• |
ide | kryesore

Ten Hag mbron ‘gafaxhiun’ e Manchester United: “Onana? Edhe Schmeichel e nisi keq”

-Instant, Sport
ten Hag



“Edhe portierët e mëdhenj të United si Peter Schmeichel dhe David De Gea kishin një fillim të ngadaltë, por më pas e morën veten. Kjo është gjëja e rëndësishme”. Duke folur në konferencën për shtyp, pas fitores në Sheffield, Erik Ten Hag konfirmoi besimin maksimal te Andre Onana. Portieri kamerunas ndryshoi skuadrën këtë verë, duke lënë Inter për më shumë se 50 milionë euro dhe duke veshur fanellën e Manchester United. Vetëm se tani nuk duket më i njëjti portier. Gabon në vendosje, në pritje dhe ndonjëherë bën edhe gafa. Por besimi i klubit dhe trajnerit është në anën e tij dhe ai e di mirë këtë.

BESIMI

Trajneri holandez ka folur sërish për situatën e vështirë që po përjeton Andre Onana në Angli. Ndoshta portieri është edhe i pafat, apo ndoshta i papërqendruar. Sidoqoftë, mbrojtja e Ten Hag ndaj titullarit të tij, është edhe më e mirë se ajo e United në Premier League: “Ai është i vetëdijshëm për atë që është për ne situata e tij, ashtu siç jemi të vetëdijshëm ne dhe e gjithë skuadra. Si me çdo lojtar që vjen në Premier League, nevojitet një periudhë ambjentimi dhe kjo është normale për mendimin tim. Nuk duhet të harrojmë, se edhe Schmeichel e De Gea nuk e nisën mirë në Old Trafford, por pastaj…”.

Lexo më tej: Gafat e Onana janë tashmë një çështje: tifozët e United duan rikthimin e De Gea

Më pas, Ten Hag vazhdoi me një urim të mira për të ardhmen: “Sigurisht që duhet të shikojmë të tashmen dhe të ardhmen dhe ai duhet ta ndërtojë vetë këtë të fundit, duke ofruar performanca më të mira. Por jam i sigurt se do ta bëjë”. Kujtojmë se paraqitjet e Onana, të paktën deri më tani, kanë qenë nën pritshmëri: 19 gola të pësuar në 11 ndeshje, ndërkohë që ka vetëm 3 porta të paprekura. Shumë pak.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *