• |
ide | kryesore

Mendjen tek topi o Daku, mikrofonin ka kush e mban

Blog


Kjo thirrja e Dakut, lojtarit të Kombëtares që është kapur në video duke i inkurajuar tifozët të bërtasin “të q***sha maqedonen” është vërtet një lajthitje.

Maqedonasit, të cilët as që janë kualifikuar në Kampionatin Evropian, nuk kanë humbur gjë nga ofendimi publik. Të humburit janë Daku vetë, federata shqiptare dhe imazhi i tifozëve tanë në opinionin ndërkombëtar.

Mjafton të shihni se kush po e shpërndan nëpër rrjetet sociale me entuziazëm videoklipin, maqedonasit dhe serbët.

Daku, i cili të them të vërtetën e ka vërtet me zemër këtë punën e shqiptarisë, e ka kuptuar ndonëse me vonesë se nuk duhej ta kishte bërë, atë gjest megjithatë, ende jo plotësisht. Ka thënë se duhet të ndëshkohet vetëm ai, jo Shqipëria. Mirëpo, nuk funksionon ashtu. Jo vetëm që do të ndëshkohet Shqipëria por episodi besoj do të shfrytëzohet për një kohë të gjatë. (Ka një lëvizje kohët e fundit për të krijuar një aleancë mes nacionalistëve serbë dhe maqedonas, mbase për të krijuar një kordon filorus, por që nuk ka pasur edhe shumë rezultat, megjithë urrejtjen e përbashkët që mund të kenë ndaj shqiptarëve. Po kjo është punë tjetër.)

Më duket se federata jonë mbase e meriton të gjobitet, sepse një punë më e mirë duhet bërë me lojtarët e Kombëtares për t’i sqaruar nga ana ligjore se çfarë mund t’i dëmtojë, çfarë veprimesh duhet të shmangin. Këta janë profesionistë që duhet t’i dinë këto gjëra por janë edhe të rinj në moshë, të rrëmbyer e natyra emocionale që mund të rrëshqasin.

Ka arsye pse videoja po bën xhiron e socialeve me angazhimin e burimeve serbe më shumë se atyre maqedonase. Propaganda nacionaliste serbe kërkon me dëshpërim që të paraqesë shqiptarët si huliganë, si barbarë si një rrezik për qytetërimin evropian etj. Janë në hall të provojnë se nuk janë të vetmit huliganë nacionalistë nga Ballkani.

Kjo është arsyeja se pse kur rrihen tifozët e tyre me tifozët anglezë e paraqesin ku të munden si sulm nga shqiptarët. Kjo është arsyeja pse kur tifozët kroatë thërrasin në stadium “vrite, vrite serbin” e paraqesin si thirrje të tifozëve shqiptarë. Kjo është arsyeja pse djegin një flamur shqiptar në publik dhe e parqesin sikur ia morën një shqiptari që shkoi për t’i provokuar.

E vërteta është se stadiumet kanë qenë gjithmonë vende ku publiku ka shkuar për të shfryrë për gjëra që i mblidhen në gjoks. Shkallët e stadiumeve kanë qenë për një kohë të gjatë tashmë vende të korit nacionalist në Ballkan. Nuk i këndon njeri nëpër stadiume mjeshtërisë së përdorimit të topit nga Fadil Vokrri e Panajot Pano. I këndojnë trimërisë së Adem Jasharit.

Tifozët shqiptarë, kroatë, serbë, maqedonas, grekë, etj, shajnë e ofendojnë njëri-tjetrin në kor nëpër stadiume e pallate sportesh, kjo dihet. Të them të drejtën shqiptarët nuk i kanë pasur traditë fyerjet nacionaliste në stadiume. Kjo ka qenë sidomos një dukuri jugosllave, sidomos mes tifozëve të klubeve të Beogradit dhe të Zagrebit. Nga shkallët e stadiumeve kanë dalë e janë bërë të famëkeqë kriminelë lufte si Arkani. Por, ofendimi i kundërshtarit në kor është shumë joshës. Lëshon ortekë me endorfina dhe shqiptarët që kur e provuan për herë të parë që të marrin edhe ata hak për fyerjet në kor, nuk e kanë lëshuar më atë punë. Këto hidh e prit mes tifozëve të vendeve fqinje po kthehen në një formë arti.

Ajo që është më e paparë është organizimi serb për të ndëshkuar e përbaltur shqiptarët duke gjetur filmime për t’i shpërndarë e për të shpifur narrativa që nxjerrin shqiptarët si njerëz provokues dhe të dhunshëm.

Kjo nuk është aq shumë diçka e organizuar në mënyrë strategjike në Beograd, pavarësisht se qeveria serbe po e shfrytëzon fenomenin. Mobilizimi është i natyrshëm. Është pjesë e betejës së luftëtarëve serbë të tastierës. Në këtë pikë pastaj janë ata të vonuarit. Shqiptarët kanë qenë gjithmonë më të aftë e më të shpejtë në adoptimin e rrjeteve sociale e teknologjisë për të vënë në dukje klimën negative e luftënxitëse që vjen nga Serbia dhe taborëve të ultrave huliganë në tifozërisë serbe. Vërshimi serb për të bërë të njëjtën gjë, mori zemër sidomos pasi protesta e tyre kundër festimit me shenjën e shqiponjës nga Xhaka dhe Shaqiri me dy golat e tyre të famshëm në ndeshjen e Botërorit, 10 vjet më parë.

Ky angazhim vjen edhe për kundërpeshë. Në vite, huliganizmi serb në futboll ka qenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Nuk është se vrapuan shqiptarët për ta nxjerrë në pah. Mbaj mend si sot, kur huliganët serbë sabotuan që në fillim ndeshjen me Italinë dhe FIFA ia dha Italisë me rezultatin 3-0 në vitin 2010.

