• |
ide | kryesore

Dëshmia/ Peleshi dhe Tare tregojnë si e njohën Klodian Zoton

Arkiva, Lajme, Të fundit


Peleshi, deklaron në dëshminë e tij se edhe ai nuk ka pasur njohje me Zoton, por prezantimin me këtë individ ja paska bërë Petrit Tare, me detyrë drejtor i UKKO-së.

Mes shumë episodeve të pasqyruara në dosjen penale Nr.277, kundër ish-zv/kryeministrit të vendit Arben Ahmetaj, biznesmenëve të inceneratorëve Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe dy grave të Ahmetaj, Erjola Hoxha dhe Albina Maçka, evidentohet një seri marrëdhëniesh miqësore që Zoto apo Mërtiri kanë pasur me funksionarët e lartë të shtetit.

Dukshëm dyshja Zoto-Mërtiri në bashkëpunimin e ngushtë me Arben Ahmetaj dhe zyrtarë të tjerë.

Kontaktin mes Klodian Zotos dhe Niko Peleshit, e ka bërë Drejtori i Ujësjellësit të Korëës, Petrit Tare, i cili ka udhëtuar me lekët e Zotos së bashku me Niko Peleshin nga Shqipëria në drejtim të Italisë, për të parë impiante fotovoltaike, biznes që Zoto e kishte propozuar fillimisht veralisht dhe 1 muaj pas vizitës ja ka shkuar me dokument propozimin UKKO-së.

“…për herë të parë, Klodian Martirin e kam njohur në kuadrin e këtij projekti nga prezantimi që më ka bërë drejtori i UKKO-së, Petrit Tare…”-ka deklaruar në SPAK Niko Peleshi.

Peleshi, tregon në dëshminë e tij se ai nuk ka pasur njohje me Zoton, por prezantimin me këtë individ ja paska bërë Petrit Tare, me detyrë drejtor i UKKO-së.

Tare, është burri ish-kryetares të Gjykatës së Apelit Korccë Entela Prifti, e shkarkuar nga procesi i “Vettingut”.

Marrëdhënia e tij me Zoton është hasur dhe tek blerja nga UKKO-ja e sahatëve për matjen e ujit, sende këto që u blenë pikërisht tek kompania e në lidhjen e marrëveshjes me “Integrated Technology Services”.

Siç del edhe në dosjen hetimore Petrit Tare, kishte krijuar më parë një njohje me Klodian Zoton, ku fillimisht së bashku kanë rënë dakort për të bërë një investim të impiantit fotovoltaik në Korçë, me qëllim prodhimin e energjisë elektrike.

Por ky bashkëpunim mes burrit të ish-gjyqtares dhe Klodian Zotos, është zgjeruar më tej, pasi disa vite më vonë familjarët e Petrit Tares, do të bënin biznes dhe mernin pagesa nga kompania e Klodian Zotos.

Kjo pasi në 10 shtator 2020, bashkëshortja e Petrit Tares, ish-gjyqtarja Entela Prifti, regjistron një kompani në QKB, me emrin “B by DC”. Kjo kompani ka aksionere të vetme “Dictum Consulting” me ortake të vetme Entela Priftin.

Ndërkohë në datën 14 dhjetor, sipas të dhënave zyrtare, “Dictum Consulting” i shet 100 për qind të aksioneve tek Elio Tare.

Pra, nëna i shet djalit 100 për qind të aksioneve të kompanisë që themeloi vetë 3 muaj më pare, me një ccmim prej 100 lekë të reja.

Kjo kompani fillon shumë shpejt të marrë pagesa të majme nga “Integrated Energy”, kompania e inceneratorit të Tiranës, që zotërohet në hije nga Klodian Zoto.

Pra, nëna Entela Prifti ia shet djalit të saj Elio Tare, kompaninë me vetëm 100 lekë dhe më pas kompanitë e Klodian Zotos, që kanë fituar miliona euro nga babai Petrit Tare, Drejtor Ujësjellësi në Korçë, fillojnë e japin shërbimet financiare tek djali i çiftit Prifti-Tare.

Sipas të dhënave, nga tetori i vitit 2021 kompania e djalit të Petrit Tares, themeluar nga Entela Prifti, për një periudhë disamujore ka marrë 73 millionë lekë nga inceneratori i Tiranës.

Lidhur me marëdhënien që Petrit Tare ka pasur me Klodian Zoton, në 14 shkurt 2024 Tare është thirur në SPAK, duke dhënë dëshmi para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Tare ka deklaruar se:

“…nga viti 2013, muajin nuk e mbaj mend, kujtoj që erdhi një propozim nga shoqëria “F.M.O” shpk, në formë shkresore zyrtare drejtuar UKKO Sh.a, për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me qëllim prodhimin e energjisë elektrike.

