Aerosmith njoftoi së fundmi se nuk do të bëjnë më turne duke thënë se lëndimi i vokalistit kryesor Steven Tyler është i vazhdueshëm dhe ai nuk do të shërohet.
Grupi nisi turneun e tyre “Peace Out: The Farewell Tour” në maj të vitit 2023, por data e koncerteve u shty pas vetëm disa shfaqjeve, kur Tyler pësoi një lëndim në laring. Grupi tha në një deklaratë të premten se Tyler ka kaluar muaj duke punuar për të rikthyer zërin e tij në gjendjen e mëparshme.
‘Ne e kemi parë atë duke luftuar pavarësisht se kishte ekipin më të mirë mjekësor pranë tij. Fatkeqësisht, është e qartë se një rikuperim i plotë nga lëndimi i tij vokal nuk është i mundur. Ne kemi marrë një vendim të vështirë dhe të dhimbshëm, por të nevojshëm si një grup vëllezërish për t’u tërhequr nga skena e turneve.’
Nuk është e qartë nëse fundi i turneve për Aerosmith nënkupton fundin e performancave live.