• |
ide | kryesore

Amos Oz: Deliri i Hamasit dhe gabimet e Izraelit

I pakategorizuar
amos-OZ.jpg


Deliri i Hamasit. Pushteti i kolonëve. Gabimet e Izraelit. Të gjithë këto nga këndvështrimi i një shkrimtari të madh, i cili e ka humbur besimin tek paqja dhe bashkëjetesa. Amos Oz vë një kusht për të folur në lidhje me luftën mes Izraelit dhe Hamasit, “një kusht jo i zakonshëm, por jetojmë në kohëra të jashtëzakonshme”, justifikohet. “Dua të jem unë që të bëj dy pyetjet e para dhe të jap përgjigjet”, – thotë me një zë të ndryshuar që tradhton emocionet e këtij zotërie 75-vjeçar, zakonisht i qetë, shumë racional, prej dekadash në radhë të parë të luftës për paqen dhe për një kompromis me palestinezët, si dhe një prej shkrimtarëve më të lexuar dhe të famshëm të botës. “Pyetja e parë është kjo: ju çfarë do të bënit sikur fqinji juaj do të hipte në tarracë, me djalin e tij mes gjunjëve, do të nxirrte automatikun dhe do të fillonte të qëllonte dhomën e fëmijëve tuaj?” Më tej vazhdon: “Pyetja e dytë është, çfarë do të bënit nëse fqinji juaj do të gërmonte një tunel, që nga dhoma e fëmijëve të tij të çon në dhomën e fëmijëve të tu, për të vrarë apo rrëmbyer familjen tënde?” Dhe cila është përgjigja? “Ju në këto raste thërrisni policinë. Por këtu nuk ka polici. Fatkeqësisht, policia ndërkombëtare nuk ekziston”.

Oz, që sapo ka kryer disa ndërhyrje kirurgjike në spital (“asgjë e rëndë”) sapo është kthyer në shtëpi në Tel Aviv (komode, aspak luksoze, banesë, që mund ta ketë një inxhinier apo një mjek, pas tridhjetë vitesh punë), ku është transferuar prej shkretëtirës së Negevit, për t’u qëndruar pranë nipërve të tij. Familja dhe marrëdhëniet me fqinjët e shtëpisë kanë qenë gjithmonë në qendër të universit dhe tij narrativ dhe jetësor.
Prandaj nuk është rastësi që kur flet për atë që po ndodh sot në Tokën e Shenjtë, përdor një metaforë që ka lidhje me familjen, dhe me fqinjin. Pastaj, ai vetë nuk lodhet së përsërituri se sa shumë ngjajnë izraelitët dhe palestinezët, se si ky konflikt është një tragjedi sepse të dy palët kanë të drejtë, dhe që për të vazhduar të jetojnë pa u vrarë mes tyre nevojitet një “divorc konsensual” për të bashkëjetuar “si të ndarë në një shtëpi, me një ndarje të hapësirave të negociuar dhe të miratuar, dhe me shpresën që një ditë të rikthehen e të kenë marrëdhënie civile”.
Por tani, civile shumë pak gjëra janë. Ka gjak dhe vdekje. Mbi të gjitha, ekziston përshtypja se qeveria e djathtë, e udhëhequr na Benjamin Netanjahu po përdor mjete të tepruar (përveç të vdekurve, janë rrafshuar lagje të tëra) si kundërpërgjigje ndaj sfidës së lëshuar prej Hamasit (qindra raketa të lëshuara kundër qyteteve të shtetit hebre, përpjekjet për të penetruar në territorin izraelit për të vrarë civilë dhe ushtarë). Për ta thënë troç, ndjesia është kjo: Netanjahu sillet sikur horizonti kohor i shtetit hebre është disa vite, sikur kryeministri nuk beson se Izraeli është një realitet i konsoliduar dhe legjitim, a thua dëshiron të fitojë edhe disa vite jetë, pa menduar se si do të jetojnë nipërit dhe stërnipërit pas 30 apo 70 vitesh, duke qenë se urrejtja vetëm rritet nga bombardimi në bombardim. Oz reagon ashpër: “Nuk duhet të harrojmë Nenin 4 të Aktit themelues të Hamasit: aty thuhet që detyra e myslimanëve është të vrasin hebrenjtë, kudo ku këta ndodhen në botë, pavarësisht nga çështja palestineze”. Dhe shton: “Në po të njëjtin dokument përmenden ‘Protokollët e pleqve të urtë të Sionit’ (një sajesë antisemite e fillimit të viteve 1900) dhe shtohet që hebrenjtë qeverisin botën në fushën e ekonomisë, organizatave ndërkombëtare, dhe që kanë qenë hebrenjtë që kanë provokuar Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore”. Hesht për një minutë, zëri qetësohet, buzëqesh dhe në fund thotë: “Tani mund të flasim për politikë dhe për Netanjahun”.
Atëherë fillojmë nga policia ndërkombëtare: ka munguar në ish Jugosllavi dhe në Ruanda, mungon në Siri dhe në Libi. Dhe duke qenë se nuk është, çfarë bëhet mes Izraelit dhe Hamasit? “Provo të mendosh çfarë dëshiron të bëjë një person që po bie nga çatia, ndërkohë që ndodhet në lartësinë e katit të tetë”. Pra? “Do të përfundojë me ezaurimin e njërës, ose të të dyja palëve”.  Nuk ka shpresë? “Jo, një rrugëdalje të paktën sot, ka. Nuk ishte e nevojshme të mbërrihej në këtë situatë. Duhej folur me Autoritetin Kombëtar Palestinez. Të rihapej dialogu me Abu Mazenin. Mund të bëhet ende. Është gjithmonë e mundur t’i propozohet një marrëveshje paqeje. Përmbajtja? Dihet prej vitesh, prej dekadash. Fund pushtimit, dy shtete, Izraeli dhe Palestina me Jerusalemin kryeqytet të të dyve”. Dhe vazhdon: “Nëse një shtet palestinez i begatë dhe paqësor do të kishte ekzistuar në Cisjordani, banorët e Gazës, duke parë se si jetonin vëllezërit e tyre në Hebron dhe në Nablus, do u kishin shkaktuar krerëve të Hamasit të njëjtin fund që rumunët i rezervuan Çausheskut”.
Atëherë flasim për Netanjahun. Kryeministri e ka zhvilluar të gjithë karrierën e tij politike duke shfrytëzuar frikën e izraelitëve, asnjëherë mbi shpresën. Oz ngre sërish zërin: “Ai dhe e djathta janë një fenomen anakronik. Nuk i përkasin shekullit 21, as edhe Nëntëqindës. Janë burra dhe gra të Tetëqindës. Ideja e tyre e kombit dhe e patriotizmit, e madje edhe histerizmit, janë pjesë e asaj periudhe”. Bën një pushim dhe thotë: “Kam përshtypjen se Netanjahu ka rënë në kurthin e Hamasit. Hamasi ka një filozofi të thjeshtë: është mirë të vrasësh izraelitët, por është edhe më mirë nëse Izraeli vret civilë në Gaza. Hamasi fiton në të dy rastet, qoftë nëse vret izraelitët, qoftë nëse është Izraeli që vret civilët. E përsëris, ndodhemi në këtë situatë të tmerrshme sepse Kryeministri nuk ka dashur të firmosë marrëveshjen e paqes me Abu Mazenin”.
Dhe kështu mbërrihet tek nyja e kolonëve. Janë afro 300 mijë, që banojnë në territoret e pushtuar. Të armatosur, i kundërvihen çdo lloj ideje të një shteti palestinez apo një kompromisi territorial. Në atë mjedis është rritur vrasësi i Itzhak Rabinit, gjenerali që u bë kryeministër dhe që firmosi në vitin 1993 të parën marrëveshje të njohjes, mes Izraelit dhe Organizatës për Clirimin e Palestinës të Jaser Arafatit. Netanjahu është peng i kolonëve? “Sigurisht”, është përgjigja e Oz. “Por ai nuk mendon ndryshe nga ata. Duke qenë një njeri i Tetëqindës, është i bindur që sa më i madh të jetë territori, aq më i fortë është vendi. Dhe mendon madje që duhen mbajtur vendet e shenjtë. Edhe ky është anakronizëm. Por do të doja të shtoja: Hamasi është edhe më anakronik, ata flasin gjuhën e shekullit të pestë”.
Oz vazhdon reflektimin e tij: “Jemi në marrëzi. Qëllimi i sionizmit nuk ishte që të pushtoheshin qytete biblikë, por t’u jepej hebrenjve një atdhe ku të jetonin si burra e gra të lirë e të përgjegjshëm për fatin e  tyre. Unë, ashtu si miliona izraelitë, jam i gatshëm të luftoj për lirinë dhe jetën time, po nuk jam i gatshëm të luftoj, të vras dhe të vdes për vendet e shenjtë”. Një vit më parë, Ozi bashkë me të bijën, Fania ka botuar një libër “Hebrenjtë dhe fjalët”, ku shpjegonte se si identiteti hebraik është në tekste, në ushqime, në festa dhe në transmetimin e disa fjalëve mes brezave në familje, dhe jo në shenjtërinë e vendeve. Pastaj kthehet tek çështja e vrasjes së Rabinit në vitin 1995, një pikë pa kthim për shoqërinë izraelite: “E dimë të gjithë që Rabini u dënua me vdekje nga mjediset e kolonëve, e dimë se cilët janë rabinët që kanë nxjerrë “dënime” (fetarë) që e quanin atë “tradhtar”. Pastaj fanatikë dhe neonazistë ka kudo. Nga ky këndvështrim, Izraeli nuk është ndryshe”.
Fashistët, skuadristët shihen sot ndërkohë që sulmojnë arabët në rrugë, ose përpiqen të prishin manifestimet e atyre që nuk janë dakord me luftën në Gaza. Por izraelitja është një shoqëri demokratike. Cfarë do të ndodhë me përfundimin e luftës? “Është herët për t’u përgjigjur”, thotë Oz. “Por të shohim shifrat. Në zgjedhjet e fundit, një vit e gjysmë më parë, blloku i Likudit, i kolonëve dhe i fetarëve mori 61 vende në Knesset. Partitë e qendrës dhe ato të majta fituan 59 mandate. Çdo skenar është i hapur, shoqëria e ndarë më dysh është në lëvizje”. Me fjalë të tjera: Netanjahu, sipas sondazheve, ka një mbështetje të madhe. Dhe vështirë të habitesh, thotë Oz: “Të mos harrojmë se kemi përballë një armik, Hamasin, që kërkon gjenocidin”. Por në Izrael, kujtojnë ekspertët, luftërat përfundojnë zakonisht me komisione hetimorë, dorëheqje qeverish dhe ndryshime politikë.
Dhe në fakt këto ditë flitet për një lëvizje në krye të forcave të armatosura, të pakënaqura për detyrën shumë të rëndë që u ka dhënë qeveria, si nga këndvështrimi ushtarak, ashtu edhe sa u përket viktimave të shkaktuara në territorin palestinez.

(L’Espresso/ Përktheu: Bota.Al )