Ky propozim ka ardhur nga Klodian Zoto dhe Arenc Myrtezani si përfaqësues të shoqërisë “F.M.O”.

Unë e dija paraprakisht, që do sillnin një propozim për ndërtimin e një impianti, pasi për këtë ne bëmë dhe një vizitë në Itali për të parë nga afër disa projekte fotovoltaike të shoqërisë “FUTURA”, me qëllim për t’u siguruar për kapacitetin e shoqërisë. Kjo vizitë në Itali, ka qenë, 1 muaj ose 2 muaj para propozimit.

Në këtë vizitë kam udhëtuar me Klodian Zoto dhe Niko Peleshi, nga Tirana nëpërmjet Rinasit në drejtim të Barit. Më pas atje kemi udhëtuar me makinë me qera për në Romë…”.

Sipas dëshmisë që Petrit Tare ka dhënë në SPAK makinën e ka paguar Klodiani, i cili kur zbritën në aeroportin e Barit, ka shkuar ka marë makinën dhe më pas është kthyer duke i marë të gjithë e më pas janë nisur drejt Romës.

“…biletën time të avionit e ka paguar Klodian Zoto, ndërsa për Niko Peleshin, nuk më kujtohet. Rrugës për në Romë, kemi parë impjante fotovoltaikë.

Në udhëtimin nga Bari për në Romë ka qenë prezent dhe shtetasi Mirel Mërtiri, por nuk më kujtohet se ku jemi takuar fillimisht. Nëse ka ardhur që nga Rinasi a jemi takuar në Bari, këtë nuk e mbaj mend.

Qëllimi i udhëtimit, ka qenë për të vizituar impjantet fotovoltaike të kompanisë italiane “Futura”, për të parë eksperiencën e tyre, kapacitetet dhe prezantimin e kompanisë.

Vendi ku ndodhej kompania ishte midis qytetit të Barit dhe Romës vendi i saktë nuk më kujtohet.

Aty kemi qëndruar një natë në hotel. Nuk e di kush ka paguar hotelin nëse ka qenë Klodian Zoto apo kompania italiane “Futura”, por di që unë s’kam paguar gjë.

Të nesërmen kemi vizituar impjante të tjera të kësaj kompanie dhe pasdite jemi nisur për në Romë…”-ka treguar Petrit Tare.

Më tej Petrit Tare ka treguar në SPAK se kur kanë mbërritur në Romë në darkë kanë shkuar në hotel, i cili ka qenë në qendër mbrapa Koloseut, por emrin e hotelit nuk e mbante.

Më pas nga hoteli kanë lëvizur me taksi për darkë dhe kanë shkuar në një restorant, të cilin Petriti nuk e mban mend me emër.

“…në restorant jemi takuar me Arben Ahmetaj dhe italian Francesco Pistritto. Nuk e mbaj mend mire a i gjetëm në restorant apo erdhën më vonë.

Kjo ka qenë hera ime e parë që jam takuar me Arben Ahmetaj, të cilin e njihja si emër, por jo nga afër.

Aty janë diskutuar biseda politike. Me sa kuptova, Arben Ahmetaj kishte lidhje shoqërore me Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, por me Klodian Zoto ishte si më afrueshëm.

Gjithashtu dhe Francesco Pistritto, kishte njohje të mëparshme me ta. Më pas u ndamë dhe shkuam në hotel dhe të nesërmen jemi nisur për në aeroport për në Tiranë.

Edhe në këtë rast biletat e avionit ishin të paguara nga Klodian Zoto. Lidhur me pagesën e darkës mund të sqaroj se unë nuk kam paguar gjë.

Pas kësaj momenti propozimi i marrë nga “F.M.O” iu dërgua Këshillit Mbikëqyrës, në bazë dhe të një relacioni të shoqërisë UKKO sh.a. Këshilli Mbikëqyrës vendosi pozitivisht dhe më pas u vijua me miratimin nga Këshilli Bashkiak në cilësinë e pronarit të kompanisë UKKO.

Më pas këshilli bashkiak doli me vendimin që e pranoi projektin dhe nxorri autorizim për mua në cilësinë e Drejtorit të shoqërisë UKKO, për kryrjen e procedurave për realizimin e këtij projekti.

Janë vijuar më pas të gjitha kërkesa për lejet, si leja për ndërtimin, leja për prodhim energjie, etj…”-ka treguar në SPAK, Petrit Tare./Ora news


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *