• |
ide | kryesore

Pikante nga vizita e Papës/ Ku e mori dheun kryeministri Rama

I pakategorizuar
papa tirane.jpg


Kryeministri Rama i dhuroi Papa Françeskut në aeroportin Nënë Tereza, një grusht nga dheu i Shqipërisë në të cilën shkruhej: "Shenjtërisë së tij, Papës Françesk, Me lutjen e zjarrtë që, duke bekuar këtë grusht dhè nga trualli që shkeli në këtë ditë, të shtrijë mirësinë e Zotit mbi të gjithë vendin e shqiptarëve – Edi Rama, Në Tiranë Xxi-IX-MMXIV”. Mesazhi i personalizuar i kryeministrit për Atin e Shenjtë, ka bërë që në rrjetet sociale qindra kureshtarë të pyesin se ku e ka marrë dheun që i dhuroi Papës kryeministri shqiptar. Disa mendojnë se është marrë në Shkodër, disa të tjerë në Vlorë. Nuk përjashtohet që dheu të jetë edhe një përzierje e dy qyteteve. Por disa mendojnë që kryeministri i ka rënë pak më shkurt dhe ka dërguar dikë të mbledhë grimcat e mëmëdheut në oborrin e ri pas kryeministrisë. 
Dhurata e Edi Ramës për Papa Françeskun
Ndërkohë nuk përjashtohet mundësia që kryeministri Rama këtë simbol të tokës arbërore ta ketë marrë në fshatin Surrel, aty ku do të ketë edhe strehën e tij të re familjare. Me këtë rast, Ati i Shenjtë bekon njëherësh edhe Shqipërinë edhe kryeministrin e tyre. Në çdo rast, ashtu siç shkruan kryeministri në dhuratën e tij, e rëndësishme është që mirësia e Zotit të shtrihet mbi të gjithë vendin e shqiptarëve.
Vila në ndërtim e kryeministrit Rama në fshatin Surrel
 
Opozita, megjthatë nuk mungoi në aeroport
Në pritjen që Atit të Shenjtë iu bë nga kryeministri Rama në aeroportin e Rinasit, nuk pati asnjë përfaqësues zyrtar nga opozita. Kryeministri dhe dy ministrat Bushati e Kumbaro ishin mikëpritësit e parë të Papa Françeskut. Ndoshta ky ka qenë protokolli i përcaktuar më parë edhe në bashkëpunim me përfaqësuesit e Vatikanit. Megjithatë "opozita" pati një përfaqësuese të vogël simpatike. Hana, vajza e deputetes demokrate Mesila Doda, ishte përzgjedhur nga kisha katolike si një nga dy fëmijët që i dhuruan lulet Atit të Shentë në pragun e hyrjes në aeroport. Hana do të ketë kështu një nga kujtimet më të bukura të jetës së saj, që sigurisht kur të rritet, vetëm politikën nuk do t'i çojë ndërmend.
Hana, vogëlushnja që i dhuroi lulet Papa Françeskut
 
Instalacioni i Lubonjës, mbulohet nga shishet e ujit
Një nga veprat më interesante që dëshmon persekutimin komunist, anës bulevardit ku kaloi Papa Françesku, mbeti në hijen e një tende të madhe mbushur me arka me ujë. Bunkeri mbi 40 vjeçar, disa kolona nga galeritë e minierës në Spaç dhe një pjesë e murit të Berlinit, nuk mundën të kenë vizibilitetin e duhur në këtë ngjarje të veçantë. Një nga arsyet e vizitës së Papës në Tiranë ishte edhe nderimi për vuajtjen e një populli nga ideologjia e së shkuarës dhe, instalacioni me autorë publicistin Lubonja dhe artistin Ardian Isufi, mund të ishte një simbol i goditur në këtë ditë të shënuar. Por organizatorët e ceremonisë mesa duket e kanë menduar ndryshe./lapsi.al/
Instalacioni i Lubonjës dhe Isufit nën hijen e tendës së ujit