• |
ide | kryesore

Reportazh/ Qyteti i nëndheshëm. Tunelet e fshehta të Gazës

I pakategorizuar
Tuneli.jpg


 

Harriet Sherwood, për The Observer në kufirin Izrael-Gaza / Hyrja është një bosht vertikal, zakonisht i fshehur në një shtëpi. Zbret poshtë pak a shumë një duzinë metrash para se të arrijë një kalim horizontal, i rrethuar me çimento dhe kabllo elektrikë. Shumica janë rreth një metër të gjerë dhe ndoshta 2.5m të lartë, minimum i nevojshëm për të lejuar kalimin e një njeriu të ngarkuar rëndë me armatime.

Tunelet zbresin thellë e më thellë duke arritur deri në 30 metra nën sipërfaqe. Shumica janë midis një dhe tre kilometra të gjatë dhe kanë shumë hyrje dhe degëzime. Ata ndërlidhen me njëri tjetrin dhe me bunkerë që përdoren si qendra komande dhe depo armatimesh si dhe për të  fshehur të sigurtë udhëheqësit politik dhe ushtarak të Hamasit nga gjurmimet e forcave izraelite.

Kjo është “Gaza e poshtme” dhe casus belli i Izraelit: një labirint sekret tunelesh dhe bunkerësh, me kujdes të ndërtuar nga Hamas gjatë viteve të fundit e me një kosto të jashtëzakonshme.  Ndërkohë që forcat izraelite luftojnë me kohën për të gjetur dhe shkatërruar sa më shumë tunele të tilla që kalojnë kufirin, Hamas dhe grupe të tjera militante po përdorin armën e tyre strategjike nëntokësore për të nisur më shumë sulme kundër trupave izraelite si në Gaza, ashtu dhe përtej kufirit me Izraelin. 

Të premten, militantët dolën nga një tunel në afërsi të Rafah, në jug të Gazës, për të vrarë dy ushtarë dhe rrëmbyer një të tretë, megjithëse më vonë Hamas tha se ai ndoshta kishte vdekur si pasojë e një bombardimi izraelit. Të martën, pesë ushtarë izraelitë, u vranë në një kullë vrojtimi nga militantë që kishin kaluar kufirin përmes një prej këtyre tuneleve të fshehta.

Shtrirja dhe sofistikimi i rrjetit nëntokësor i ka zënë në befasi dhe surprizuar udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Izraelit. Megjithatë, më shumë se dy javë pasi Forcat Mbrojtëse të Izraelit lëshuan një ofensivë tokësore në Gaza, thuhet se ato janë shumë pranë objektivit. “Jemi shumë pak ditë pranë shkatërrimit të të gjithë tuneleve sulmuese,” tha shefi i Komandës Jugore të Forcave Mbrojtëse të Izraelit, Major- Gjeneral Sami Turgeman, të enjten.

Në të njejtën ditë, kryeministri Binyamin Netanyahu, dha një mesazh të ngjashëm: " Forcat tona po përfundojnë neutralizimin e tuneleve terroriste. Këto tunele do të mundësonin Hamasin për të rrëmbyer dhe vrarë civilë dhe ushtarë, pasi shumica e tyre penetronin në territorin tonë,” tha ai

Ekzistojnë tre lloje të ndryshme tunelesh nën Gaza, thotë Eado Hecht, një analist izraelit për mbrojtjen: tunelet e kontrabandës mes Gazas dhe Egjiptit, tunelet mbrojtëse brenda Gazës, të përdorura si qendra komande dhe depo armësh dhe lidhur me to janë gjithmonë tunelet sulmuese, të përdorur për sulme përtej kufirit me Izraelin. Ushtria thotë se ka lokalizuar 32-35 tunele sulmues, nga të cilët më shumë se gjysma janë shkatërruar. Besohet se në total janë rreth 40 të tillë. 

Ndërtimi i tuneleve filloi në Gaza më shumë se 10 vjet më parë, por lulëzoi pasi Izraeli shtrëngoi bllokadën ndaj Gazës në 2007-ën. Qindra tunele për kontrabandë mallrash dhe njerëzish u ndërtuan nën kufirin Gaza-Egjipt. Hamas gjithashtu ndërtoi tunele të veçanta edhe për futjen e armëve në Gaza. Vitet e fundit, Hamas përdori ekspertizën e tij të çmuar në ndërtimin e kalimeve të kontrabandës, për të ndërtuar një rrjet të tërë tunelesh sulmuese dhe mbrojtëse. Tunelet sulmuese janë gërmuar manualisht, pasi përdorimi i makinerive rrezikonte zbulimin. Analistët vlerësojnë se çdo tunel kërkon 2-3 vjet për t’u përfunduar dhe kushton miliona dollarë.   

Shkatërrimi i tyre  gjithashtu nuk është një punë e lehtë dhe kërkon kujdes të veçantë. “Është një punë shumë e rrezikshme,” thotë Hecht. "Së pari lokalizimi i hyrjes së tunelit është si të kërkosh gjilpërën në kashtë. Teknologji për zbulimin e tyre në distancë e thellësi ende nuk ekziston. Pra çdo gjë bëhet nga trupat në terren.”

"Pasi gjendet hyrja, duhet të hysh brenda për të parë nëse është tunel mbrojtës, apo sulmues. Pastaj duhet bërë një hartë e tunelit: ku shkon dhe a ka degëzime? Pastaj duhet të veshësh tunelin në gjithë gjatësinë e tij me eksplozivë. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe, ushtarët rrezikojnë të sulmohen, qëllohen, apo të mbeten brenda. Është një lojë kukafshehurazi vdekjeprurëse.” 

Në komunitetin e fshatrave kufitare në brendësi të Izraelit, ka një ndjesi çlirimi dhe shpresë se kërcënimi më në fund po merr në përgjigje. Adele Raemer, që ka jetuar në Kibbutz Nirim – vetëm 2km nga Gaza – për gati 40 vjet, thotë se rezidentët lokalë kanë lajmëruar vazhdimisht për tunele të tilla gjatë dy viteve të fundit. "Njerëzit thonin se dëgjonin zhurma nën dyshemetë e tyre. Ushtria vinte me pajisje dëgjimi dhe pastaj thoshte se ishin tubacionet e ujit.”

Ditët e fundit Raemer thotë se ka kontaktuar me një të re palestineze përmes Facebook-ut për të ofruar një mesazh ngushëllimi për vdekjet e shumta të civilëve, por dhe për t’i thënë se  kërcënimi nga tunelet duhet të marrë fund.

"Vajza ime që tani është 32 vjeç, është rritur me frikën se një terrorist mund të mbinte në dritaren e saj nga momenti në moment në mes të natës. Jam përpjekur gjithmonë ta siguroj se nuk duhet të ketë frikë, por e saja nuk është frikë irracionale. Mund t’ia dal me raketat, e bombardimet. Jam mësuar të vrapoj. Po tuneleve ç’tu bësh? Imagjino të jesh në vendin tënd dhe dikush të del pa pritur nga tubacionet e banjos dhe sulmon me armë zjarri gjithë familjen tënde.”

Ish drejtuesi i Forcave Mbrojtëse të Izraelit, tashmë në pension, Major-Gjeneral Ziv thotë se autoritetet izraelite kanë qenë në dijeni të problemit prej kohësh por “për të qenë të sinqertë me veten, sado që shërbimi ynë informativ kishte dijeni, të dhënat se sa i madh e i thellë ishte problemi, nuk jam i sigurt se kishin shkuar në nivelet e duhura politike dhe ushtarake.”

Brigadier-Gjeneral Shimon Daniel, drejtues i trupave inxheniere të Forcave Mrojtëse gjatë viteve 2003- 2007, tani rezervist, thotë: “E dinim se po përballeshim me një kërcënim strategjik, por nuk mund të merreshim me të. Morëm përsipër rrezikun (duke shpresuar se nuk kishte penetrim të madh në Izrael) dhe pritëm. Ky është një problem shumë i madh. Nuk është e lehtë të merresh me të.”

Edhe kur Izraeli deklaron se e ka arritur qëllimin e tij strategjik dhe i ka shkatërruar tunelet sulmues të Hamasit, nuk ka asnjë garanci se janë gjetur dhe neutralizuar të gjithë.

Sipas Hecht, "asnjëherë nuk mund ta dish me siguri të plotë se i ke kapur të gjithë. Por operacioni do t’i kthejë disa vite mbrapsht ndërtuesit e tuneleve dhe do t’ua bëjë atyre edhe më të vështirë për t’i rindërtuar ato.” 

Gjithësesi, thotë Daniel, Hamasi nuk do të tërhiqet lehtë. “Sigurisht që Hamasi do të përpiqet t’i rindërtojë tunelet. Sapo ne të dalim nga Gaza, ata do të fillojnë të gërmojnë.”

(pergatiti Lapsi.al)