• |
ide | kryesore

Ja notat për lojtarët e Shqipërisë

Arkiva, Sport
Kombetarja.jpg


Etrit Berisha – 7

I sigurt në vendosje dhe me reflekse të shkëlqyera, por heziton në daljet kur topi vjen nga lart, duke nxjerrë blof në dy raste mbrojtësit e tij. Megjithatë, një siguri e padiskutueshme në kuadratin kuqezi.
Elseid Hysaj – 7

Ndeshje e shkëlqyer e mbrojtësit të Empolit. Shkodrani luan në fushë a thua se ka 20 vite karrierë mbi supe. I sigurt, i saktë dhe i fortë fizikisht. Ndoshta është i kursyer në daljet për të ndihmuar Roshin, por me shumë siguri ka qenë ndonjë udhëzim i De Biazit për të mos e kaluar mesfushën.
Cana – 7.5

Një mbrëmje luanësh për kapitenin. Largon topa me kokë, me këmbë, luan disi pisët, organizon ofsajtet. Është ai lideri i mbrojtjes dhe me një përqendrim të tillë, Shqipëria mund të besojë. Një ndër ndeshjet më të mira të viteve të fundit.
Mavraj – 7

Qetësia mban emrin e tij. I del vetëm një herë situata jashtë kontrollit, kur Agolli gaboi në largimin e topit dhe më pas Nani i ikën dy herë qendërmbrojtësit. Më pas shndërrohet në mur. I fortë dhe i pakalueshëm në luftën në ajër.
Agolli – 6

Mungojnë inkursionet e tij, mungojnë edhe krosimet nga e majta dhe ndonjë gjuajtje e hidhur. Por Agolli ofron qetësi, zgjuarsi dhe eksperiencë. Vuan me një “monstër” si Nani, por nuk e humbi kurrë duelin me të. Ndeshje shumë pozitive.
Lenjani – 6

Shumë mirë në fazën sulmuese dhe në guximin që ka, por në disa raste me kohë vonesë. Nuk lidhet si duhet me Agollin dhe në pjesën e dytë bie fizikisht. Megjithatë, një lojtar i fituar. Nuk është e lehtë të luash në vend të një “xhongleri” që quhet Valdet Rama.
Xhaka – 6.5

Debutim ëndrrash për mbrojtësin që dje luajti si shkatërrues. Rrezikshmërisht i ashpër dhe i duhen disa minuta të hyjë në lojë, por me një fizik të admirueshëm. Ndoshta pozicioni nuk ishte ideali, por sakrifikoi pa masë duke vrapuar sa për tre.
Kukeli – 6

Ndeshje shumë e mirë kur mendon se mungoi për afro 1 vit e gjysmë dhe është operuar dy herë në dy vitet e fundit. Përpiqet të ofrojë qetësi dhe ndonjë vertikalizim, por ai nuk është Skela. Ia del të mbrojë mirë, por vuan në ndërtim, sepse rrethohet nga lojtarë që vetëm rrëmbejnë topin dhe më pas “ia ngecin” vetëm atij.
Abrashi – 6.5

Vrapon aq shumë sa të jep përshtypjen sikur ka 7 mushkëri. Shqipëria duket se ka gjetur “Gatuzon” e saj. Gjendet në çdo cep të fushës dhe, megjithëse vuan shtatlartësinë e rivalëve në mesfushë, për asnjë moment nuk dorëzohet. Duhet të përmirësohet në menaxhimin e topit.
Roshi – 8

Ndoshta ndeshja më e mirë me Shqipërinë. Kalon disa herë njëfarë Koentrao në anët e tij, shërben asistin e golit, por mbi të gjitha mbron si kurrë më parë. I jashtëzakonshëm në galopime, por po kaq edhe në dyluftime. Nëse vazhdon kështu, mund të bëhet lider.
Balaj 9

Me një gjysmë topi për gol realizon një kryevepër. Gol i “zakonshëm” për markën shkodrane, pasi ngjason disi me atë të Salihit kundër Norvegjisë. Lufton shumë atje para me një “kasap” si Pepe, por është thuajse tërë kohën në hije. Por mjafton një gol alla Ibra në minutën e 53-të për të vulosur një fitore historike. Fituam një ndeshje të madhe dhe një sulmues të madh.
Lila (pa votë)

Hyn atëherë kur duhet dhe ai di si luftohet. Bën sa mundet për të mbrojtur një ndeshje që nuk duhet humbur kurrsesi dhe ia del mirë.
Cikalleshi (pa votë)

Zëvendëson Balën dhe përpiqet të bëjë sa mundet në pak minuta ku e di shumë mirë se duhet vetëm të vrapojë dhe të ushtrojë presion si një mesfushor shkatërrues. Nuk stonon.
Kaçe (pa votë)

I jep freski dhe rrit intensitetin në mesfushë, por e ka të vështirë që edhe të mbrojë, edhe të ndërtojë njëkohësisht. Hyn atëherë kur Portugalia ushtron presion me të gjitha forcat dhe ai arrin të rrëmbejë disa topa. Gjithsesi, jo në formën e tij më të mirë.
De Biazi 8

Dy fitoret më të mëdha jashtë fushës në historinë e saj Shqipëria i ka marrë pikërisht nën drejtimin e tij. Bëhet fjalë për triumfin kundër Norvegjisë dhe atë të djeshmin ndaj Portugalisë. Rastësi? Nuk duket kështu… Mjafton të kujtosh se mungonin Rama, Basha dhe Meha… Salihi me Lilën nuk janë në formë. Merr guximin dhe luan me Balajn titullar dhe vendos Xhakën debutues në formacion… Guxim i çmendur, por edhe maniak taktike. Ka shansin të bëhet i shenjtë në Shqipëri. Hapin e parë e hodhi!

(Panorama Sport)