Një djalë 6-vjeçar, i cili ishte zhdukur prej 5 ditësh është gjetur thellë në një pyll në Vietnam. Dang Tien Lam, i cili jeton në provincën veriperëndimore Yen Bai ishte duke luajtur pranë një lumi me 9 vëllezërit dhe motrat e tij më 17 gusht. Duke u endur nëpër kodrat aty pranë humbi.
Megjithatë ai u gjet të mërkurën nga fermerët vendas të cilët dëgjuan klithmën e fëmijës teksa po pastronin një fushë kanelle afër pyllit. Lam, i cili u gjet i ulur në disa shkurre rreth 6 km nga vendi ku u zhduk, ishte dobësuar aq shumë sa nuk ishte në gjendje të qëndronte në këmbë.
“Jam shumë i lodhur. Nuk mund të ngrihem. Të lutem më ngri lart” – i kishte thënë Lam fermerit 52-vjeçar Ly Van Nang që e gjeti. Lam mbijetoi duke ngrënë gjethe, fruta të egra dhe ujë të përrenjve.
Fotot në internet tregojnë vendasit që kujdesen për të dhe i ofrojnë një ëmbëlsirë pasi e nxorën nga pylli. Ai u gjet i veshur me një bluzë të kuqe dhe pantallona të shkurtra që ishin krejtësisht të ndotura.
“Fëmija më tha se kur humbi, nuk mund të gjente rrugën për në shtëpi. Dhe sa më shumë ecte, aq më shumë nuk gjente rrugëdalje” – tha Nang.” Policia tha se ishte një “mrekulli” që Lam u gjet i gjallë.
Lajmi shkaktoi lehtësim në mediat sociale ku shumë njerëz uruan familjen e Lam dhe falënderuan ekipin e kërkimit për përpjekjet e tyre. Autoritetet lokale kishin mobilizuar më shumë se 150 persona – duke përfshirë oficerë policie, ushtarë dhe vullnetarë vendas – në kërkim të fëmijës. ©LAPSI.al