• |
ide | kryesore

Video/ Kroacia përmbys në dy minuta, Shqipëria barazon në shtesë: Gjasula “ëngjëll e djall”

F1, Sport, Video
Gjasula


Shqipëria merr pikën e parë në Euro 2024, në një ndeshje të çmendur e për zemra të forta në Hamburg kundër Kroacisë. Laçi zhbllokoi ndeshjen, por Kroacia përmbysi gjithçka në dy minuta. Kramaric në minutën e 74′ dhe autogoli i të pafatit Gjasula në të 76′ komplikuan ndeshjen e të besuarve të teknikut Sylvinho. Reagimi që nuk pritej erdhi pikërisht në fund, kur Gjasula shpengoi veten, duke shënuar golin e 2-2 final, që mban dy kombëtaret me një pikë pas dy ndeshjeve të para.

Një ndeshje krejt ndryshe e të besuarve të teknikut Sylvinho në krahasim me Italinë. E pra ndërrimet ishin vetëm dy: Manaj për Brojën dhe Laçi për Seferin. E pikërisht djaloshi dibran i Sparta Pragë i dha të drejtë brazilianit për këtë lëvizje, duke shënuar golin e parë për kuqezinjtë. E dyta herë që Shqipëria e sheh veten në avantazh në dy ndeshje në Euro 2024. Krosimi i Asanit në minutën e 11′ gjeti devijimin me kokë të Qazim Laçit që shënoi golin e katërt me fanellën e përfaqësueses.

Lexo më tejVideo/ Çmenduri në Hamburg, Laçi bën 1-0: Shqipëria në avantazh edhe në ndeshjen dytë

Shqipëria ishte e mirë mbajti fushën, bllokoi Modric, nuk la Perisic të merrte frymë. Mekanizmi kuqezi ishte funksional, duke shkuar pranë golit të dytë me Asllanin. Kroacia bëri pak, edhe pse në pjesën e dytë mori kontrollin e lojës, me Shqipërinë të tërhequr për të shfrytëzuar kundërsulmin. Kthesa e ndeshjes erdhi pas një ore të mirë loje, kur Sylvinho bëri zëvendësimet. Gjasula në fushë e bashkë me të edhe Seferi, por mesfushori që stadiumin e Hamburgut e njihte mirë u bë protagonist negativ. Kramaric fillimisht barazoi në minutën e 74′, ndërsa në të 76′ Gjasula ishte i pafat duke e dërguar topin e ndalur nga Gjimshiti në rrjetë.

Përmbysje në dy minuta, por nuk kishte mbaruar: në fushë Daku e Hoxha, të dy të futur menjëherë në lojë. E pikërisht nga një pasim i lojtarit të Dinamo Zagreb, Gjasula shleu gabimin, duke barazuar rezultatin në shtesë. Një pikë për të dy kombëtaret, tani duhet një mrekulli për të arritur kualifikimin, më saktë të mposhtim Spanjën në ndeshjen e fundit.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *