• |
ide | kryesore

Nuk ka gjyq, Allegri gjen akordin me Juventus: ja pagesa për trajnerin dhe si u arrit marrëveshja

Sport
Allegri



Nuk do të ketë gjyq për të vendosur drejtësinë në çështjen e shkarkimit të teknikut Max Allegri nga Juventus. Palët kanë arritur një marrëveshje për zgjidhjen e kontratës, e cila parashikon një dalje të mirë për teknikun dhe stafin e tij. Vendimtare kanë qenë takimet mes trajnerit dhe pronarit të bardhezinjve John Elkann.

SHPËRBLIMI I LARGIMIT PËR MAX ALLEGRI

Dukej si një luftë e destinuar të përfundonte në sallën e ftohtë të gjyqit, ajo mes Juventus dhe teknikut Allegri, pasi klubi e kishte shkarkuar për arsyen e drejtë. E megjithatë, pas disa ditëve erdhi një zgjidhje miqësore, e cila i bën të dyja palët pak a shumë të lumtura. Në fakt dje u arrit marrëveshja dhe Allegri do të ketë pagesën e tij të largimit, edhe pse nuk është viti që i ka mbetur në kontratë.

Trajneri kërkonte 7 milionë rrogë plus 2 milionë bonuse. Këtyre u duheshin shtuar edhe pagat e stafit të tij, të cilat janë afërsisht 5 milionë të tjera. Totali neto ishte 14 milionë, të cilave Juve duhet t’i shtonte taksat. Në këtë pikë ndarja e teknikut Allegri nga bardhezinjtë do të kushtonte rreth 20 milionë euro. Megjithatë, marrëveshja me Juventus rezultoi të jetë rreth 5 milionë euro.

ROLI I ELKANN

Akulli i madh që ishte krijuar mes Juventus dhe teknikut Allegri dukej i pathyeshëm, aq sa bardhezinjtë i kishin dhënë lamtumirën trajnerit pa e falënderuar as për këto tre vitet e fundit. Për më tepër, dëmtimi i reputacionit që i shkaktuan njëri-tjetrit e ndërlikoi situatën edhe më shumë. Ndërhyrja e John Elkann, kreut të Exor, ishte e nevojshme për të arritur një marrëveshje me Max.

Të dy u takuan fillimisht në Grand Prix të Monte Carlos dhe më pas në Wembley, gjatë finales së Champions League. E aty diskutuan situatën në mënyrë miqësore, jashtë zyrave dhe pa avokatë.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *