• |
ide | kryesore

Borrell thirrje Serbisë: Tërhiqni ushtrinë nga kufiri me Kosovën

Lajme, Të fundit

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.


Zhvendosja trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen rreth një javë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor.



Shefi i diplomacisë së BE-së tha për disa media ndërkombëtare se blloku është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët e vet për gjendjen e tanishme veri të Kosovës, ku sasia e armatimit të gjetur nga Policia e Kosovës “është shumë serioze”.

Policia e Kosovës e gjeti dhe konfiskoi një arsenal armësh pas sulmit.

Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiç, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

“Në të njëjtën kohë grumbullimi ushtarak i Serbisë në afërsi të linjës administrative kufitare është shumë shqetësuese. Kjo duhet të ndalet menjëherë”, tha Borrell.

Ai nguli këmbë se “nuk ka vend për grumbullim të ushtrisë dhe forcave të sigurisë në kontinentin e Evropës. Forcat duhet të tërhiqen“.

Të premten, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.

Borell pret që përgjegjësit për sulmin e 24 shtatorit të ndëshkohen dhe Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut.

“Duhet të kthehemi prapa në situatën në të cilën palët bisedojnë dhe të kthehemi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja i cili është e vetmja platformë për normalizimin e raporteve mes tyre“ shtoi ai.

Sulmi ndodhi rreth dy javë pasi Kurti dhe Vuçiçi dështuan të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian më 14 shtator në Bruksel.

Prishtina beson se duhet të jetë një njohje reciproke, ndërsa Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008, dhe ka mbështetjen e aleatëve Rusisë dhe Kinës kundër saj për këtë./REL



3 Comments

  1. Borelli ose eshte torollak ose eshte mashtrues. Ka shume kohe qe shtypi kosovar e shqiptar kane njoftuar per levizje trupash ushtarake te serbise ne drejtimi te kufirit me Kosoven. Borelli te mos bej sikur nuk dinte gje, levizja e trupave ka filluar shume kohe para se te asgjesohej grupi terorist. Gjeja me e mire e me ndershme duhet te jete qe Borelli te jap dorheqjen si negociator.

    1. Serbia nuk ka vetem Rusine e Kinen si aleate per mosnjohjen e Kosoves si shtet te pavarur.
      Ka aleat edhe Spanjen e Borrellit
      Edhe Sllovakine e Lajcakut
      Edhe Greqine e Bejlerit
      Edhe gabelet e Rumanise
      Edhe gjysmagjelet-gjysmeshtetin e Qipros.
      Te gjithe keta anetare te BE.
      Si mumd te “lehtesoje ” BE normalizimin e Kosove-Serbi kur anetaret e saj, 5 prej tyre, nuk e njohin si shtet te pavarur Kosoven?
      Eshte valle rastesi qe dy “negociatoret” jane perfaqesues te shteteve qe nuk e njohin Kosoven shtet?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *