• |
ide | kryesore

Skocezët i thonë “Jo” pavarësisë

I pakategorizuar
scotland.jpg


Skocia vendosi të Premten që të jetë pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, pavarësisht ëndrrës së Ministrit të Parë të Skocisë Alex Salmond për të sfiduar bashkimin 307 vjeçar të dy vendeve. Sot në mëngjes, Salmond pranoi humbjen e betejës por jo atë të luftës. Ai përshëndeti pjesëmarrjen masive në referendum dhe tha se 1.6 milionë njerëz që mbështetën pavarësinë e Skocisë janë një shenjë se përpjekjet për shkëputje do të kurorëzohen me sukses në një të ardhme të afërt. “Nuk mendoj se marrëdhëniet tona politike me Britaninë e Madhe do të jenë të njëjtat. Kemi parë frikë në Westminister, kur zyrtarët atje kuptuan se çfarë dëshironin skocezët”, tha Salmond. Me pothuaj të gjitha votat e numëruara në 30 nga 32 zona votimi, kampi kundër pavarësisë deri më tani ka marrë 55% ndërsa mbështetësit e shkëputjes 45%. Pavarësisht vendimit për të mos u shkëputur, referendumi sipas Financial Times do të shkaktojë përshjellime të forta kushtetuese në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar teksa Skocezët do të kërkojnë më shumë pushtet. Të premten në mëngjes, edhe Mbretëresha morri frymë lirisht, pasi ndoqi në ankth rezultatet e votimit nga shtëpia e saj në Balmoral. Përfaqësuesit e bizneseve gjithashtu u çliruan nga ankthi, sepse një ndarje potenciale do të kishte pasoja të rënda ekonomike duke nisur me aplikimin e dy monedhave, negociatave ekonomike dhe tregëtarë dhe tërheqjes së investimeve. Një nga industritë më të shqetësuar për referendumin ishte pa dyshim Industria e Mbrojtjes dhe Aeronautikës që përbën 10% të ekonomisë angleze duke punësuar mbi 40.000 vetë. Politikanët anglezë nga ana tjetër ishin të gjithë të angazhuar në mbështetje të kampit kundër pavarësisë. Ish Ministri i Jashtëm Ed Miliband ishte ndoshta zyrtari më entuziast duke qenë se ai kaloi dy ditë të tëra në Glasgow duke trokitur derë më derë për të bindur skocezët që të votonin kundër ëndrrës së tyre për pavarësi. /lapsi.al/