Njerëzit filluan të grumbullojnë njohuri teknologjike rreth 600 mijë vjet më parë, duke arritur të përshtaten me një shumëllojshmëri të gjerë habitatesh. Kjo është ajo që del nga një studim i Universitetit të Misurit në Shtetet e Bashkuara dhe i publikuar në revistën Pnas.
Për të kuptuar se kur lindi e ashtuquajtura “kulturë kumulative”, pra një dimension kulturor që pasurohet në mënyrë progresive me risi të bazuara në njohuritë e mëparshme, antropologët Jonathan Paige dhe Charles Perreault u përpoqën të kuptojnë se si ka ndryshuar kompleksiteti i teknikave të prodhimit të veglave prej guri nga njerëzit në 3.3 milionë vitet e fundit.
Ata panë teknologjitë e përdorura nga primatët jo-njerëzorë dhe rezultatet e eksperimenteve të prodhimit të veglave prej guri që përfshinin njerëz të papërvojë në punimin e strallit dhe copëtimin e rastësishëm.
Rezultatet e studimit tregojnë se deri në 1.8 milionë vjet më parë, teknikat e prodhimit të veglave prej guri ishin nën nivelin bazë të kompleksitetit. Nga 1.8 milion në 600 mijë vjet më parë, kompleksiteti u rrit pak mbi nivelin bazë. Rreth 600 mijë vjet më parë pati një rritje të shpejtë të kompleksitetit.
Këto të dhëna tregojnë se akumulimi i njohurive teknologjike filloi në fillim të epokës Pleistoceni i Mesëm, ndoshta përpara ndarjes midis Neandertalëve dhe njerëzve modernë. Sipas autorëve të studimit, rezultatet sugjerojnë se origjina e kulturës kumulative përkon në evolucionin njerëzor me rritjen e masës së trurit dhe zgjatjen e jetëgjatësisë. ©LAPSI.al