• |
ide | kryesore

Shqipëria në barin sintetik luan shumë për kualifikimin: në përballjen e parë historike duhet një fitore, ja formacioni

-Instant, F1, Sport
Shqipëria


Tre ditë nga ndeshja në ndeshje, praktikisht fare pak kohë për të përgatitur ndryshime thelbësore, po të llogaritësh edhe udhëtimin e gjatë me tranzitin në Oslo drejt Ishujve Faroe. Sylvinho në këtë pikë nuk ka ndërmend të ndryshojë, i ndihmuar edhe nga fakti se gjendja fizike e të gjithë lojtarëve është shumë e mirë. E megjithatë kërkohen tre pikët për të vazhduar të ëndërrohet për një kualifikikim në Euro 2024. Provizorisht Shqipëria është në vendin e tretë në Grupin E, me pikë të barabarta me Poloninë. Një fitore sigurisht do të ishte kërcënuese për Lewandowskin e të tjerët e për Çekinë kryesuese.

Shqipëria në fakt luan sot shanset e mëdha për në Europian, duke qenë se ka një transfertë shumë delikate në Ishujt Faroe. Ndeshja do të nisë në orën 20:45 dhe do të luhet në stadiumin “Torsvollur”, stadium me fushë artificial. Ky është një nga shqetësimet e teknikut Sylvinho, që nuk ka ngurruar ta përmendë edhe në konferencën për shtyp të vigjiljes.

FORMACIONI

Ekipi fitues nuk ndryshohet. E duke parë performancën e shprehur në fushën e Arenës Kombëtare nga kuqezinjtë kundër Moldavisë, është e kuptueshme që braziliani mendon të zbresë në fushë me të njëjtin formacion. Berisha do të mbrohet nga e njëjta linjë defensive, që nuk gabuan asgjë ndaj moldavëve. Hysaj në të djathtë bëri një ndeshje më shumë se të mirë e po ashtu i riu Mitaj. 19 vjecari në vetëm ndeshjen e tij të dytë me kombëtaren luajti si veteran. Pastaj dyshja e Serie A Gjimshiti-Ismajli nuk vihen fare në diskutim.

Në mesin e fushës, Bare e Ramadani përpara mbrojtjes u alternuan aq mirë sa vetëm prezenca e Asllanit dhe statusi që lojtari ka mund ta tundojë teknikun. Në fakt, Bare vjen edhe pas një dëmtimi të gjatë dhe ndoshta dy ndeshje në tre ditë janë shumë për të. Në këtë rast mesfushori zikaltër është gati të bëjë detyrën dhe të garantojë ruajtjen e nivelit. Në treshen në mbështetje të sulmuesit të vetëm, që do të jetë përsëri Cikalleshi, konfirmohen Asani, Bajrami e Uzuni, edhe pse në ndryshim nga sfida në Tiranë, këtë herë, në varësi edhe të rezultatit, do të ketë më shumë hapësira për Muçin, Mehmetin, Seferin apo Sadikun.

RIVALËT E GRUPIT

Ndërkohë që kuqezinjtë do të tentojnë sot fitoren e dytë radhazi në Ishujt Faroe, vëmendja patjetër që do të jetë edhe nga kundërshtarët e tjerë të grupit. Në mbrëmje, Polonia do të luajë në transfertë ndaj Moldavisë. Në të njëjtin orar me përfaqësuesen tonë, 20:45. Çdo hap fals i polakëve pretendentëve për kreun, natyrisht që favorizon kuqezinjtë. Aktualisht Çekia është e para në renditjen e grupit me 7 pikë. Kryesuesit, gjithësesi,  kanë një ndeshje më shumë se Shqipëria dhe Polonia.

Lexo më tej: Frika nga bari sintetik dhe një rival ndryshe nga Moldavia, Sylvinho: “Ishujt Faroe kameleon”

PRECEDENTËT

Kuqezinjtë do të përballen për herë të parë në histori me Ishujt Faroe. Pas fitores në shtëpi ndaj Moldavisë, kuqezinjtë duhet të sigurojnë 3 pikët e radhës për të ndjekur hapin e kryesuesve. Një kundërshtar që mund të rezervojë befasi, për aq sa është i panjohur. Sylvinho informacionet e vetme mund ti marrë përmes videove dhe fjalëve të Ylber Ramadanit. Mesfushori në konferencë për shtyp ka bërë të ditur se “i njoh Ishujt Faroe më mirë se ju mendoni”.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *