• |
ide | kryesore

DASH-i po trajton pretendimin se sulmuesit serbë në veri u stërvitën me automjete amerikane

Arkiva, Lajme, Të fundit
DASH-i po trajton pretendimin se sulmuesit serbë në veri u stërvitën me automjete amerikane

Pas pretendimeve se grupi i terroristëve serbë, që sulmoi në veri, është stërvitur me automjete “Humvee”, që SHBA-ja ia dërgoi Ushtrisë serbe, Departamenti i Shtetit ka deklaruar se është duke u marrë me këtë çështje. Përmes një përgjigje me shkrim për KOHËN, nga Departamenti i Shtetit kanë deklaruar se e kanë marrë seriozisht një pretendim të tillë dhe se janë duke u marrë me këtë çështje. Pretendimet e ngritura nga profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Westminster Aidan Hehir, se automjetet me të cilat grupet serbe u stërvitën para sulmit në veri të Kosovës, ishin amerikane, do të hetohen.


Hehir shkroi të hënën në rrjetin social X, se automjetet që shihen në pamjet e shfaqura nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, janë të tipit “Humvee”. Shtoi se Departamenti i Sigurisë s’do të jetë i lumtur që Serbia “i ka shfrytëzuar makinat që iu dhanë donacion nga SHBA-ja për t’i stërvitur terroristët”.



Muaj me parë, mediat serbe raportuan se Serbia ka blerë nga SHBA 117 automjete të blinduara Humvee, nga e cila porosi, 66 kanë arritur në korrik të këtij viti. Bazuar në postimin e Ambasadës Amerikane në Beograd, ku flet një përfaqësues i ushtrisë amerikane, këto automjete do të duhej të përdoreshin për misione paqeruajtëse ndërkombëtare.

“Posedimi i automjeteve të tilla i lejon Serbisë të jetë pjesë e çdo misioni paqeruajtës, të riorganizohet shpejt me partnerët e saj në mbarë botën”, kishte thënë një pjesëtar i Ushtrisë Amerikane.

KOHA, në lidhje me pretendimin për përdorimin e automjeteve amerikane, i ka dërguar pyetje Ambasadës Amerikane në Kosovë, e cila me pas ato i ka përcjellë te Departamenti i Shtetit.

Përmes një përgjigje me shkrim, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka konfirmuar që janë duke u marrë me këtë çështje.

“Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht çdo pretendim që përfshin pajisjet e ofruara nga SHBA-ja kudo në botë. Ne jemi duke e shqyrtuar këtë çështje”, thuhet nga DASH.

Mediat në Serbi, në të kaluarën kanë raportuar se SHBA-ja i ka dhuruar Serbisë automjete të këtij lloji. Në vitet 2012 dhe 2017, SHBA-ja ia dhuroi shtetit serb gjithsej 40 automjete të këtij lloji. Ministri Sveçla ka publikuar të dielën pamje të trupave serbe teksa stërviteshin për kryerje të sulmit në fshatin Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Pas publikimit të këtyre pamjeve, janë ngritur pretendime se grupi i dyshuar për terrorizëm në veriun e Kosovës, para sulmit është stërvitur me automjete që në Serbi i ka dërguar SHBA-ja./Koha.net



3 Comments

  1. Dihet qe departamenti i shtetit ka kontrate dhe bines fitimprures me serbine prej vitit 2016. Nje sy gringot e kane mbyllur gjithmine kur behet fjale per para dhe influence

    1. Te gjitha pajisjet pervec armeve ishin amerikane. Dallohen sdm qarte te veshja antiplumb plate carrier. Spo them me shum kush ka sherbyer ne ushtrine amerikane e kupto kollaj.

  2. Është njoftuar ca kohë më parë edhe se Franca e ka furnizuar Serbinë me avionë luftarake.
    A mos edhe këto avionë i janë shitur Serbisë nga Franca për ti përdorur për misione paqëruejtese ndërkombëtare ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *