale që mbështesin në mënyrë të fshehtë prodhimin e raketave balistike të Iranit dhe programe të tjera ushtarake”. Presidenti iranian Raisi u mburr se raketa është tërësisht e projektuar dhe prodhuar nga Irani.

“Kjo raketë është një masë parandaluese”, tha ai. “Fuqia e saj është një spirancë e sigurisë dhe paqes së qëndrueshme për vendet e rajonit”.Por analistët thonë se kjo ndoshta vetëm do t’i rrisë tensionet.

“Pavarësisht nëse raketa hipersonike iraniane funksionon siç synohet, ajo megjithatë nxjerr në pah kërcënimin në rritje që Irani paraqet për Shtetet e Bashkuara dhe interesat e tyre strategjike në Lindjen e Mesme”, tha Nicholas Carl, analist për Iranin në Institutin Amerikan të Sipërmarrjes.

“Teherani është bërë gjithnjë e më agresiv në ndjekjen e objektivave të tij rajonale vitet e fundit. Këto objektiva përfshijnë arritjen e hegjemonisë rajonale, shkatërrimin e shtetit izraelit dhe dëbimin e forcave amerikane nga rajoni. Dhe udhëheqësit iranianë kanë demonstruar vazhdimisht gatishmërinë e tyre për të përfshirë kapacitet e tyre në rritje me raketa në këtë përqasje gjithnjë më kundërshtuese”.

Sidoqoftë, zoti Carl vuri në dyshim nëse arma e re i përmbush pritshmëritë. Në ceremoninë e paraqitjes, Gjenerali Amir Ali Hajizadeh, komandanti i degës së hapësirës ajrore të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, tha se raketa mund të shkatërrojë sistemet kundërajrore të vendeve të tjera.

“Ekziston ende një pikëpyetje e madhe nëse Teherani mundet të prodhojë vërtet raketën që ka përshkruar”, tha ai. “Zyrtarët e regjimit kanë shpesh prirjen të mbivlerësojnë aftësitë e tyre ushtarake”.

Pa një linjë të drejtpërdrejtë komunikimi mes Uashingtonit dhe Teheranit, vendet e tjera do të duhet të luajnë një rol në uljen e tensioneve. Këtë javë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken viziton Arabinë Saudite, një vend që së fundmi rivendosi lidhjet e tij diplomatike me Teheranin.

Rreth pasojave, zoti Kirby tha se: “Nëse çelja e një ambasade iraniane në Riad mund të ndihmojë në rritjen e transparencës së asaj që po bëjnë dhe të arsyes përse – nëse mund të ulin tensionet, nëse mund të sjellë një ulje të sjelljes së tyre destabilizuese, përfshirë ndalimin e anijeve siç u përpoqën të bënin gjatë disa ditëve të fundit në Ngushticën e Hormuzit – atëherë gjithçka është pozitive”.

Edhe Kombet e Bashkuara po e ndjekin me vëmendje situatën. I pyetur nga Zëri i Amerikës të martën nëse paraqitja e raketës shkel rezolutat e OKB-së që synojnë t’ia ndalojnë Teheranit zhvillimin e armëve bërthamore, Stéphane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm, tha: “Nuk kam të dhëna dhe informacione për të shprehur mendimin për këtë. Ne besojmë se Irani duhet të përmbushë angazhimet e tij në lidhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit”./ VOA



3 Comments

  1. VEND VARI KARIN DEMOKRACI GJOJA

    KE ARME BERHTAMORE ?

    TE KETE EDHE TJETRI

    APO PSIKOPATET JANE EKSEPSIONALE?!!!

  2. qe te vetdijsohemi te gjith nese dikush shpik dicka ne kete bot te gjith jan te interesuar ta ken keshtu fillon konkurenca e eger qe nuk ndalet per cdo kuptim nese dikush i ben per sulm tijetri i ben per vetmbrojtje jemi ne disa zhvillime qe askush nuk pyet per asgje dhe asken dhe ky eshte shkaku qe po vetshkatrrohemi te gjith eshte koha qe problemet dhe zhvillimin ti zgjillim me parime marrveshje dhe hak qe te vijn besushmerija forca bllokada imponimet tashme u ka ikur efekti sepse treguesit jan natyral te reflektimit imunitar vetmbrojtes me karakter vetmohues qe nuk pyet per asgje

  3. Israeli ka qindra raketat nukleare dhe vret perdite Palestimeze por Vetem heshtje nga Kurvat Amerikane sherbetoret e Cifuteve. Irami.ka te drejten e vet te bejne cte done ne token e vet. Keta Duan ta Shkaterrojne sic bene me Shqiperine qe tallin prapanicen Tani me ne

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *