• |
ide | kryesore

Prapaskenat / Si u luajt në kulisa për burgosjen e Fullanit

I pakategorizuar
fullani-dhe-rama.jpg


Si ka ndodhur arrestimi i Fullanit? Ç’kulisa kanë lëvizur? Kush ka qenë pro dhe kundër një veprimi të tillë? Kujt i interesonte politikisht dhe kush kërkonte lënien bosh të një posti të majmë që mund ta përdorte partia e tij? 
Të gjitha këto pyetje sot janë më aktuale se kurrë. Por tani, kur kanë kaluar ditë nga arrestimi i guvernatorit të premten në mbrëmje, disa pista po bëhen më të qarta për të parë sesi kanë lëvizur gurët dhe se si janë marrë vesh aktorët politikë. 
Në fakt vendimi për arrestim është marrë nga Prokuroria 4 ditë përpara se të ekzekutohej. Fillimisht grupi hetimor është vënë në lëvizje duke arritur në konkluzionin se përgjegjësia shkonte deri tek guvernatori. Por prokurorët e thjeshtë nuk mund të shkonin më tej. Të mësuar të tatojnë pulsin e politikës, por edhe për faktin se prokuroria është një organ i centralizuar, ata kanë zhvilluar fillimisht një mbledhje me drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha. Natyrisht vendimi i madh nuk mund të merrej as në këtë nivel. Prokuroria e Tiranës ka kërkuar mbledhjen e një celule krize me Prokurorin e Përgjithshëm. 
Të marten, në datën 2 shator, ky takim është realizuar në Prokurorinë e Përgjithshme, ku të pranishëm kanë qenë Adriatik Llalla, drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha, prokurori i çështjes Ramadan Troci dhe një prokuror pranë organit qendror të akuzës, i cili ka mbajtur kontakte me grupin. Në përfundim të takimit të gjithë kanë rënë dakord që prokuroria t’i drejtohet me një kërkesë Gjykatës së Tiranës, ku të kërkojë caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg” për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, e sëbashku me të edhe për Inspektoren e Përgjithshme, Elivar Golemi. 

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla

Në pamje të parë, tejet i bujshëm, vendimi nuk ka qenë tepër i vështirë për t’u marrë. Nga njëra anë i jepej goditje një figure shtetërore të planit të parë, por nga ana tjetër, askush nuk trembej se militantët e partive do të vinin me parrulla përpara prokurorisë për të kërkuar lirimin e idhullit të tyre. Pra për këtë akt prokuroria nuk ishte nën presion. 
Në fakt presioni qe në krahun e kundërt, një frymë popullore e nxitur nga rrjetet sociale, dukej sikur kërkonte me cdo kusht kokën e Guvernatorit. Po t’i shtosh kësaj fryme edhe ndonjë media, nga ato që kryeministri Rama i quan “me kredi të këqia”, rruga për arrestim dukej e hapur. Aq më tepër, sepse, me gjithë faktin se Fullani përflitej si njeri me miqësi të hekurta, me qoka e me lidhje, askush nuk doli deri në atë ditë ta mbronte publikisht atë. Dukej sikur vërtet prokurorët i kishin duart e lira. Ata nuk po bënin një akt heroik në emër të ligjit, por po i dhuronin një pre “turmave heroike”. 
Ndërkohë grupi hetimor vazhdonte punën.
Që në fillim të shtatorit, prokurori Troci dhe oficerët kanë nisur strukturimin e kërkesës dhe përmbledhjen e të gjitha shkeljeve ligjore të konstatuara sipas tyre. Por paralelisht me këtë proces, burime të prokurorisë kishin njoftuar se do të pyeteshin disa nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës. Të premten, më 5 shtator e para në listën e anëtarëve që do të dëshmonin ishte Ermelinda Meksi, e cila ka hyrë në prokurori mëngjesin e të premtes. 
Prokurori tashmë kishte gati dy kërkesat për arrestimin e Fullanit dhe Golemit dhe sipas burimeve mësohet se ai ka asistuar vetëm për disa minuta në seancën e pyetjeve me znj. Meksi që zgjati për rreth tri orë. 
Rreth orës 11:30 të paradites së të premtes, prokurori Ramadan Troci ka trokitur në zyrën e gjyqtares Blerina Muçi, së cilës i ka dorëzuar kërkesat për arrestimin e Fullanit dhe Golemit. Ai është kthyer sërish në prokurori, ku në zyrën e tij tashmë ndodhej duke u pyetur nga oficerët e Policisë Gjyqësore anëtarja tjetër e Këshillit Mbikëqyrës, Elivar Golemi. Troci ka qëndruar për rreth dy orë në ambientet e prokurorisë, kur është njoftuar nga gjykata se vendimet ishin marrë. Gjykatësja kishte miratuar arrestin e Guvernatorit dhe Inspektores së Përgjithshme. 
Eshtë pikërisht kjo koha kur në ambientet përpara prokurorisë ishin dyndur turma të mëdha gazetarësh që kërkonin më shumë informacion lidhur me pyetjen e anëtarëve të këshillit drejtues. Para tyre doli edhe prokurori i Tiranës, Petrit Fusha. Pyetja për të qe e drejtpërdrejtë: A do të ketë arrestime të tjera? Duke iu marrë goja, ai që tashmë e dinte se çdo të ndodhte, ruajti sekretin përpara gazetarëve: “Nuk priten arrestime të tjera”, tha ai.
Pak orë më vonë, prokurori i çështjes Troci, në zyrën e tij, po përpilonte urdhërat e ekzekutimit, të cilat ia ka dorëzuar drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës. Gazeta MAPO njoftoi disa ditë më pas, se burime të saj bënë me dije se menjëherë është thirrur në takim drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, të cilit i janë dhënë në dorë urdhërat e arrestit rreth orës 15:00 të së premtes. 
 
Prokurori Ramadan Troci
Në fakt policia e Tiranës ishte vënë në djeni që 24 orë më parë dhe po i mbante nën vëzhgim dy kandidatët për burg, si Fullanin edhe Golemin. Madje për një gjë të tillë ishte njoftuar edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Tashmë për krerët e lartë të mazhorancës arrestimi i guvernatorit nuk qe më një sekret. Saimir Tahiri e kish njoftuar edhe Ramën edhe Metën që të enjten në pjesën e dytë të ditës. Mjafton të shikosh reagimin e kryeministrit, për të kuptuar gjithçka. 
Të enjten pasdite Rama mbëriti në Uells për samitin dy ditor në NATO-s. Ai ka fluturuar për në mbledhjen e vendeve të 28-shes, i sigurtë se për pak orë Fullani do të gjendej në burg. Madje në intervistën e mbrëmjes për “Top Story”, ai as nuk do ta fshihte këtë. Njeriu që kish deklaruar pak javë më parë se nuk ishte i kënaqur me punën e prokurorit, tani që ishte në djeni të lajmit, e ka ndryshuar gjuhën. I pyetur nga gazetari Sokol Balla për fatin e Fullanit ai përgjigjet: “Po presim hetimet, nga jashtë duket që ka një segment pune nga ana e prokurorisë, ku nuk lexohet ajo tendenca e vjetër e zvarritjes së procesit”. Pra Rama e ka të qartë: këtë radhë do të veprohet shpejt.
Për këtë shpejtësi në veprim është informuar edhe Ilir Meta. Por ai bën të paditurin. Ai ka miqësi me guvernatorin, madje sipas kodit të tij, që nuk është kodi i të gjithëve, ka edhe detyrim. Gruaja e Fullanit ka qenë gjykatëse në procesin e videos së Ilir Metës në Gjykatën e Lartë. Ndoshta kjo i bën që të takohen të enjten pasdite, kur fati i Fullanit qe vendosur, kur Meta ish vënë në djeni të këtij fakti, por kur ende i interesuari nuk dinte gjë. Sipas burimeve të www.lapsi.al, Ilir Meta nuk i ka treguar për lajmin guvernatorit. Madje ka shkuar më tej, e ka porositur të takohet me përfaqësuesit e FMN-së për të parë pak rregullimin e ligjit për bankën, që të bëheshin disa ndryshime dhe kjo çështje të mbyllej. E ka porositur si mik gjithashtu që të mos bëjë zhurmë mediatike dhe të mos japë deklarata. 
Të dy janë ndarë si miq, i pari pa e ditur se ku do të përfundonte të nesërmen dhe i dyti shumë i bindur se që të nesërmen duhej të fillonte një betejë tjetër, atë të zaptimit të sa më shumë pjese në Bankën e Shqipërisë të riformatuar. 
Pa ditur asgjë nga ato që luheshin në sekret, ArdianFullani, të premten e 5 shtatorit, është paraqitur në zyrë. Megjithëse nuk ka dhënë ndonjë shenjë të veçantë, ata që e kanë parë nga afër në bankë, dëshmojnë se ishte i prerë në fytyrë dhe disi i hutuar. Ja si e ka treguar disa ditë më pas këtë moment avokati i tij, Maks Haxhia: “…ka qenë në zyrën e tij për punët e përditshme dhe të premten në darkë pas përfundimit të ditës së punës, pasi kishte qenë gjatë gjithë ditës në ambientet e bankës, ai arrestohet nga ana e organeve të policisë në bazë të një vendimi gjykate…. Vendim që ishte marrë me kërkesë të prokurorisë Tiranë. Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar në gjykatë një gjë të tillë dhe gjykata në mungesë kishte vendosur për marrjen e masës së arrestit”.
Këtu lindin menjëherë disa pyetje: pse duhej marrë kjo masë arresti në mungesë, që është një masë speciale për kriminelët dhe ata që kanë rrezik të largohen? Pse duhej arrestuar Fullani pa u marrë më parë i pandehur dhe pa u pyetur nga prokurorët qoftë edhe një herë të vetme? Mos kemi të bëjmë me një show? Një kënaqësi perverse për të kënaqur turmat dhe treguar se drejtësia po vendoset? Këto pyetje do të mbeten pezull përsa kohë të shikohet fajësia ose jo e Fullanit. Por gjë një është e qartë, i fajshëm ose jo, me Fullanin u luajt edhe për spektakël.
Dhe spektakli nuk përfundon këtu. Ai megjithëse ndiqej nga policia prej 24 orësh, megjithëse dihej se ku ishte, u prit që të dilte jashtë, të arrestohej me bujë në sy të publikut dhe para kamerave. Nuk u thirr në prokurori, nuk u njoftua, por u përdor për shfaqje. Dhe shfaqja vazhdoi. Filmimet e policisë, me urdhër të ministrit të Brendëshëm, u dhanë eksluzivisht për lajmet e Top Channel. Spektakili duhej çuar deri në fund. 
Fullani po akuzohej me 5 akuza që të gjitha kishin të bënin me shpërdorim detyre, pra sipas prokurorisë ai me mosveprimet e tij i kishte hapur rrugë vjedhjes së bankës. Po a duhet proceduar me burg një funksionar që akuzohet për shpërdorim detyre? Ja çfarë thotë avokati Maks Haxhia: “Ky veprim përbën një precedent të rrezikshëm dhe kjo është ajo që duhet të na shqetësojë si shoqëri. Krijimi i një precedenti të tillë ndaj një funksionari të lartë të çon të mendosh se këto janë veprime me prapavijë politike. Gjykata ka dhënë një vendim që nuk bazohet në ligj. Dhe për mua është argument për të thënë se është një veprim me prapavijë politike. Nuk ka prova që të vërtetojnë që z. Fullani ka kryer vjedhjen, që gjithsesi përbën një rast të rëndë për sistemin bankar. Por nuk mund të dënosh titullarin për krimet që bëjnë nëpunësit. Me këtë precedent dhe një ministër, si për shembull ministri i rendit, duhet të dënohet për ndonjë krim që mund të bëjë një drejtor burgu. Duhet të ndajmë përgjegjësinë morale nga ajo administrative”.
E megjithatë Fullani përfundoi në burg, dhe, për atë që avokati i tij e quan lojë politike, tashmë kanë nisur hamendësimet e para. Kush ka lëvizur pas gjithë kësaj loje?
I pari është kryeprokurori Adriatik Llalla. A mund ta ndërmerrte ai një sfidë të tillë pa mbështetje politike? Ai si kryeprokuror është votuar nga koalicioni Berisha- Meta dhe është firmosur nga presidenti Nishani. Burime pranë presidencës pohojnë se ai u largua jashtë shtetit, pa e vënë në djeni kreun e shtetit për këtë akt. A mos vallë kishte marrë bekim, shkelje syri apo dhe i qe bërë presion, diku tjetër? Kjo është një hipotezë. Hipoteza e dytë është ajo se, i kritikuar nga Rama për pasivitet, ai ka dashur të bëjë vetë një lëvizje. Për t’i bërë një dhuratë kësaj mazhorance dhe vetes.
I dyti është Sali Berisha. Disa media pranë qeverisë kanë hedhur hipotezën se është ai që qëndron pas arrestimit. Ai fillimisht tha se nuk e sulmonte Fullanin për hir të stabilitetit të Bankës Qëndrore. Por pastaj pas arrestimit të tij, Berisha që flet për gjithçka nuk e ka hapur gojën. Duke u nisur nga fakti që është ish kryeministri ai që e ka caktuar kryeprokurorin gazeta “Dita” shronte sot pyetjen: “Kush e ka trimëruar Llallën? Mos ndoshta Berisha, që ishte i interesuar për destabilizim financiar dhe flirtimi i Fullanit me mazhorancën e re po ia bënte të pamundur këtë?”.  Dhe po kjo gazetë pyeste: “A nuk i hap rrugën njerëzve të Berishës në BSH, arrestimi i guvernatorit?”. Këto pandehma Berisha i ka bërë edhe më të paqarta me heshtjen e tij të pazakontë.
 
I treti është Ilir Meta. Përpos votimit edhe ai njihet për lidhje të forta me kryeprokurorin Llalla. Fakti se ai e ka ditur fundin e kësaj historie dhe është munduar ta vërë në gjumë “mikun” e tij Fullani, fakti se ai këtej e këshillonte guvernatorin e nga ana tjetër doli e përshëndeti vendimin e prokurorisë, e bën më misterioz pozicionin e tij. Këtë mister e shtojnë edhe më shumë deklaratat e tij në kohë: fillimisht e mbrojti Fullanin duke thënë madje se ai e denoncoi i pari krimin, e pastaj nxorri gjithë shpurën e LSI-së për ta shitur atë. Si duhet shpjeguar ky ndryshim trajektoreje i Metës? Me bizantinizmin e tij të njohur politik? Apo me pangopsinë që më shumë sesa një lidhje dhe një detyrim, vlerëson një front të ri të hapur pune?
I fundit është kryeministri Edi Rama. Padiskutim është ai që korr frytet e këtij arrestimi. Atë që shkruante deputeti i PS-së, Erion Braçe në Facebook: “Filloi epoka e ndëshkueshmërisë”, e ka menduar shumëkush. Dhe Ramës kjo i intereson më shumë se gjithçka. Ka dhe një arsye tjetër: megjithëse në gjuhë është treguar i përmbajtur, madje shpesh edhe i pafuqishëm për të cënuar pavarësinë e Bankës së Shqipërisë, Rama nuk e ka përmbajtur gëzimin për ta parë Fullanin si kokë turku. Që në deklaratën e parë të qeverisë për vjedhjen, ai foli në emër të një zemërate popullore, që askush se kish testuar apo matur. Ai tregoi se donte t’i jepte hov asaj. Së dyti është i njohur qëndrimi i tij në opozitë ndaj Fullanit. Plot tre faqe të librit të Ramës “Kurban” (341-343) i kushtohen familjes së tij. Ndaj dhe kjo që ndodhi mund të jetë thjeshtë një hakmarrje perverse. Por edhe një akt politik i cili tregon ndërkombëtarisht se me hapjen e epokës Rama, në Shqipëri kanë filluar të goditen edhe ‘peshqit e mëdhenj”.
Po a ishte njëri prej tyre Adrian Fullani? Kur u mor vesh vjedhja në Bankën e Shqipërisë, shumëkush kujtoi që po. Filluan të përmenden qokat, nderet, punësimet, lojrat politike që e kishin mbajtur guvernatorin për dy mandate me radhë në atë post. Të votuar nga e majta dhe nga e djathta. Histeria kolektive e quajti atë të paprekshëm, pikërisht se ishte miku i të mëdhenjve.
Por, duhet të kalonin pak ditë, për të kuptuar se Fullani s’paskësh qenë miku i askujt. Secili për interesat e veta politike, atë e shitën të gjithë. Askush nuk e mbrojti publikisht. Të gjithë e gënjyen dhe panë interesat e tyre. Ndaj tani është në burg, sepse nga sa dimë deri tani zyrtarisht, ai thjesht nuk pengoi dikë të vidhte, ndërkohë që hajdutë të çertifikuar sot po bëjnë pazare për zëvendësimin e tij. Jo më kot Fatos Lubonja, që u deklarua për largimin e tij nga banka, tani e quajti një “kokë turku”. (www.lapsi.al)