Në një rast tjetër, një tifoz francez që kishte udhëtuar për të parë ndeshjen e ekipit të vet u vra në Beograd.

Pastaj erdhi skandali i ndeshjes së Shqipërisë në Beograd, ku futbollistët shqiptarë u detyruan të dalin me vrap nga fusha, të sulmuar me sende të forta nga tifozët serbë të xhindosur për flamurin me dron që fluturoi në mes të stadiumit.

Huliganizmi serb ka histori të gjatë dhe lidhje të njohura me krimet e luftës dhe krimin ordiner. Për këta janë shkruar libra e studime. Por shumë serbë janë të dëshpëruar për të provuar se edhe tifozëria shqiptare është si huliganizmi i tyre. Jo për patriotizëm, por krahasimi është fare pa vend. Ndonëse preferoj një tifozëri që lartëson simbolet dhe vlerat shqiptare dhe jo një tifozëri reaksionare që ka nevojë t’iu përgjigjet ultrave kundërshtare, nuk mund t’u jap leksion tifozëve shqiptarë se çfarë duhet të bëjnë në shkallët e stadiumit. Shumë shpërthime shqiptare vijnë nga zemra të vrara, nga trauma të abuzimit shekullor, të kujtimit të të afërmve të masakruar. Kjo dallon shumë nga organizatat e natyrës mafioze e gjysëmpolitike të Partizanit dhe Yllit të Kuq të Beogradit. Ka një lloj teatraliteti e pafajsësie në thelb të fushatës së fyerjeve që vjen nga shqiptarët. Një lloj loje. Problemi është se në sytë e spektatorit të pamësuar është vështirë të dallosh njërën palë nga tjetra.

Sido që të jetë puna, asgjë nuk e justifikon sjelljen e Dakut. Nuk është puna e lojtarit profesionist që të bëhet lideri i një kori. Nëse e ka si aspiratë, le të lërë uniformën e kombëtares e të bashkohet me turmën. Sa kohë që ka veshur atë ka përgjegjësi të tjera, ka detyra të tjera ndaj kombit.

Të luash mirë në fushë dhe të sillesh në mënyrë të duruar dhe profesioniste nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë të ruash gjakftohtësinë e të mbash në peshore emocionet e presionin e madh. Respekt për çunat tanë që kanë shkëlqyer deri tani dhe kanë bërë që ndonëse një vend i vogël, të arrijë të prodhojnë talente të mjaftueshme për të konkurruar në këtë skenë e në këtë nivel. Ajo është puna e vështirë që presim edhe nga Daku. Të dalësh të shash maqedonasit e serbët nga nëna është e lehtë. E bën çdo kush. Nuk ka nevojë as të stërvitesh, as të përballosh sfida. Asgjë. Mes kokës së Hysajt, e përplasjes së topit të Gjasula, ky nga Daku është autogoli që më së shumti nuk duhet të na ndodhë përsëri në ndeshjet e Kombëtares.


4 Comments

  1. KA SHPERTHY SI MARREZI KOLEKTIVE “PATRIOTIZMI” NHA VEREMLIU TIRONES QE VJEDH PA PUSHIM PATRIOTET E VET E DERI TE AI PATRONAZHISTI NE KATUNIN MA TE THELL NE NJI KOHE QE JEMI POPULL SPIJUN.

  2. Shkrimi eshte qartesisht i dobishem jo vetem per futbollistin por edhe per tifozat shqiptar. Futbolli eshte sport e ne stadjumet tona ne korr degjon sharje nga motra etj pafundesisht. Nuk kam pare asnje mase administrative ndaj ekipit te tifozeve qe vulgarisht ulerasin dhe e kane bere te pa mundur te shkosh ne stadjume te mos ndjehesh keq per kete nivel ordiner.

  3. Jam me Dakun, ma ka bere zemren mal.. Ndeshjet e ketij grupi ferri ishin te humbura pa filluar keshtu qe barazimi me Kroacine eshte si fitore! Sa per para qe do na denojne kjo qeveri po i rrjep te gjalle shqiptaret, nuk u prish puna se do na marri UEFA ca dhjetra mijra euro qe ja marrim prape me rezultate! Sa per pezullim nderkombetar, le te beje ekipi 2 ndeshje pa Mirlindin! Por ja kuptoj zemerimin si gjilanas per rq e Maqedonise, 1 polic maqedonas bashke me 2 police shqiptare te Maqedonise me vune gjobe pa te drejte ne aksin Oher – Struge – Qafe Thane! Isha me familjen e femije te vogel, here tjeter nuk linin autobusin nga Prishtina te hynte drejt kufirit maqedonas pa ju dhene une i vetmi nga Shqiperia 20 euro per koke 2 policave derra! Maqedonia eshte populli me rq qe kam pare, ju qifsha maqedonen dhe serben ti qe ke shkruar e ju komentues bthq!

  4. E kuptoj që patriotizmi është i vlefshëm dhe gjithmonë të përdoret por nuk duhet ta tregojmë vënd e pa vënd.
    Në këto aktivitete sportive dhe në veçanti nuk duhet të kalohet në sharje por të kufizohet vetëm në shfaqjen kolorike me flamuj me këngë e valle siç në fakt u bë. Nuk I lejohet tifozave të kalojnë në sharje e jo më një futbollisti në fushë.
    Sepse është Shqipëria që merr gjoba dhe bëhet figurë e keqe.
    Të mos bëhemi njësoj si serbët!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *