• |
ide | kryesore

Emrat për bashkinë e Tiranës/ PS mes Kodhelit, Majkos dhe Tahirit

I pakategorizuar
kandidatet.JPG


Me shumë gjasë një nga tre politikanët Mimi Kodheli, Pandeli Majko dhe Saimir Tahiri mund të përzgjidhet nga Edi Rama si kandidati për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme lokale. Prej tre ditësh, qytetarë të Tiranës janë marrë në telefon nga aktivistë të Partisë socialiste, të cilët po testojnë popullaritetin e figurave në fjalë si kandidatë të mundshëm për bashkinë.
Shumë qytetarë thanë për lapsi.al se në listë kishte edhe emra të tjerë, por kryesisht ata janë pyetur për tre emrat në fjalë. Madje një ish drejtuese e PS së Tiranës, Majlinda Keta e ka shkruar në facebookun e saj (foto më poshtë) se është telefonuar për këtë çështje dhe disa komentues të tjerë pohojnë të njëjtën gjë.
Statusi në facebook i Majlinda Ketës që tregon se është pyetur për kandidaturat për bashkinë e Tiranës
Me afrimin e zgjedhjeve, Edi Ramës i duhet të vendosë se cilën nga figurat e partisë së tij do t'u paraqesë qytetarëve të Tiranës. Për disa kohë u fol se ishte negociuar mes PS dhe LSI që bashkia e kryeqytetit t'i lihej kësaj të fundit, por sondazhi në fjalë dhe burime të lapsi.al në PS tregojnë se as që bëhet fjalë për një gjë të tillë. Madje dhe bashkia e Durrësit është ende në diskutim e sipër mes Ramës dhe Metës.
Emri i Pandeli Majkos u përfol edhe në zgjedhjet e kaluara, por Rama vendosi të kandidonte vetë edhe për një mandat të katërt përballë Lulzim Bashës. Majko mund të ishte një kandidat i fortë dhe pse jo i sigurtë në zgjedhjet e 2015, por tendencat e tij për të menduar e vepruar sipas bindjeve të veta dhe jo servilizmit ndaj kryetarit, mund t'i krijonin kokëçarje Ramës në të ardhmen. Kryeministri ka dëshmuar se më mirë preferon individë me profil të ulët por që i shkojnë pas avazit se sa personalitete që mendojnë me kokën e tyre. Kjo është një pengesë jo e vogël për kandidaturën e Pandeli Majkos.
Ndërsa Mimi Kodheli ka një përvojë të mirë si ish nënkryetare e bashkisë së Tiranës, një karrierë në ngjitje dhe po të kihen parasysh preferencat e Edi Ramës për përfshirjen e femrave në vendimarrje, ajo ka shanse shumë të larta. Ministrja aktuale e Mbrojtjes bën pjesë në rrethin e të besuarve të kryeministrit dhe nuk ka asnjë pengesë të llojit të Majkos. Përkundrazi ajo është përdorur vazhdimisht nga kryetari si në opozitë kur drejtonte fushatën publike kundër Ilir Metës nga selia rozë, ashtu edhe në qeveri për të shfryrë zemërimin e Ramës ndaj Arben Imamit. Bindja e provuar ndaj kryetarit dhe përvoja në bashki, e bëjnë Kodhelin kandidaten më të fortë dhe me më shumë shanse mes të tjerëve.
Sa i takon Saimir Tahirit, pavarësisht se kryeministri Rama e mohoi një kandidim të tij në emisionin Top story të Sokol Ballës, ai mbetet një ndër tre favoritët. Fakti që Edi Rama vazhdimisht e ka apostrofuar atë si një nga kulmet e suksesit të qeverisë së tij, është një rrugë e hapur për të shkuar drejt bashkisë. Fuqizimi i ministrisë së Tahirit, kalimi në varësi të tij i INUK që ka ndërmarrë një fushatë shembjesh e spastrimesh në Tiranë, janë një përgatitje serioze për kandidaturën e mundshme të Tahirit. Aksioni i INUK ka shkaktuar pakënaqësi tek ata që preken direkt, por ka fituar disafish simpati tek shumë të tjerë që banojnë sipër tyre. Këto janë pikë që mund të përkthehen në vota në zgjedhjet e ardhshme. Edhe fakti që kohët e fundit Saimir Tahiri nuk shihet në mainstream, nuk shfaqet ekraneve të TV me arrogancën e tij të fillimit, që ka zgjedhur të mbajë një profil të ulët dhe të tërhequr, janë dukshëm porosi të Edi Ramës për të patur mundësinë e një kandidati që nuk ngjall reaksion negativ tek publiku. E kundërta e asaj që ka zgjedhur kandidati tjetër i përfolur Erion Veliaj, protagonizmi i të cilit kulmoi me dasmën glamour që bashkë me shaminë e beqarit ka djegur edhe shansin për të qenë kandidat për bashkinë e kryeqytetit.
 
 
 
Lajmi i botuar te marten pasdite nga Lapsi.Al, u rikonfirmua edhe te merkuren si titull kryesor i gazetave Panorama dhe Mapo