“Unë nuk u zgjova në mëngjes dhe papritmas vendosa të bëj të gjitha këto. Në ditët e sotme asnjë futbollist nuk mund të kërkojë të shkojë në një klub të caktuar”. Fjalët e mesfushorit Sandro Tonali, para ndeshjes së sotme Milan-Newcastle, ishin mjaftueshëm të qarta. Nëse do të varej vetëm prej tij, ai nuk do të largohej kurrë nga Milani. Ai, një tifoz i kuqezinjve në zemër, është vërtet nostalgjik për Milanellon. Edhe për stadiumin San Siro që “do të jetë emocioni më i madh i mbrëmjes”.
Pasi u largua në mes të qershorit për 70 milionë (+ 10 në bonus), Tonali në mënyrë efektive financoi një pjesë të madhe të merkatos së transferimeve të verës për 19 herë kampionët e Italisë. Një lamtumirë, siç u theksua më lart, ndoshta jo më spontania e mundshme. Vështirë për t’u tretur, ashtu si ambjentimi i tij te Newcastle. “Tranzicioni ishte i vështirë, u ambjentova me vështirësi. Edhe në fushë ndryshon gjithçka, sepse nuk e ndjen atë komoditetin kur i njeh të gjithë shokët e skuadrës dhe gjuhën. Por të gjithë ishin në anën time”, pranoi lojtari i rritur te Brescia. Fjalë të artikuluara qartë, por jo pa një buzëqeshje të vuajtur, të vërejtura nga të gjithë të pranishmit në sallën e shtypit.
Lexo më tej: Orë vonëse në fluturim për Newcastle, Howe: “Vonesa e avionit? Shpresoj të mos jenë lodhur lojtarët”
NJË PËRKTHYES PËR TONALIN
Jo rastësisht, vetë trajneri i Magpies, Eddie Howe, i ka ardhur në ndihmë mesfushorit. Si raportojnë nga Anglia, ai ka kërkuar të punësohet një përkthyes i aftë për të transmetuar të gjitha udhëzimet taktike të tij në italisht. Me pak fjalë, pas tre muajsh në Angli, ambjentimi i italianit Tonali po ecën ngadalë. Brenda dhe jashtë fushës. Edhe jashtë fushës, në fakt, siç mund të imagjinohet lehtë, Newcastle është shumë ndryshe nga Milano. “Mbrëmjen e parë në qytetin e ri pyeta se çfarë të bëja me familjen dhe nuk mora përgjigjet që doja. Kështu që shkova në një pub, diçka jo e zakonshme për mua.” Ndoshta një zakon i ri, ndoshta për t’u kultivuar një ditë sërish në Milano.