Vetëm Italia dhe Turqia kishin mbetur në garë për të pritur Kampionatin Evropian 2032. Dy vendet, pas një takimi që u zhvillua në Romë ditët e fundit mes presidentit të FIGC Gabriele Gravina dhe homologut të tij turk, vendosën ta organizojnë bashkë edicionin. Italia e Turqia ndjekin kështu një logjikë që po fiton gjithnjë e më shumë terren në botën e futbollit ndërkombëtar. Me pak fjalë, po shkohet drejt një edicioni të ri të përbashkët, siç ka ndodhur tashmë në ato të mëparshme Belgjikë-Holandë në 2000, Austri-Zvicër në 2008 dhe Poloni-Ukrainë në 2012. Pa përmendur Kampionatin Evropian udhëtues në 2020, i cili më pas u shty me një vit për shkak të Covid.
Në tetor do të vijë edhe vendimi i UEFA-s. Megjithatë, disa paqartësi mbeten të lidhura me distancën mes dy vendeve dhe implikimet politike. Turqia ka stadiume të gatshme, Italia ka garancinë e qeverisë se do të ristrukturohen apo ndërtohen nga e para. Edicioni do të ndahej përgjysëm edhe për stadiumet: 6 italianë dhe 6 turq. Inaugurimi do të bëhet në stadiumin Ataturk në Stamboll, ndërsa finalja do të jetë në Romë në Olimpico.
Lexo më tej: Uefa e Conmebol, lind një kupë e re: në Sevilje zbulohet “Sfida e klubeve”
FIGC kishte paraqitur dosjen e saj në UEFA më 12 prill, e cila parashikonte 10 stadiume protagonistë të ngjarjes (Milano, Torino, Verona, Xhenova, Bolonja, Firence, Roma, Napoli, Bari dhe Kaljari). Tani, megjithatë, do të merren në konsideratë vetëm 6. Të dy vendet e shohin gotën gjysëm plot: në rastin më të keq alternativa ishte humbja e plotë e kandidaturës.